Kërko

Françesku: t’u dhurohemi të tjerëve për të mjekuar "gërbulat" e egoizmit, paragjykimit, intolerancës

Papa Françesku kremtoi kanonizimin e Shenjtes së parë argjentinase, Mama Antula. Mijëra, besimtarët e ardhur nga vendi i tij ndërmjet të cilëve, Presidenti Milei. Në homeli, ftesa për të rizbuluar "gëzimin e dhurimit të vetvetes, pa frikë e pa paragjykime, të lirë nga format e fesë anestetizuese, pa vuajtjen e vëllait tonë"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, kremtoi sot paradite në Bazilikën e Vatikanit Meshën me cemeroninë e shenjtërimit të María Antonia de San José de Paz y Figueroa, e njohur në mbarë botën si Mama Antula, shenjtja e parë argjentinase, që jetoi në shekullin e 18-të.

Kur largohemi nga të tjerët, që të mendojmë për vetveten, kur e reduktojmë botën në muret e "rehatisë sonë", kur besojmë se problemet janë gjithmonë dhe vetëm të tjerët... Kujdes, jemi pre e një sëmundjeje. E "diagnoza është e qartë: gërbulë e shpirtit",  sëmundje "që na bën të pandjeshëm ndaj dashurisë, ndaj dhembshurisë, që na shkatërron përmes 'gangrenave' të egoizmit, paragjykimit, indiferencës dhe intolerancës". Ilaçi? Të duash Zotin dhe t'i dhurohesh të afërmit "pa frikë e paragjykime",  pa "llogaritje e komoditete", "i lirë nga format anestetizuese të fesë pa korpin e vëllait".

Presidenti i Argjentinës pershëendet Papën
Presidenti i Argjentinës pershëendet Papën

Presidenti i Argjentinës dhe mijëra besimtarë në Bazilikë

Metafora e gërbulës, në dritën e pjesëve të propozuara nga liturgjia e sotme, ishte baza e predikimit në Meshën e Papës Françesku, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit për shenjtërimin e María Antonia de San José de Paz y Figueroa, atë që jo vetëm argjentinasit, por të gjithë besimtarët e përhapur në mbarë botën e njohin më mirë si Mama Antula. Shenjtorja e parë argjentinase, që jetoi në shekullin e 18-të, në kohën e dëbimit të Shoqërisë së Jezusit, përhapi praktikën e ushtrimeve shpirtërore injaciane në Buénos Ájres dhe në mbarë vendin, madje edhe ndër etërit themelues të atdheut, për të cilët ishte "mama".

Të pranishëm në festë, mijëra bashkatdhetarë të Papës: ipeshkvij, priftërinj e shtegtarë nga kryeipeshkvnia e Portenës, bariu i së cilës ishte Jorge Mario Bergoglio, por edhe nga Santiago del Estero dhe dioqeza të tjera. Në vend u organizuan vigjilje  dhe kremtime të tjera të transmetuara me ekrane të mëdha në sheshe. I pranishëm në Bazilikë, edhe presidenti Javier Milei, qysh dje në Romë, pas një udhëtimi në Izrael e nesër, 12 shkurt, në bisedë private me Papën, në Vatikan.

Mama Antula shpallet shenjtore
Mama Antula shpallet shenjtore

Mama Antula shpallet shenjtore

Pas peroratio lexuar nga prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Kardinali Marcello Semeraro, Papa e lartoi këtë grua të veprimit dhe të kundrimit në nderimet e altarit, mes duartrokitjeve të stuhishme të turmës. Françesku kujtoi dëshminë e saj: shërbimin dhe përkushtimin ndaj të tjerëve, "në rrethanat e varfërisë materiale dhe morale". Cili është kundërhelmi, ose më mirë, ilaçi kundër "gërbulës": jo sëmundjes fizike që çon në shkatërrimin progresiv të trupit - kujtoi Papa në  predikim - "po gërbulës së shpirtit" e cila gangrenizon zemrën dhe godet më të ligshtit.

Sëmundja dhe mënjanimi

Papa vijoi të kometojë Ungjillin e Markut, fragmentin që na kujton takimin e Jezusit me një lebroz, të braktisur nga bashkëqytetarët e tij që kishin frikë se mos infektoheshin dhe besonin se prekja e trupit të kalbur të bën të papastër. Një njeri i plagosur kohët e fundit nga largimi dhe refuzimi, të cilit Krishti i ofron "prekjen" e tij për ta shëruar dhe për t’i çliruar të gjithë nga një ide e shtrembëruar fetare që "ngre mure e minon mëshirën":

“Frika, paragjykimi dhe feja e rreme: ja tre shkaqet e një padrejtesie të madhe, tri "gërbulat e shpirtit", që i bëjne të vuajnë të ligshtit, duke i flakur si flaken plehrat”.

