Papa priti pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare dhe ndëruniversitare "Gratë në Kishë: protagoniste te njerëzores" Papa priti pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare dhe ndëruniversitare "Gratë në Kishë: protagoniste te njerëzores"

Françesku: gratë kanë dhembshurinë, që i mungon botës së plagosur nga luftërat

Françesku pret pjesëmarrësit në konferencën "Gratë në Kishë: protagoniste te njerëzores” dhe thekson kontributin e madh, që japin në Kishë dhe në shoqëri gratë laike dhe murgeshat: roli i tyre duhet të vlerësohet. Kemi nevojë për formim, sepse aty ku mungon, lindin probleme serioze pabarazie dhe diskriminimi

R.SH. – Vatikan

Në kohën tonë, “plagosur nga urrejtja, kur njerëzimi, i etur për t’u ndjerë i dashur, shpesh kanoset nga dhuna, lufta dhe ideologjitë, që mbysin ndjenjat më të bukura të zemrës”, kontributi i femrës është i domosdoshëm, sepse gruaja, “me aftësinë e saj unike për dhembshuri, me intuitivitetin dhe me prirjen e saj të natyrshme për të 'kujdesur', di të japë dashuri atje ku nuk ka dhe "humanizëm aty ku njeriu lufton për të gjetur vetveten". Fjalët e Papës iu lexuan pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare dhe ndëruniversitare "Gratë në Kishë: protagoniste te njerëzores", pritur në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, nga një bashkëpunëtor i Atit të Shenjtë, të cilit Françesku ia dha fjalimin, pas një përshëndetjeje të shkurtër, në vështirësi, për shkak se ndihet ende i ftohur.

Shembujt e dhjetë shenjtoreve

Në fjalën e tij, Papa përmend dhjetë shenjtoret, të cilave u është kushtuar konferenca, që mblidhet çdo dy vjet, për të nxjerrë në pah e për të vlerësuar gjeninë femërore. Giuseppina Bakhita, Madalena e Jezusit, Elizabeth Ann Seton, Maria MacKillop, Laura Montoya, Kateri Tekakwitha, shenjtja shqiptare Nënë Tereza, Rafqa Pietra Choboq Ar-Rayès, Maria Beltrame Quattrocchi dhe Daphrose Mukasanga, personalitete "në kohë dhe kultura të ndryshme", kontribuan në ndryshimin e botës e në reforma të rëndësishme në Kishë e mund të shërbejnë si shembull jo vetëm për femrat. Kështu siç bënë edhe shumë gra të panjohura, ose të harruara, që mbështetën dhe transformuan familje e bashkësi me forcën e dëshmisë së tyre, nënvizon Papa. “Kisha ka nevojë për këtë, sepse Kisha është grua: bijë, nuse e nënë”, vë në dukje Ati i Shenjtë, i cili kërkon të gjenden rrugët, që “madhështia dhe roli i grave të vlerësohen më shumë nga Populli i Zotit”.

Rëndësia e edukimit

Më pas, Papa thekson rëndësinë e formimit të grave, të cilat shpesh diskriminohen, sidomos në ato vende ku u mohohet edhe shkollimi.

“Në botën, ku gratë ende vuajnë nga shumë dhunë, pabarazi, padrejtësi dhe keqtrajtim - dhe kjo është shkandulluese, aq më tepër për ata, që deklarojnë se besojnë në Zotin "e lindur nga një grua" - ka një formë të rëndë diskriminimi, lidhur pikërisht me formimin e grave. Vërtet, shumë kontekste kanë frikë nga gruaja, por rruga drejt shoqërive më të mira kalon pikërisht përmes arsimimit të vajzave dhe të të rejave, me përfitim për krejt zhvillimin njerëzor. Të lutemi dhe të angazhohemi për këtë!”, përfundon Ati i Shenjtë.

07 mars 2024, 12:26