Pagëzimi Pagëzimi  (Nadiia Koval)

Për vlefshmërinë e Sakramenteve, “formula dhe lënda nuk mund të ndryshohen"

Përballë përsëritjes së shpërdorimeve liturgjike, me Notën "Gestis verbisque" Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë ripohon se fjalët dhe elementet e vendosura në ritin themelor të çdo Sakramenti nuk mund të ndryshohen, sepse në këtë rast sakramenti nuk ekziston.

R. SH. - Vatikan

Titullohet Gestis verbisque Letra zyrtare e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, botuar të shtunën, më 3 shkurt 2024. Tekst i diskutuar dhe i miratuar nga kardinajtë dhe ipeshkvijtë anëtarë në Plenaren e fundit të Dikasterit dhe, prej këndej, i miratuar nga Papa Françesku, me të cilin ritheksohet se formulat dhe elementet materiale të vendosura në ritin themelor të Sakramentit, nuk mund të ndryshohen sipas dëshirës, në emër të krijimtarisë. Duke vepruar kështu, vetë Sakramenti e humb vlerën, domethënë, nuk është kremtuar.

Paraqitja e Kardinalit Fernandez

Në paraqitjen e dokumentit, kardinali Victor Fernández, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, shpjegon gjenezën e tij, domethënë "shumimin e situatave në të cilat u bë e detyrueshme të konstatohej pavlefshmëria e sakramenteve të kremtuara", me modifikime që "çuan, më pas në kërkimin e njerëzve të pranishëm, për të përsëritur ritin e pagëzimit ose të krezmimit, ndërsa një numër i konsiderueshëm besimtarësh shprehën, me të drejtë, shqetësimin e tyre”.

Citohen, si shembull, ndryshimet në Formulën e Pagëzimit. Për shembull: "Unë po të pagëzoj në emër të Krijuesit..."; ose "Në emër të babait dhe të nënës... ne po të pagëzojmë". Rrethana që kanë të bëjnë edhe me disa priftërinj, të cilët "duke qenë të pagëzuar me formula të këtij lloji, zbuluan me dhimbje pavlefshmërinë e shugurimit të tyre dhe të sakramenteve të kremtuara deri në atë çast".

“Ndërsa në fusha të tjera të veprimit baritor të Kishës ka hapësirë ​​të bollshme për krijimtari” - shpjegon Kardinali Fernández - në kuadrin e kremtimit të Sakramenteve kjo shndërrohet në “vullnet manipulues”. Hirësia tij Fernández përfundon duke kujtuar: "Ne, shërbëtorëve, na kërkohet forca e kapërcimit të tundimin për t'u ndjerë si pronarë të Kishës. Nga ana tjetër, besimtarët kanë të drejtën t'i pranojnë ashtu siç i ka Kisha".

Përparësi veprimi sipas Zotit

«Me ngjarje dhe fjalë që lidhen ngusht - lexojmë në Notën Doktrinore – Hyji zbulon dhe zbaton planin e tij të shëlbimit për çdo burrë e çdo grua». Fatkeqësisht, "duhet theksuar se kremtimi liturgjik, veçanërisht ai i sakramenteve, nuk zhvillohet gjithmonë me besnikëri të plotë ndaj riteve të përcaktuara nga Kisha". Dokumenti kujton se «Kisha, që nga origjina, u kujdes veçanërisht për burimet nga të cilat thithë limfën jetike për jetën dhe për dëshminë e saj: për Fjalën e Zotit, të vërtetuar nga Shkrimet e Shenjta dhe nga Tradita, e për Sakramentet, e kremtuara në liturgji, përmes të cilave rikujtohet vazhdimisht misteri i Pashkëve të Krishtit”.

Për këtë arsye, ndërhyrjet e Magjisterit në çështjet sakramentale «kanë qenë gjithmonë të motivuara nga shqetësimi themelor i besnikërisë ndaj misterit që kremtohet. Kisha e ka për detyrë të sigurojë përparësinë e veprimit të Zotit dhe të ruajë unitetin e Trupit të Krishtit në ato veprime që nuk kanë të ngjashme, sepse janë të shenjta, me forcë të garantuar nga veprimi meshtarak i Krishtit".

Kisha është  «e vetëdijshme se të administrosh hirin e Zotit nuk do të thotë ta përvetësosh atë, por të bëhesh mjet i Shpirtit Shenjt për ta transmetuar dhuratën e Pashkës së Krishtit. Ajo e di, veçanërisht, se pushteti i saj lidhur me sakramentet ndalet para përmbajtjes së tyre" dhe se "në gjestet sakramentale duhet të ruajë gjestet shëlbuese, që ia besoi Jezusi".

