Kërko

Pamje nga Jeruzalemi Pamje nga Jeruzalemi 

Françesku: “Të punojmë së bashku për paqen në Tokën Shenjte”

Françesku u shkruan "motrave dhe vëllezërve hebrenj të Izraelit" duke i drejtuar një letër Karma Ben Johanan, teologes së dialogut hebraiko-kristian

R. SH. - Vatikan 

“Zemra ime është pranë jush, në Tokën Shenjte, me të gjithë popujt që e banojnë atë, izraelitë e palestinezë, dhe lutem që paqja të dëshirohet nga të gjithë. Dua ta dini se jeni pranë zemrës sime dhe zemrës së Kishës". Me këto fjalë u drejtohet Papa Françesku "motrave dhe vëllezërve hebrenj të Izraelit", në një letër dërguar Karma Ben Johanan, teologe e dialogut hebraiko-kristian, e cila javët e fundit ishte ndër hartuesit e një thirrjeje drejtuar Papës, nënshkruar nga rreth 400 rabinë dhe studiues, për konsolidimin e miqësisë hebreje-kristiane pas tragjedisë së 7 tetorit.

“Jemi thellësisht mirënjohës për besimin dhe frymën e miqësisë me të cilën Papa, dhe me të mbarë Kisha, donin të riafirmonin marrëdhënien e veçantë që bashkon komunitetet tona, katolike dhe hebreje”. Këto janë fjalët e vlerësimit të sinqertë të teologes izraelite për letrën e Papës dërguar nga L'Osservatore Romano sot në mëngjes, në Jeruzalem.

Ati i Shenjtë, në letrën e tij - që mban datën 2 shkurt -  kujton se si Toka e Shenjtë fatkeqësisht nuk përjashtohet nga telashet që kaplojë botën dhe që përbëjnë një "luftë të vërtetë botërore pjesë-pjesë", e cila zgjon në botë "veç ankth dhe dhimbje”. Papa Françesku vëren në letër se si lufta në vazhdim ka “prodhuar qëndrime përçarëse në opinionin publik në mbarë botën, të cilat nganjëherë çojnë në forma të antisemitizmit dhe anti-judaizmit”, duke shtuar edhe: “Mund të ritheksoj vetëm se (...)  lidhja me ju është e veçantë dhe unike, pa errësuar kurrë, natyrisht, marrëdhënien që ka Kisha me të tjerët, si dhe përkushtimin ndaj tyre. Rruga që ka nisur Kisha me ju, popull i lashtë i Besëlidhjes, hedh poshtë çdo formë të anti-judaizmit dhe antisemitizmit, duke i dënuar pa mëdyshje manifestimet e urrejtjes kundër hebrenjve dhe judaizmit, si mëkat kundër Zotit, dhe duke shpresuar "bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë për t’i çrrënjosur këto fenomene”.

Duke kujtuar letrën e dërguar nga rabinët dhe studiuesit e dialogut hebraiko-kristian, të cilën Papa kujton se e ka vlerësuar shumë, Françesku shkruan: “Dëshiroj t'ju siguroj për afërsinë dhe dashurinë time. E përqafoj secilin prej jush e, në veçanti, ata që u prekën nga ankthi, dhembja, frika, madje edhe zemërimi”, dhe shton: “Së bashku me ju vajtojmë të vdekurit, të plagosurit, të traumatizuarit, duke iu lutur Zotit Atë të ndërhyjë dhe t’i japë fund luftës dhe urrejtjes”.

Papa paralajmëron se në këto kohë mjerimi është e vështirë të shihet “horizonti i ardhshëm, në të cilin drita zëvendëson errësirën e miqësia, urrejtjen (...) Megjithatë, ne, si hebrenj dhe katolikë, jemi dëshmitarë pikërisht të një horizonti të tillë - shton - për të përfunduar duke shpresuar: “Ne kemi ende shumë për të bërë së bashku për të siguruar që bota, të cilën ua lëmë atyre, të cilët vijnë pas nesh është më e mirë, i sigurt se mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku për këtë qëllim”.

Karma Ben Johanan, duke shprehur mirënjohjen ndaj Papës, e mirëpret ftesën dhe deklaron: “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në mënyrë që urrejtja dhe dhuna të zhduken dhe të hapen dyert e paqes së vërtetë për të gjithë ne që jetojmë në këtë tokë: çifutë, të krishterë dhe myslimanë. Bashkohemi me të krishterët me besimin se fetë mund të jenë forcë krijuese, e aftë për të hapur shtigje që, përndryshe, do të mbeteshin të mbyllura”.

03 shkurt 2024, 15:44