Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Françesku u drejtohet diakonëve të Romës: jetoni për të shërbyer!

Ftesë për të "shërbyer", për të "folur gjuhën e afërsisë", gjithmonë gati për të papriturat e Zotit, për ngjarjet e situatat, që nuk përshtaten me skemat tona. Françesku ua drejtoi këto fjalë diakonëve që përgatiten të bëhen priftërinj në dioqezën e Romës. Fjalimi iu dorëzua pjesëmarrësve në audiencën, e cila u anulua si masë paraprake për shkak të gripit të lehtë të Papës

R.SH. - Vatikan

“Jeta baritore nuk është doracak, por ofertë e përditshme; nuk është vepër e përgatitur mbi tavolinë, por aventurë eukaristike”. Papa Françesku ua drejton këto fjalë diakonëve të dioqezës së Romës, në përgatitje për priftërinj, në fjalimin e përgatitur për ta mbajtur me rastin e audiencës së mëngjesit të sotëm, por të anuluar për shkak të një gripi të lehtë. “Diakonati - shkruan Papa - është “baza mbi të cilën ngrihet meshtaria”, e themeli i saj i brendshëm është fryma e shërbimit, “ndërgjegjja diakonale”. Do të jeni meshtarë për të shërbyer, në përkim me Jezusin, i cili "nuk erdhi për t'u shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhuruar jetën".

Gjuha e afërsisë

"Të shërbesh", sipas Papës, "është një folje që hedh poshtë çdo abstraksion: do të thotë të jesh i gatshëm, të heqësh dorë nga të jetuarit sipas planeve tuaja, të jesh gati për të papriturat e Zotit, që duken përmes njerëzve, ngjarjeve të pamenduara, ndryshimeve në plane, situatave që nuk përshtaten me skemat tona as me korrektësinë e asaj, që u studiua”. Është qëndrim i vazhdueshëm që flet “me gjuhën e afërsisë”, “flet më shumë me fakte, se sa me fjalë”.

Korist, jo solist   

Françesku e hedh poshtë idenë se sapo të bëhet prift, kandidati për meshtari mund të zbatojë "në fillim atë që kishte dëshiruar prej vitesh, duke i vendosur më në fund situatat me stilin e tij dhe sipas ideve të tija". “Kisha e Shenjtë - paralajmëron Papa - para së gjithash nuk kërkon nga ne të jemi udhëheqës, por bashkëpunëtorë”, ose “të veprojmë me të”. Prifti është, pra, "dëshmitar i bashkimit" që nënkupton vëllazërinë, besnikërinë, bindjen. Thirrja për meshtari kërkon të jesh “korist, jo solist; vëlla në presbiterat dhe prift për të gjithë, jo vetëm për grupin tënd”.

Përparësi, Shpirtit Shenjt

Prandaj Papa i porosit diakonët për formim të vazhdueshëm, "jo vetëm, por gjithmonë në kontakt me ata që, të thirrur për t'i shoqëruar, kanë bërë më shumë hapa në meshtari". Për më tepër i porosit të mos harrojnë t'i japin gjithmonë përparësi Shpirtit, për të qenë njerëz të Zotit:

"Kur mbështeteni vetëm në forcat tuaja, rrezikoni të mbeteni me një grusht mizash në dorë; një zemër që "e thith gëzimin nga Zoti dhe i fekondon me lutje marrëdhëniet, nuk e humbet bukurinë e përjetshme të jetës meshtarake".

Vetëm "në këtë dritë - përfundon Françesku - me hirin e Zotit, ne mund të kapërcejmë rrezikun që ta mbajmë brenda vetes pakëz hidhërim e pakënaqësi, shkaktuar nga gjërat që nuk shkojnë ashtu siç do t’i dëshironim”.  

24 shkurt 2024, 13:16