Gesù Cristo nel deserto tentato dal diavolo , domenica di quaresiam Gesù Cristo nel deserto tentato dal diavolo , domenica di quaresiam

Fjalët e Papëve për djallin, armik dinak, që ekziston me të vërtetë

Në këtë stinë kreshmore propozojmë sërish disa fjalë të Papëve mbi realitetin e djallit, “tunduesit” që “e mbushi tokën përplot me urrejtje”. Armik, me të cilin nuk ka dialog, por vetëm luftë me “armët shpirtërore” të fesë. «Magjepsës» i lig “e do, por nuk mund ta pengojë ndërtimin e mbretërisë së Zotit”

R.SH. / Vatikan

Kreshmët janë kohë kthese, pendese, pajtimi. Kohë e përshtatshme për të mirëpritur jetën e re, që lulëzon nga Pashkët. Çast i favorshëm për të ndërmarrë udhëtime feje edhe duke kaluar nëpër shkretëtirat plot zbrazëti dhe pasiguri e duke hedhur poshtë tundimet dhe mashtrimet e shejtanit. Papët kanë folur vazhdimisht për realitetin e djallit, "mëkatar që nga zanafilla" dhe "atë i gënjeshtrës".

Benedikti XVI: Jezusi e lë djallin ta tundojë dhe mbetet Biri i Zotit

Në Ungjillin e Markut lexojmë: "Shpirti Shenjt e çoi Jezusin në shkretëtirë, ku ndenji dyzet ditë, i tunduar nga Shejtani". Papa Benedikti XVI e kujtoi këtë faqe në Engjëllin e 1 marsit 2009. "Edhe në gjendjen e varfërisë dhe të përvujtërisë së skajshme, kur tundohet nga Shejtani, Jezusi mbetet Biri i Zotit, Mesia, Zoti”.

Benedikti XVI: Jezusi e lë shejtanin ta tundojë  

Në Tokën Shenjte, në perëndim të lumit Jordan dhe të oazës së Jerikos, ndodhet shkretëtira e Judesë, e cila shtrihet deri në Jerusalem përmes luginave gurore, duke kapërcyer një lartësi prej rreth njëmijë metrash. Pasi mori pagëzimin nga Gjoni, Jezusi hyri në atë vetmi i udhëhequr nga i njëjti Shpirt Shenjt, i cili kishte pushuar mbi Të, duke e shenjtëruar dhe duke e shpallur Bir i Perëndisë. Në shkretëtirë, një vend sprove, siç e tregon përvoja e njerëzve të Izraelit, duket me dramaticitet të plotë realiteti i kenosis, i zbrazjes së Krishtit, i cili u zhvesh nga forma e Perëndisë (shih Fil 2:6-7). Ai, që nuk ka mëkat dhe nuk mund të mëkatojë, i nënshtrohet sprovës dhe prandaj mund ta vuajë ligështinë tonë (shih Heb 4:15). Ndaj e lejon veten të tundohet nga Shejtani, kundërshtari, i cili që në fillim iu kundërvu planit të Perëndisë për shpëtimin e njerëzve.

Jezu Krishti i tunduar nga djalli, në shretëtirë
Jezu Krishti i tunduar nga djalli, në shretëtirë

Piu XII: i mallkuari pushton Tokën

Veprimet e shejtanit e korruptojnë njeriun, mbjellin urrejtje dhe luftë. Papa Piu XII, në një periudhë historike me plagët e Luftës së Dytë Botërore ende të hapura, i shqiptoi këto fjalë në mesazhin radiofonik të vitit 1953 drejtuar Veprimit Katolik Italian dhe e cilësoi dashurinë kundërhelm i vërtetë kundër "armikut të Zotit".

Piu XII: djalli ka pushtuar Tokën

Djalli ka pushtuar Tokën me urrejtje: bëjeni të rijetojë, të pamposhtur, dashurinë. Shumë janë ende të këqij, sepse nuk janë të dashur aq sa duhet deri tani. Gjallëroni gjithçka që bie nën ndikimin e rrezeve tuaja. Bëhuni, pra, si Maria dhe me Marinë, mjete jete në shpirtrat, që sot po vdesin nga të ftohtit dhe uria, por që mund të kthehen në shtëpinë e Atit, nëse do të prekeshin nga fjalët tuaja, të tërhequr nga shembulli juaj.

Pali VI: djalli është magjistar i keq

Djalli është "armiku numër një, është tunduesi “par excellence". Në audiencën e përgjithshme, më 15 nëntor 1972, Papa Pali VI kujtoi se një nga nevojat më të mëdha të Kishës "është mbrojtja nga ajo e keqe që ne e quajmë “djall". Përmes plasave të shumta, duke përfshirë "joshjet ideologjike", ky magjistar shqetësues, dinak dhe okult "mund të depërtojë lehtësisht dhe të ndryshojë mendësinë njerëzore".

Pali VI: djalli ekziston vërtet

E dimë kështu se kjo qenie e errët dhe shqetësuese ekziston me të vërtetë dhe se vepron ende me dinakëri të pabesë; është armik i fshehur që mbjell gabime dhe fatkeqësi në historinë njerëzore. (...) Ky do të ishte një kapitull shumë i rëndësishëm i doktrinës katolike për t'u ri-studuar për djallin dhe ndikimin që mund të ushtrojë mbi njerëzit e veçantë, si dhe mbi bashkësitë, mbi shoqëritë e tëra, ose mbi ngjarjet, ndërsa sot studiohet pak”.

