Konflikti në Ukrainë vazhdon... Konflikti në Ukrainë vazhdon...  (AFP or licensors)

Françesku: çarmatimi është detyrë morale

Në përfundim të Engjëllit, Papa i kërkoi "familjes së madhe të Kombeve" guximin për të "kaluar nga ekuilibri i frikës, në ekuilibrin e besimit".

R. SH. - Vatikan

Françesku, sapo e lexoi me zë të sforcuar nga bronkiti një faqe të gjatë për të kërkuar përsëri "mjaft më" për luftën që po e bën copa-copa Gazën” kur - duke e lidhur si gjithmonë konfliktin në Lindjen e Mesme me tragjedinë në "Ukrainën e martirizuar, ku çdo ditë vdesin shumë njerëz” dhe “ka shumë, tepër dhimbje” - shfrytëzoi përvjetorin e Ditës II ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për çarmatimin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore për të ripohuar, “jo”-në e tij pa përjashtim në garën për arsenalet:

“Sa shumë burime shkapërderdhen për shpenzime ushtarake të cilat, për shkak të situatës aktuale, fatkeqësisht vazhdojnë të rriten! Uroj që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë se çarmatimi, para së gjithash, është detyrë: çarmatimi është detyrë morale. Këtë ta ngulim mirë në kokë!”

Ekuilibri i besimit

Përveç kokës, Françesku i bëri thirrje edhe zemrës, duke treguar vlerën, mbi të cilën duhet të mbështet planeti, nëse synon të rizbulojë sigurinë e bazuar mbi harmoninë, e jo atë të brishtën, të kontrolluar nga armët. Kjo kërkon guximin e të gjithë anëtarëve të familjes së madhe të Kombeve, për të kaluar nga ekuilibri i frikës, në ekuilibrin e besimit.

Ndërmjet përshëndetjeve të grupeve e ndryshme të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa përshëndeti veçanërisht të rinjtë ukrainas, të mbledhur nga Bashkësia e Shën Egjidit në një takim me temën "Munde të keqen me të mirë. Lutja, të varfërit, paqja”.

“Të dashur të rinj - përfundoi Papa - faleminderit për angazhimin tuaj në ndihmë të atyre, që vuajnë më shumë nga lufta”.

03 mars 2024, 13:53