Materia dhe forma

Prandaj, Nota shpjegon se “materia e sakramentit qëndron në veprimin njerëzor nëpërmjet të cilit vepron Krishti. Ndonjëherë në të është i pranishëm një element material (ujë, bukë, verë, vaj), herë të tjera një gjest veçanërisht i dukshëm (shenja e kryqit, vendosja e duarve, zhytja, infuzioni, pranimi, vajosja)". Një trupëzim "i domosdoshëm sepse e rrënjos Sakramentin jo vetëm në historinë njerëzore, por edhe më fort, në rendin simbolik të Krijimit dhe e çon atë përsëri në misterin e Mishërimit të Fjalës së Hyjit dhe Shëlbimit të sjellë prej Zotit".

Përsa i përket formës së Sakramentit, «përbëhet nga fjala, e cila i jep kuptim transcendent materies, duke shpërfytyruar kuptimin e zakonshëm të elementit material dhe kuptimin thjesht njerëzor të veprimit të kryer. Kjo fjalë frymëzohet gjithnjë në shkallë të ndryshme nga Shkrimi Shenjt, i ka rrënjët në Traditën e gjallë kishtare dhe përcaktohet me autoritet nga Magjisteri i Kishës". Prandaj, materia dhe forma "kurrë nuk janë varur dhe nuk mund të varen nga vullneti i një individi të vetëm apo i bashkësisë së vetme".

Nuk mund të ndryshohet

Dokumenti ripohon se "për të gjitha Sakramentet, në çdo rast, respektimi i materies dhe formës është kërkuar gjithmonë për vlefshmërinë e kremtimit, me vetëdijen se modifikimet arbitrare të njërit a tjetrit i  dëmtojnë dukshëm besimtarët”. Ajo që lexohet në librat liturgjikë të shpallur duhet të respektohet me besnikëri pa “u shtuar, pa u hequr e pa u ndryshuar asgjë”. Mbasi nëse fjalët ose çështja ndryshohen, nuk mund të bëhet fjalë për sakrament, sepse nuk është aty.

Në këtë drejtim, në shënimin 31 të dokumentit, bëhet një dallim domethënës ndërmjet ligjshmërisë dhe vlefshmërisë, duke shpjeguar se "çdo modifikim i formulës së një sakramenti është gjithmonë akt seriozisht i paligjshëm" edhe nëse është diçka e parëndësishme, që nuk e ndryshon kuptimin origjinal dhe nuk e bën të pavlefshëm. Ndryshimi i elementeve themelore për kremtimin e sakramentit sjell edhe "dyshim për qëllimin e vërtetë të shërbëtorit, duke zhvlerësuar vlefshmërinë e sakramentit të kremtuar".

Arti i kremtimit

Liturgjia lejon varietetin që ruan Kishën nga "uniformiteti i ngurtë", siç thuhet në Kushtetutën e Koncilit të Dytë të Vatikanit Sacrosanctum Concilium. Por kjo shumëllojshmëri dhe krijimtari, që favorizon më shumë kuptueshmërinë e ritit dhe pjesëmarrjen aktive të besimtarëve, nuk ka të bëjë me çka është themelore në kremtimin e sakramenteve. “Duket gjithnjë e më urgjent – thotë Nota e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë– krijimi i një arti festimi i cili, duke ruajtur distancën si nga  rubricizmi i ngurtë, ashtu edhe nga imagjinata e padisiplinuar, të çon në një disiplinë që duhet respektuar, pikërisht për të qenë dishepuj të vërtetë.

Në tekst citohet ky mendim i Papës Françesku: «Nuk është fjala për të ndjekur etiketën liturgjike: është më tepër «disiplinë» - në kuptimin e përdorur nga Romano Guardini - e cila, nëse vërehet vërtetësisht, na formon: janë gjeste dhe fjalë që venë rregull në botën tonë të brendshme, duke na bërë të jetojmë ndjenja, qëndrime dhe sjellje. Nuk janë kumtim i një ideali nga i cili përpiqemi të frymëzohemi, por veprim, që e përfshin trupin në tërësinë e tij, domethënë që i bën shpirt e trup një gjë e vetme.

Të ruhet pasuria e sakramenteve

"Ne... e kemi këtë thesar në enë balte, që të duket se kjo fuqi e jashtëzakonshme i përket Hyjit dhe nuk vjen nga ne" (2 Kor 4,7). Në përfundim, dokumenti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë citon fjalët e Shën Palit, një antitezë e përdorur “për të nënvizuar sesi madhështia e fuqisë së Zotit zbulohet përmes dobësisë së shërbesës së tij si kumtues dhe gjithashtu përshkruan mirë atë që ndodh në Sakramentet”. E gjithë Kisha është e thirrur të ruajë pasurinë që përmbajnë, në mënyrë që përparësia e veprimit shëlbues të Zotit në histori të mos errësohet kurrë, qoftë edhe në ndërmjetësimin e brishtë të shenjave dhe gjesteve tipike për natyrën njerëzore”. 

03 shkurt 2024, 15:53