Zjarri në Valencia Zjarri në Valencia 

Zjarri në Valencia, ngushëllimet e Papës: pranë familjeve të viktimave

Telegram ngushëllimi i Françeskut, nënshkruar nga Kardinali Parolin, drejtuar Kryeipeshkvit Benavent. Papa siguron lutje për gjithë të prekurit nga zjarri që shkatërroi pothuajse tërësisht dje një kompleks banimi 14 katësh. Deri tani numërohen katër viktima si dhe disa të plagosur e të zhdukur

R. SH. - Vatikan

Dhimbje dhe afërsi me familjet e viktimave dhe me të plagosurit e të zhdukurit. Këto, ndjenjat e shprehura nga Papa Françesku në një telegram ngushëllimi për të prekurit dje, e enjte, 22 shkurt, nga zjarri që shkatërroi pothuajse plotësisht kompleksin e banimi 14-katësh në lagjen Campanar të Valencias, Spanjë. Telegrami, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i drejtohet Kryeipeshkvit të Valencias, Enrique Benavent Vidal.

Në Valencia, zjarri shkatërron një kompleks banimi

Në mesazh, Papa siguron se e ndjek “me kujdes” lajmin e zjarrit të tmerrshëm që shkaktoi një fatkeqësi të përmasave të mëdha e, sidomos, disa humbje njerëzore Ndërkohë që bëhen përpjekje të kuptohet çfarë  e shkaktoi zjarrin, deri tani numrohen katër të vdekur, të pikasur mbrëmë nga dronët e Brigadës Zjarrfikëse, ndërsa të paktën 15 vetë janë të zhdukur  a të lënduar.

Lutje Pajtores Nuestra Señora de desamparados

Papa, lexojmë në telegram, "ia beson shpirtrat e të vdekurve Mëshirës Hyjnore" dhe "siguron afërsinë e tij shpirtërore me popullin valencias e me të gjitha familjet e të prekurve", për të cilët "i lutet Zotit t'i japë forcë në këtë çast dhimbjeje”. Françesku lutet edhe për ata, që tani janë të angazhuar "në shuarjen e flakëve dhe në punë kërkimore". Së fundi, Papa i lutet "për ndërmjetësim Nuestra Señora de desamparados", Virgjërës të të braktisurve, Pajtores së Valencias dhe Shën Jozefit; pastaj u jep të gjithëve “bekimin ngushëllues” apostolik, si shenjë “shprese në Krishtin e ngjallur”.

Dinamika e zjarrit

Zjarri në pallat shpërtheu dje, rreth orës 17:30, nga kati i tetë. Flakët u përhapën me shumë shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke u shtrirë edhe në godinën ngjitur. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke punuar pa u lodhur për t’i shuar. Pasi hyrja në strukturë qe e pakapërcyeshme për orë të tëra, për shkak të rrezikut të shembjeve të mundshme, struktura e kullës me 14 kate u bë e sigurt; më pas në ndërtesë hynë Policia e Mjekësisë Ligjore dhe Brigada e Zjarrfikësve. Kështu bëri të ditur në një deklaratë për gazetarët këshilltarja rajonale për drejtësi, Elisa Nunez, duke kujtuar edhe mobilizimin e “katër ekipeve të mjekëve ligjorë dhe të katër deri në tetë ekipeve për kryerjen e testeve autopsike” dhe përshpejtimin e identifikimit të viktimave.

23 shkurt 2024, 16:08