Rabinët dhe studiuesit falënderojnë Papën: mbolli miqësi, ku kishte rivalitet
R. SH. - Vatikan
“Përpjekja e Kishës për të kultivuar mirëkuptimin, aty ku dikur kishte rivalitet; miqësinë, aty ku dikur kishte armiqësi dhe simpatinë, ku dikur kishte përbuzje, i shndërroi bashkësitë tona dhe la gjurmë të qëndrueshme në historitë tona. Në letrën tuaj, Shenjtëri, gjejmë konfirmimin e këtij angazhimi, i cili ka më shumë rëndësi në këtë kohë, kur pasiguria kërcënon edhe marrëdhëniet e krijuara prej shumë dekadash”. Ky, fragmenti kryesor i një letre dërguar Papës Françesku nga disa rabinë dhe studiues të dialogut hebraiko-kristian, nënshkruar nga rabinët Jehoshua Ahrens (Frankfurt/Bern), Yitz Greenberg (Jerusalem/Nju Jork), David Meyer (Paris/Romë), si dhe Karma Ben Johanan (Jerusalem) e Malka Zeiger Simkovich (Chicago).
I njëjti grup i pati shkruar Atit të Shenjtë, nëntorin e kaluar, për t’i kërkuar përtëritjen e afërsisë së hebrenjve me të krishterët pas masakrës së 7 tetorit dhe ringjalljes së antisemitizmit dhe anti-judaizmit në vise të ndryshme të botës.
Papa Françesku iu përgjigj, më 2 shkurt, me letrën drejtuar "vëllezërve dhe motrave hebrenj të Izraelit", duke i siguruar për solidaritetin e gjithë Kishës me popullin hebre dhe në të njëjtën kohë bëri thirrje për paqëtimin e shpejtë të popujve të çdo etnie e konfesioni fetar, që banojnë në Tokën e Shenjtë.
Dje mbërriti ky tekst i ri i studiuesve hebrenj, që vlerëson lart fjalët e Papës. “Na ngushëllon fakti që ju ua zgjatët dorën hebrenjve në të gjithë botën, e veçanërisht atyre të Izraelit, në këtë çast vuajtjeje të madhe” - shkruajnë ata, duke vlerësuar “edhe angazhimin për t’iu kundërvënë në mënyrë aktive antisemitizmit dhe anti-judaizmit, që kohët e fundit ka marrë përmasa të panjohura nga shumica prej nesh, gjatë gjithë jetës sonë”.
“Fjalët që vijnë nga zemra, hyjnë në zemër” - shkruajnë ata me mirënjohje, duke cituar rabinin Moshe Ibn Ezra. E vazhdojnë: “Po jetojmë në një çast historik, që kërkon këmbëngulje, shpresë dhe guxim. Fuqia shndërruese e Nostra Aetate është frymëzim për ne, pasi tregon se vëllazëria mund të rikthehet edhe në konfliktin më të vështirë". Për këtë arsye - përfundojnë - "bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona katolikë në bindjen e tyre se fetë mund të jenë forca krijuese për të hapur shtigje, që përndryshe do të mbeteshin të mbyllura".
Profesor Karma Ben Johanan, koordinator i grupit të nënshkruesve, pohoi për «L'Osservatore Romano»: “Ne e mirëpritëm letrën e Papës si ftesë për të thelluar dialogun ndërmjet bashkësive tona. Kaluan pothuajse 60 vjet që kur Koncili II i Vatikanit nisi një epokë të re në marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve. Sot ne duhet t’i përtrijmë marrëdhëniet përmes trazirave të kësaj kohe të trishtë. Pavarësisht tensioneve aktuale, jemi të bindur se marrëdhëniet tona janë mjaft të forta për t'i kapërcyer dhe për të ecur përpara, ndonëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë”.
Letra përfundon duke kujtuar se "dhimbja e banorëve të kësaj toke, qofshin hebrenj, të krishterë, myslimanë apo të tjerë, ndikon mbi jetën dhe të ardhmen tonë" dhe "ne bashkohemi me ju, Atë i Shenjtë, në lutjet për paqe, për fundin e terrorit, për shërimin e të plagosurve e për ngushëllimin e të gjithë atyre që vuajnë e vajtojnë".