Papa: Kisha për udhë, meshtarë e laikë, punëtorë kantieri në ndërtim
R. SH. - Vatikan
Formimi i meshtarit, jo vetëm teologjik, por edhe njerëzor dhe emocional, ishte në qendër të fjalës së Françeskut drejtuar bashkësisë së Seminarit ipeshkvnor të Napolit, që dëshironte ta takonte në 90-vjetorin e inaugurimit të tij. Duke e takuar në Sallën Klementine, Papa kujtoi edhe praninë e disa çifteve të martuara të përfshira në formim, mbasi - pohoi - meshtarët kanë nevojë edhe për ndihmesën e atyre, që zgjodhën udhën e martesës”.
Rruga sinodale na mëson të dëgjojmë Shpirtin Shenjt
Fjalët e para drejtuar seminaristëve ishin mirënjohje “për përgjigjen që i dhanë thirrjes së Zotit dhe gatishmërinë e tyre në shërbim të Kishës së tij". Nuk mungoi as inkurajimi për të ruajtur entuziazmin dhe përkushtimin në dëgjimin e Shpirtit Shenjt, çdo ditë. Stërvitja - nënvizoi Ati i Shenjtë - nuk përfundon kurrë, sepse i ngjan një “kantieri ndërtimi”, që është gjithmonë i hapur. Kështu është, pikë së pari, Kisha: vazhdimisht në lëvizje, e hapur ndaj risisë së Shpirtit, në kapërcim të tundimit për të ruajtur veten dhe interesat e veta", e përqendruar në çka është themelore, domethënë, në shpalljen e Ungjillit.
“Këtë na mëson rruga sinodale, këtë na kërkon, pa kompromis: dëgjimin e Shpirtit dhe të njerëzve të kohës sonë; por këtë kërkon edhe prej jush: të jeni shërbëtorë - që do të thotë ministra - të cilët dinë të përvetësojnë stilin e dallimit baritor në çdo situatë, me vetëdijen se të gjithë ne, meshtarë dhe laikë, jemi për udhë drejt përsosurisë e edhe punëtorë të një kantieri në ndërtim”.
Mos kujtoni asnjëherë se arritët
Ne nuk mund t'u ofrojmë burrave dhe grave "përgjigje monolite dhe të para-paketuara" - vërejti Françesku - themelore është të kumtojmë mëshirën e Zotit me afërsi e "artin e dallimit" me delikatesë. Madje, edhe rruga e formimit meshtarak është kantier ndërtimi, ku të gjithë "janë thirrur të vihen në shërbim të së vërtetës", duke e lënë "Zotin të veprojë" në jetën e tyre. E Papa vazhdoi:
“Ashtu si në një kantier ndërtimi, Shpirti Shenjt do të vijë fillimisht për të shkatërruar ato aspekte, ato besime, atë stil dhe madje ato ide të paqëndrueshme rreth fesë dhe shërbesës, që ju pengojnë të rriteni sipas Ungjillit; atëherë i njëjti Shpirt, pasi të ketë pastruar falsitetet e brendshme, do t'ju japë një zemër të re, do ta ndërtojë jetën tuaj sipas stilit të Jezusit, do t'ju ndihmojë të bëheni krijesa të reja dhe dishepuj misionarë”.
Papa i ftoi seminaristët t’i dorëzohen pa frikë veprimit të Shpirtit Shenjt, të mos ngurosen, të zbulojnë butësinë e Zotit, në dobësitë e tyre "duke kultivuar jetën e brendshme, duke medituar Fjalën", duke thelluar teologjikisht studimet dhe problemet baritore. E duke punuar edhe për të arritur pjekurinë emocionale e njerëzore. “Pa të nuk mund të shkosh asgjëkundi!” - vërejti më tej Françesku.
Risitë e udhës së formimit meshtarak
“Kantier” është edhe të përfytyrosh rrugën e formimit meshtarak për të cilin sot “vijon procesi”, i cili parashikon udhë të reja, fitore të reja. "Provohen përvoja të reja baritore dhe misionare, hamendësohen kohë ndërprerjeje të udhës, për të inkurajuar pjekurinë vetjake” kujtoi Papa, për të vërejtur më pas:
“Gjë e bukur t’i mirëpresim dhe t’i vlerësojmë këto zhvillime të reja, duke i përjetuar si mundësi për hir dhe shërbim, e duke e perceptuar ndër to praninë e Zotit”.
Meshtarë të aftë për t'iu dhuruar të tjerëve dhe të varfërve
Në Kohën e Kreshmëve, që sapo ka filluar e që kërkon pendesë e përtëritje, Papa u kërkoi seminaristëve të mësojnë "një mënyrë jetese" që t'i ndihmojë të bëhen priftërinj "të aftë për t'iu dhuruar të tjerëve dhe për të qenë të vëmendshëm ndaj më të varfërve", duke rizbuluar, për shembull, shijen e maturisë. E, në vijim, porosia:
“Mos t’ju mashtrojë kulti i figurës dhe i dukjes, por kujdesuni për jetën tuaj shpirtërore; kujdesuni për drejtësinë dhe krijimin, tema aktuale dhe të ndezura në tokën tuaj, e cila në këtë kuptim pret fjalë të guximshme dhe shenja profetike nga Kisha; duke jetuar në paqe dhe harmoni, duke kapërcyer ndarjet dhe duke mësuar të jetoni në vëllazëri me përvujtëri”.
"Vëllazëria - përfundoi Françesku - është, veçanërisht sot, një nga dëshmitë më të mëdha që mund t'i ofrojmë botës".