Kërko

Skena rrënimi në  Kostyantynivka, Ukrainë Skena rrënimi në Kostyantynivka, Ukrainë 

Ukraina, Papa: të gjindet pak humanizëm për zgjidhje diplomatike

Në përvjetorin e dytë të agresionit rus mbi vendin e "martirizuar", Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit të Zotit shpreh dhimbje dhe afërsi për popullsinë që vuan "nga një konflikt tmerrësisht i gjatë, të cilit nuk po i duket fundi". “Është luftë që po shkatërron jo vetëm atë zonë të Evropës, por po përhap edhe një valë globale frike dhe urrejtjeje”, kujton Papa, duke na ftuar të mos harrojmë dhunën në Tokën Shenjte dhe në vende të tjera: “Të mendojmë fëmijët e pafajshëm të plagosur"

R. SH. - Vatikan

Dy vjet, njëzet e katër muaj, 730 ditë sulmesh, bombardimesh, raketash, dronësh, ndërtesash, shtëpish dhe kishash të shkatërruara, qytetesh të rrafshuara me tokë, jetësh të rrënuara, familjesh të shpërndara, vuajtjesh. Dhimbjes kolektive për një luftë, atë të Ukrainës, që ka mbushur dy vjetorin e megjithatë nuk i duket fundi, i shtohet edhe ajo e Papës, i cili në përfundim të lutjes së Engjëllit shprehu afërsinë me këtë tokë, që e quan “të martirizuar” duke kërkuar gjindet “ai pak humanitet” si shtytje drejt zgjidhjes diplomatike për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”:

“Sa viktima, shkatërrim, plagosje, ankth, lot në një periudhë që po bëhet tmerrësisht e gjatë e së cilës ende nuk i duket fundi”

 E deri kur?

 Pas dy vjetësh lufte në Ukrainë, pas bombardimeve dhe vuajtjeve, ne pyesim veten se çfarë duhet të ndodhë ende, që agresioni të ndalet dhe të ulemi rreth një tavoline për  t’i dhënë fund?

Rrugëgjidhje diplomatike për paqen

Françesku, nga dritarja e Pallatit Apostolik, bën thirrje për t'i dhënë fund këtij konflikti brutal i cili, kujton, "jo vetëm që po shkatërron atë zonë të Evropës, por po lëshon edhe një valë globale frike dhe urrejtjeje". Papa përdor superlativat që të nënvizojë "dashurinë e tij të thellë" për "popullin e torturuar ukrainas" dhe për të siguruar lutjet "për viktimat e shumta të pafajshme". Më pas, përballë një sheshi ku valojnë flamuj me fjalën "Paqe", ai i drejton lutjen Zotit dhe atyre që kanë role me përgjegjësi në këtë tokë:

“Lutem që të gjendet ajo thërrime humanizmi, që na lejon të krijojmë kushtet për një zgjidhje diplomatike në kërkim të paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.

Mos i harroni konfliktet në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën

Fjalët e Papës arrijnë pasi orët e fundit raketat S-300 ranë mbi qytetin e Kostiantynivka, duke shkatërruar ndërtesa, apartamente, shkolla, dyqane, kishë dhe stacionin e trenit. Pak para mbrojtja ajrore e Kievit njoftoi përmes Telegramit rrëzimin e gjashtëmbëdhjetë dronëve të nisur mbi kryeqytet dhe qytete të tjera si Mykolaiv, Poltava, Zaporizhzhia dhe rajoni Kherson. Ushtria ukrainase mori edhe përgjegjësinë për vrasjen e 810 ushtarëve rusë në njëzet e katër orë. Gjurmë gjaku dhe shkatërrimi, që Papa shpreson se së shpejti do të marrë fund. Jo vetëm në Ukrainë, por në të gjitha  zonat e botës të plagosur nga lufta:

“Të mos harrojmë të lutemi edhe për Palestinën, për Izraelin dhe për shumë popuj të copëtuar nga lufta dhe  t’i ndihmojmë konkretisht, ata që vuajnë. Të mendojmë për kaq shumë vuajtje, të mendojmë për fëmijët e plagosur, të pafajshëm...”.

25 shkurt 2024, 13:27