Gjoni XXIII: djalli luftohet me fe

Në luftën kundër djallit, duhet të përdoren "armët shpirtërore". Këtë nënvizon Papa Gjon XXIII, në një çast historik të minuar nga Lufta e Ftohtë, në mesazhin radiofonik të vitit 1961 drejtuar mbarë botës "për harmoninë e njerëzve dhe qetësinë e familjes njerëzore".

Gjoni XXIII: armë shpirtërore kundër djallit

Nëse duam të ndjekim Shën Palin në paralajmërimet e tij - që kanë të bëjnë me qëndrimin kundër shpirtrave të këqij të shpërndarë në ajër - është interesant përshkrimi që ai na lë për çdo luftëtar të mirë, të vendosur,  në gatishmëri kundër kundërshtarit. «In omnibus perfecti stare: ngjishuni me të vërtetën; mbërtheni parzmoren e drejtësisë në gjoks, ruajini këmbët, që të mund të vrapojnë shpejt për fitoren e Ungjillit të paqes. Mbrojeni gjoksin me mburojën e fesë, përballë shigjetave e zjarrta të të ligut; merreni përkrenaren e Forcës dhe shpatën e Frymës që është fjala e Perëndisë". Një figuracion i tërë armësh shpirtërore, nëpërmjet të cilit, të dashur vëllezër dhe fëmijë, ju shini këshilla  që ju mësojnë si mund të jetë e si duhet të jetë, qëndrimi i të krishterit të mirë në çdo kohë, në çdo rrethanë e edhe përballë çdo ngjarjeje. Luftë shpirtërore që vjen nga i ligu dhe nga prirjet natyrore të padisiplinuara; por gjithmonë luftë:e gjithmonë një flakë e keqe që mund të depërtojë dhe të përmbysë gjithçka”.

Jezu Krishti i tunduar nga djalli, në shretëtirë
Jezu Krishti i tunduar nga djalli, në shretëtirë

Françesku: i mallkuari mbjell përçarje

Gjatë papnisë së tij, Papa Françesku na kujton vazhdimisht se "nuk duhet dialoguar kurrë me djallin". "Jezusi - nënvizoi Papa në audiencën e përgjithshme të 27 dhjetorit 2023 - nuk dialogoi kurrë me djallin, e përzuri gjithnjë. Kur u tundua në shkretëtirë, ai nuk dialogoi me të; u përgjigj me fjalët e Shkrimit Shenjt, me Fjalën e Zotit. E vetmja përgjigje e mundshme është Fjala e Zotit. Në homelinë, gjatë meshës së kryesuar më 11 tetor 2022 me rastin e 60-vjetorit të fillimit të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Françesku nënvizoi se “Bariu i mirë e shikon dhe e dëshiron grigjën e tij të bashkuar”.

Françesku: djalli mbjell përçarje

Koncili na kujton se Kisha, sipas shëmbëllimit të Trinisë, është bashkim. Ndërsa djalli dëshiron të mbjellë sherr e përçarje. Të mos dorëzohemi para lajkave të tij, të mos dorëzohemi para tundimit të polarizimit. Sa herë, pas Koncilit, të krishterët  punuan shumë për të zgjedhur një pjesë në Kishë, pa e kuptuar se po ia coptonin zemrën Nënës së tyre! Sa herë kemi dëshiruar të jemi “dashamirë të grupit tonë”, në vend që të bëhemi shërbëtorë të të gjithëve; përparimtarë dhe konservatorë, në vend të vëllezërve dhe motrave; “të djathtë” apo “të majtë” më mirë sesa me Jezusin; të paraqitemi si "ruajtës të së vërtetës" ose "solistë të risisë", në vend që  të pranojmë se jemi bij të përulur dhe mirënjohës të Kishës së Shenjtë Nënë . Zoti nuk na do kështu. Të gjithë jemi bij të Perëndisë, të gjithë jemi vëllezër në Kishë, të gjithë jemi Kishë, të gjithë. Ne jemi delet e tij, grigja e tij dhe jemi kështu vetëm së bashku, të bashkuar”.

Gjon Pali II: djalli nuk mund të pengojë mbretërinë e Perëndisë

Edhe pse i fuqishëm e dinak, djalli është veç një krijesë “e nënshtruar vullnetit dhe sundimit të Zotit”. Gjon Pali II, në audiencën e përgjithshme të 20 gushtit 1986, nënvizon se "historia e njerëzimit mund të konsiderohet në funksion të shpëtimit të plotë, në të cilin shkruhet fitorja e Krishtit".

Gjon Pali II: do të ngadhënjejë e mira

Nëse Shejtani vepron në botë nga urrejtja kundër Zotit dhe mbretërisë së tij, këtë e lejon vetë Provania hyjnore, e cila drejton historinë e njeriut dhe të botës me fuqi dhe mirësi ("fortiter et suaviter"). Nëse veprimi i Shejtanit  i shkakton shumë dëme - të natyrës shpirtërore dhe indirekt të natyrës fizike - individëve dhe shoqërisë, ai megjithatë nuk është në gjendje të anulojë qëllimin përfundimtar drejt të cilit synon njeriu dhe i gjithë krijimi, të Mirën.

Në fitoren e Krishtit mbi djallin", përfundon Papa Vojtila "merr pjesë Kisha. E edhe nëse historia tokësore vazhdon të shpërfytyrohet nga mashtrimet e djallit, çdo besimtar thirret të "luftojë për ngadhënjimin përfundimtar të së mirës".

03 mars 2024, 15:51