Papa Françesku Papa Françesku

Papa: ushtrimet shpirtërore të krishtera nuk janë kohë pushimi, por rilindjeje

Papa Françesku shkruan parathënien e librit më të fundit të Austen Ivereigh "Së pari t’i përkasim Zotit: në ushtrime shpirtërore me Papën Françesku", botuar sot, 13 shkurt, nga Loyola Press

R.SH. – Vatikan

Edhe një herë, Papa Françesku merr penën për të shkruar parathënien e një libri. Kësaj radhe është fjala për rëndësinë e ushtrimeve shpirtërore të shën Injacit të Lojolës, themeluesit të jezuitëve, parë nga vetë Ati i Shenjtë, për të cilat reflekton shkrimtari e gazetari anglez Austen Ivereigh në librin e tij të fundit me titull "Së pari t’i përkasim Zotit: në ushtrime shpirtërore me Papën Françesku", botuar sot, 13 shkurt, nga Loyola Press.

Kush është Austen Ivereigh

Kujtojmë se autori i librit është bashkëthemelues i projektit “Catholic Voices”, që i formon njerëzit për trajtimin e çështjeve të Kishës në media. Ish-zv.kryeredaktor i së përjavshmes katolike “The Tablet”, më vonë, drejtor për çështjet publike të ish-kryeipeshkvit të Westminster-it, kardinalit Cormac Murphy-O'Connor, Ivereigh thirret shpesh në radio dhe televizion për të folur mbi Kishën. Gjithashtu, është pedagog i jashtëm i historisë bashkëkohore të Kishës në Campion Hall të Universitetit të Oxford-it, që administrohet nga jezuitët.

Shën Injaci i Lojolës dhe beteja e çdo të krishteri

“Pikërisht për shkak të përvojës së tij jetësore, - reflekton Papa Françesku në parathënien e librit - Shën Injaci i Lojolës e pa qartë se çdo i krishterë merr pjesë në një betejë, që përcakton jetën e tij, ose të saj. Është luftë për të kapërcyer tundimin e mbylljes në vetvete, në mënyrë që dashuria e Atit Qiellor të mund të banojë brenda nesh”. Kur i lëmë vend Zotit, vijon më tej Ati i Shenjtë, bëhemi kanale të jetës dhe të dashurisë së Atit. Vetëm atëherë e kuptojmë se jeta është dhuratë e Atit Qiellor, “që na do thellësisht dhe dëshiron që ne t'i përkasim atij dhe njëri-tjetrit”. Kjo betejë është fituar për ne nga Jezu Krishti, me vdekjen në kryq dhe ringjalljen e Tij, duke dëshmuar se dashuria e Hyjit është më e fuqishme se çdo lloj pushteti i kësaj bote. Por njeriu, edhe sot, tundohet ta mbyllë zemrën për këtë hir. “Të gjitha krizat, që e kërcënojnë jetën, duke na rrethuar në mbarë botën, nga kriza ekologjike te luftërat e te padrejtësitë kundër të varfërve dhe të pambrojturve, i kanë rrënjët në refuzimin e faktit se i përkasim Zotit dhe njëri-tjetrit”. Kisha, vëren Papa, na ndihmon në shumë mënyra për ta kapërcyer këtë tundim. Njëra prej tyre është pikërisht praktika e ushtrimeve shpirtërore e ato të Shën Injacit të Lojolës janë më se të njohura e të përdorura gjerësisht jo vetëm nga jezuitët, që e kanë për themelues.

Ushtrimet shpirtërore nuk janë pushime

Papa Françesku denoncon faktin se ushtrimet shpirtërore përdoren nganjëherë për “të karikuar bateritë”, por ato nuk janë pushime. “Ushtrimet shpirtërore – shkruan Ati i Shenjtë – janë kohë, gjatë së cilës Krijuesi u flet drejtpërdrejt krijesave të tij, duke ua ndezur shpirtrat me ‘dashuri dhe lavd’, në mënyrë që t'i shërbejnë më mirë Zotit në të ardhmen, siç thotë Shën Injaci. Dashuria dhe shërbimi: këto janë dy temat e mëdha të ushtrimeve shpirtërore. Jezusi del për të na takuar, duke i thyer zinxhirët tanë, që të ecim me të si dishepuj dhe shokë udhe”.

Jezusi na shpëton me dashuri

Më tej, Papa reflekton mbi rezultatet e ushtrimeve shpirtërore, duke përmendur episodin e Jezu Krishtit, që shëron të paralizuarin, treguar në kreun 5 të Ungjillit sipas Gjonit. I jep urdhër të ngrihet e të ecë. “Është urdhër, që duhet zbatuar – vëren Françesku – e, njëkohësisht, është ftesa më e butë dhe më e dashur”. Në ushtrimet shpirtërore shkojmë si paralitiku, nënvizoi Papa, por nëse ia hapim zemrën Jezu Krishtit, duke i kërkuar ndihmë, pa menduar se mund të zgjidhim gjithçka vetë, Ai i Lumi na shëron e kështu, jemi në gjendje të ecim sërish në jetë, me hirin e Tij, duke u bërë dishepuj të Tij e duke vepruar në botë sipas logjikës së dashurisë pa interes.

I përkasim “së pari” Zotit

“Si Papë, - vijon Ati i Shenjtë - kam dashur gjithnjë ta inkurajoj faktin se i përkasim “së pari” Zotit dhe, më pas, krijimit e njerëzve të tjerë, veçanërisht atyre që na kërkojnë ndihmë. Për këtë arsye, kam pasur gjithnjë parasysh dy krizat e mëdha të epokës sonë: shkatërrimin e shtëpisë sonë të përbashkët, si edhe migrimin e shpërnguljen masive të njerëzve. Të dyja janë simptoma të "krizës së mospërkatësisë", përshkruar në faqet e librit”. Aspekti tjetër, sipas Françeskut, është zbulimi i sinodalitetit, sepse kur Kisha dëgjon Shpirtin Shenjt, që i flet përmes Popullit të Zotit, mundet më të vërtetë të ndërtojë Mbretërinë e Hyjit.

S’është koha për t'u ngujuar dhe për t’i mbyllur dyert

Duke lavdëruar punën e bërë nga autori i librit, Austen Ivereigh, i cili paraqet në një këndvështrim bashkëkohor ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit të Lojlës, predikuar nga vetë Papa, Françesku e përfundon parathënien me fjalët:

 “Kjo nuk është kohë për t'u ngujuar dhe për t’i mbyllur dyert. E shoh qartë se Zoti po na bën thirrje të dalim nga vetvetja, të çohemi dhe të ecim. Ai na kërkon të mos kthejmë kokën para dhimbjeve dhe lotëve të epokës sonë, por të hyjmë në to, duke hapur kanale për hirin e Tij”. Çdo i krishterë mund ta bëjë këtë, sidomos pas ushtrimeve shpirtërore, që e ndihmojnë secilin “ta dëgjojë thirrjen e Zotit për t'u bërë burim jete, shprese dhe hiri për të tjerët, duke zbuluar kështu gëzimin e vërtetë të jetës personale”. Së fundi, Papa kërkon lutje për atë vetë, që t’i ndihmojë të krishterët për t’i përkitur së pari Zotit, siç kërkon titulli i librit të Austen Ivereigh.

13 shkurt 2024, 10:52