Kërko

Papa priti Presidentin Milei, kriza ekonomike dhe paqja në qendër të bisedimeve

Pas përshëndetjes e përqafimit të djeshëm në Bazilikën e Vatikanit, në mbarim të kanonizimit të Mama Antulës, kreu i shtetit u prit sot nga Papa në Pallatin Apostolik. Dialog konfidencial, shaka, shkëmbim dhuratash, duke përfshirë, nga ana e presidentit, ëmbëlsirat tipike argjentinase. Më pas biseda me kardinalin Parolin dhe imzotin Gallagher në Sekretarinë e Shtetit mbi programin e qeverisë për të luftuar krizën ekonomike në vendin e Amerikës së Jugut, konfliktet e vazhdueshme dhe për paqe

R.SH. / Vatikan

Kriza ekonomike në Argjentinë dhe angazhimi për paqen ishin ndërmjet temave më të trajtuara nga Papa Françesku në audiencën e sotme me presidentin argjentinas Javier Milei. Takimi i parë ishte dje, e diel 11 shkurt, para dhe pas Meshës për shenjtërimin, në Shën Pjetër, të shenjtores së parë argjentinase, Mama Antula, themeluese e shtëpisë së ushtrimeve shpirtërore në Buenos Ájres, mbrojtëse e të varfërve dhe të padëshiruarve. Javier Milei, prej dhjetorit 2023 president i Argjentinës, vendlindja e Jorge Mario Bergoglio, ishte sot paradite, 12 dhjetor, në Vatikan në audiencë private me Françeskun të cilit i dhuroi edhe ëmbëlsira tipike argjentinase, si alfajores, biskota të mbushura me çokollatë dhe dulce de leche, një pjatë tipike argjentinase e vlerësuar shumë nga Papa.

Biedë miqësore

Takimi nisi me ndonjë batutë të këndshme, pasuar nga të qeshura, pastaj Papa tha: "Është kënaqësi". “Sot më shumë se kurrë”, u përgjigj presidenti. I sotmi ishte takimi i parë zyrtar i Ipeshkvit të Romës me presidentin, ekonomist liberal dhe lider i koalicionit “La libertad avanza”. I shoqëruar nga një delegacion prej gjashtë personash (përfshirë rabinin Axel Wahnish, i caktuar si ambasadori i ri i Argjentinës në Izrael), Milei ndodhet në Romë që nga e shtuna.

Biseda në Bibliotekën e Pallatit Apostolik të Vatikanit

Shkëmbimi i dhuratave

Biseda e mëngjesit të sotëm me dyer të mbyllura me Papën, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, zgjati rreth një orë, nga ora 9 deri në 10, për të përfunduar me një përshëndetje për delegacionin, një foto në grup dhe shkëmbimin tradicional të dhuratave.

Presidenti i dhuroi Papës, përveç ëmbëlsirave të lartpërmendura, edhe një dosje me një kopje të letrës së shkruar me dorë nga kancelarja José Maria Gutierrez drejtuar Juan Bautista Alberdi-t, i cili e akrediton atë si Encargado de Negocios, përfaqësues në Evropë pranë Papës (maj 1854). dhe kartolina përkujtimore e Mama Antulës, që shpërndau posta argjentinase me rastin e lumnimit të saj, në gusht 2017.

Papa Françesku iu përgjigj me vëllime dokumentesh papnore, Mesazhin për Paqe të vitit 2024 dhe librin mbi Statio Orbis në Sheshin e Shën Pjetrit. Së bashku me këto, një medalion bronzi i frymëzuar nga Baldakini i Shën Pjetrit i cili, lexojmë në  të - "të kujton pamjen e qiellit, pasqyruar brenda kupolës së Baldakinit. Ky detaj përfaqëson harmoninë ndërmjet njerëzores dhe hyjnores, duke bashkuar qiellin dhe tokën në një pamje të vetme".

 

Milei bisedon me Sekretarin e Shtetit, imzot Pietro Parolin

Bisedë në Sekretarin e Shtetit për luftimin e krizës ekonomike dhe paqen ndërmjet kombeve

Takimi me Papën u pasua nga një tjetër, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me kardinalin Pietro Parolin dhe kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. “Bisedime të përzemërta” - njofton Salla e Shtypit e Vatikanit - në qendër të diskutimit, “kënaqësia për marrëdhëniet e mira” ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Argjentinës dhe “dëshira për t'i forcuar më tej”. “Më pas u vijua me programin e qeverisë së re për të luftuar krizën ekonomike” - shkruhet në shënim - “Në vijim të bisedës u prekën disa çështje të natyrës ndërkombëtare, veçanërisht konfliktet e vazhdueshme dhe përkushtimi për paqen ndërmjet kombeve”.

12 shkurt 2024, 14:27