Kërko

Engjëlli i Tënzot Engjëlli i Tënzot  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: të kapërcehen vizionet ideologjike, sepse çdo jetë ka vlerën e vet

Duke kujtuar mesazhin e ipeshkvijve italianë me rastin e ditës së sotme Për-Jetën, Françesku në lutjen e Engjëllit ftoi ta shikojmë çdo qenie njerëzore si pasuri. Më pas kujtoi Kilin e dëmtuar rëndë nga zjarret shkatërruese dhe pjesëmarrësit në takimin "Shtegtarët e shpresës në rrugën drejt paqes".

R. SH. - Vatikan

Vlerë e dhuratë. Jeta për Papën Françeskun ka këto dy prirje. Prandaj e përsëriti në lutjen e Engjëllit, kur kujtoi se sot në Itali festohet Dita e Jetës me temë "Forca e jetës na befason":

“Bashkohem me ipeshkvijtë italianë në urimin për të kapërcyer vizionet ideologjike e për të rizbuluar se çdo jetë njerëzore, edhe ajo më e prekura nga kufizimet, ka vlerë të pamasë dhe është e aftë t'u dhurojë diçka të tjerëve”.

Lutja e Papës për Kilin

Papa kujtoi me dhimbje të thellë edhe jetët e shumta të humbura në zjarret "shkatrrimtare" që përfshinë Kilin qendror, në veçanti rajonin e Valparaiso-s. Burimet zyrtare flasin për rreth 51 viktima, por nuk mungon frika se numri mund të vazhdojë të rritet.

Shtegtarët e shpresës

Së fundi, Papa Françesku u drejtoi përshëndetjet e tij burrave dhe grave të kushtuara nga mbi 60 vende, pjesëmarrës në takimin "Shtegtarët e shpresës në rrugën drejt paqes", organizuar nga Dikasteri për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.

“Shtegtarët e shpresës, në rrugën drejt paqes” është tema e Jubileut për jetën e kushtuar, që do të mbahet në Romë më 8 dhe 9 tetor 2025, por edhe sot më shumë se 300 përfaqësues të formave të ndryshme të jetës së kushtuar u mblodhën në Romë në një takim përgatitor për jubileun; një çast për njohjen e përvojave të jetës dhe misionit.

Në përfundim të Lutjes së Engjëllit, Françesku përshëndeti nxënësit e Badajozit (Spanjë) dhe ata të shkollës saleziane "Sévigné" të Marsejës, besimtarët polakë të Varshavës, grupet e San Benedetto del Tronto, Ostra dhe Cingoli, fëmijët e Zojës së Papërlyer dhe disa japonezë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.

Faleminderit që e lexuat këtë artikull. Nëse dëshironi të na ndiqni, ju ftojmë të abonoheni në buletinin duke klikuar këtu

04 shkurt 2024, 14:01