Papa takon prindërit e Shoqatës "Talità Kum" të Vicenzës Papa takon prindërit e Shoqatës "Talità Kum" të Vicenzës  (Vatican Media)

Françesku: humbja e një fëmije, dhimbje torturuese, lutja i jep paqe zemrës

Papa pret grupin e prindërve Talità Kum të prekur nga humbja e fëmijëve dhe deklaron se ata që jetojnë një tragjedi të tillë nuk mund të pranojnë "ngushëllime të rëndonta fetare a sentimentale, inkurajime sterile a fraza të rrethanave; e as t’i mbyllin gojën vuajtjes": Jezusi preket nga dhimbja jonë dhe na çliron nga barra që na shtyp, duke e mbartur për ne dhe me ne!

R. SH. - Vatikan 

Në çastet e vuajtjes, përgjigja e Zotit është afërsia dhe ecja e tij përkrah atyre që vuajnë. Françesku pret “me zemër e krahë hapur” grupin Talità Kum nga Vicenza, prindër që kanë humbur një fëmijë, të shoqëruar nga frymëzuesi i projektit, Atë Ermes Ronchi. U drejton, më pas, fjalë ngushëlluese, të lexuara nga bashkëpunëtori i tij, Imzot Filippo Ciampanelli, për shkak të bronkitit që e ka prekur ditët e fundit. Me ata që humbasin një fëmijë - shkruhet në fjalimin e Papës - nuk mund të përpiqesh ta justifikosh vuajtjen, as t'u drejtohesh teorive fetare. Duhet vetëm "të imitosh qëndrimin e Jezusit përballë dhimbjes, e cila e prek aq, sa t’i jetojë vuajtjet e botës në korpin e tij". Humbja e një fëmije është përvojë, që nuk pranon përshkrime teorike dhe hedh poshtë banalitetin e fjalëve fetare apo sentimentale, të inkurajimit steril apo frazave rrethanore, të cilat ndonëse synojnë të ngushëllojnë, i lëndojnë edhe më shumë ata që, si ju, përballojnë çdo ditë një betejë e ashpër shpirtërore.

Lutje, për të rifituar paqen e shpirtit

 Një dhimbje, si humbja e një fëmije, "torturuese dhe pa shpjegim" - vazhdoi Françesku - mbetet e kapur "me fillin e lutjes", mbetet klithmë drejtuar Zotit çast për çast, gjë që nuk i jep fund tragjedisë, por vijon të trazohet nga pyetje që përsëriten, si  “ku ishte Zoti në atë çast”, por që, në të njëjtën kohë, japin forcë për të ecur përpara dhe për të gjetur ngushëllim në lutje:

“Mbasi nuk ka gjë më të keqe, sesa ta ndrysh dhimbjen në shpirt, ta detyrosh të heshtë vuajtjen, t’i flakësh tutje traumat, pa u marrë me to, siç na bën shpesh bota në nxitimin dhe hutimin tonë. Megjithatë, pyetja që i drejtohet Zotit, si klithmë, është e shëndetshme. Është lutje. Nëse na detyron të thellohemi në një kujtim të dhimbshëm dhe të vajtojmë humbjen, bëhet njëkohësisht hapi i parë i lutjes dhe na hap zemrën, për të marrë ngushëllimin dhe paqen e brendshme, që Zoti nuk harron kurrë të na e dhurojë”

 Jezusi ndan me njeriun dhimbjen dhe vuajtjen

Zoti është pranë atyre, që vuajnë! E prek "vuajtjen" e tyre! Ecën me ata që preken nga vdekja, duke i zgjatur dorën për t'i ndihmuar të ngrihen, duke u terë lotët dhe duke i siguruar se "vdekja nuk e ka fjalën e fundit". Në vuajtje, përgjigja e parë e Zotit nuk është fjalim, as teori, por ecje e tij me ne, përkrah nesh. Jezusi u prek nga dhimbja jonë, eci në të njëjtën rrugë, si ne dhe nuk na lë vetëm, por na çliron nga barra, që na shtyp, duke e mbartur atë për ne dhe me ne”.

Shpresa e ringjalljes

“Zoti nuk na lë pa ngushëllim” - përfundoi ligjërata e dhimbshme e Françeskut - lotëve dhe pyetjeve të njeriut që u prek nga mortja, u përgjigjet duke i siguruar se Ai i merr për dore ata fëmijë, që nuk janë më, për t'i ndihmuar të ngrihen, ashtu siç bën me prindërit e vuajtur, që edhe ata të dëgjojnë thirrjen e tij për t'u ngritur, për të mos humbur shpresën dhe për të mos shuar "gëzimin e të jetuarit":

“Dhe është e bukur të mendosh se bijat dhe bijtë tuaj, si vajza e Jairit, u zunë për dore nga Zoti dhe se një ditë do t'i shihni përsëri, do t'i përqafoni përsëri, do të mund të shijoni praninë e tyre në një dritë të re, të cilën askush nuk do t'jua heqë dot më. Atëherë do ta shihni kryqin me sytë e ringjalljes, siç e panë Maria dhe Apostujt. Zoti dëshiron të mbjellë tani në zemrën tuaj shpresën, e cila lulëzoi në mëngjesin e Pashkëve. Ju uroj ta mirëprisni, ta rritni, ta ruani edhe në mes të lotëve”.

02 mars 2024, 13:46