Mënjanimi i jetuar nga ai i gërbulur, përsëritet edhe sot. “Nuk mendojmë se këto janë thjesht gjëra të së kaluarës. Sa njerëz të vuajtur takojmë në trotuaret e qyteteve tona! E sa frikë, sa paragjykime e mospërputhje, edhe në mesin e atyre që besojnë dhe deklarojnë se janë të krishterë e që kontribuojnë për t'i lënduar më tej!” - kujtoi Papa -  e shtoi: “Edhe në kohën tonë ka shumë mënjanime, ka mure për t'u shembur, 'gërbula' për t’u mjekuar ”.

Nga Mesha e Papës
Nga Mesha e Papës

"Gangrena"

Por si? Me dy gjeste, treguar nga Papa Françesku e kryer nga Jezusi, që pati dhembshuri për atë njeri. I pari është "prekja": Biri i Zotit mund ta shëronte atë njeri "në distancë", por në vend të kësaj, ia prek plagët. Është "rruga e dashurisë,  e cila e bën të afërm njeriun që vuan". Kush ndjek Krishtin, bën të njëjtën gjë, dhurohet:

“Për shembull, kur distancohemi nga të tjerët për të menduar për veten tonë, kur e reduktojmë botën ndër muret e ‘kënaqësisë vetjake’, kur besojmë se problem janë gjithmonë dhe vetëm të tjerët... Në këto raste duhet të jemi të kujdesshëm, mbasi diagnoza është e qartë, është ‘lebra e shpirtit’: sëmundje që na bën të pandjeshëm ndaj dashurisë, ndaj dhembshurisë e na shkatërron përmes ‘gangrenave’ të egoizmit, paragjykimit, indiferencës dhe intolerancës”.

Dashuria që ripërtrin

"Të shërosh" është atëherë gjesti i dytë. "Prekja" e Jezusit nuk është thjesht afërsi, por fillimi i shërimit. “Duke e lënë Jezusin të na prekë, shërohemi përbrenda, në zemër. Duke e lënë të na prekë në lutje, në adhurim e të veprojë në ne nëpërmjet Fjalës dhe Sakramenteve, kontakti i Tij na ndryshon vërtet, na shëron nga mëkati, na çliron nga mbylljet, na transformon përtej asaj që mund të bëjmë vetëm, me përpjekjet tona”- nënvizoi Papa Françesku.

“Pjesët tona të plagosura, sëmundjet e shpirtit duhet t'i çohen Jezusit: lutja e bën këtë; jo lutja abstrakte, e sajuar vetëm me formula për t'u përsëritur, por lutja e sinqertë dhe e gjallë, që i vë mjerime, brishtësi, gënjeshtra e frikë tek këmbët e Krishtit”.

Me “prekjen” e Jezusit - vazhdoi Papa - rilind gjithçka e mirë që kemi: “Indet e zemrës përtërihen; gjaku i shtysave tona krijuese rifillon të rrjedhë përsëri plot dashuri; plagët e gabimeve të së kaluarës shërohen dhe lëkura e marrëdhënieve rifiton pamjen e saj të shëndetshme dhe natyrale". Kështu kthehet “bukuria që kemi, bukuria që jemi”. “Të dashur prej Krishtit  - vijoi Papa  - le të rizbulojmë gëzimin që lind kur ia dhurojmë veten të tjerëve, pa frikë e paragjykime, të lirë nga format anestetizuese të fesë dhe pa korpin e vëllait tonë; aftësia jonë për të dashur rifiton forcën, përtej çdo llogaritjeje dhe lehtësie".

Nga Mesha e Papës
Nga Mesha e Papës

Bamirësia e fshehur e përditshme

Nuk na duhen mrekullitë apo manifestimet spektakolare, na duhet “bamirësia e fshehur” e çdo dite - shprehet Papa - “Ajo që përjetohet në familje, në punë, në famulli dhe në shkollë; në rrugë, në zyra dhe dyqane;  që nuk kërkon publicitet dhe nuk ka nevojë për duartrokitje, sepse dashurisë i mjafton dashuria”.

Mama Antula e dëshmoi këtë: "e prekur" nga Jezusi falë Ushtrimeve Shpirtërore, "e shkriu vetveten, ndërmjet njëmijë vështirësish, që shumë të tjerë të mund ta jetonin përvojën e njëjtë të saj". E kështu "aktivizoi mijëra njerëz dhe themeloi vepra, të cilat janë gjallë edhe sot". Lëvizte "e armatosur" me një kryq të madh prej druri, një figure të Zojës së Dhimbshme dhe një kryq të vogël me Krishtin Fëmijë, që e mbante në qafë dhe që e quante "Manuelito", "Zoti i vogël me ne”:

 “E ‘prekur’ dhe e ‘shëruar’ nga ‘Zoti i vogël i të vegjëlve’, ajo e shpalli gjatë gjithë jetës së saj, pa u lodhur kurrë, sepse ishte e bindur, siç donte ta përsëriste, se durimi është i mirë, por këmbëngulja është edhe më e mirë”.

11 shkurt 2024, 14:46