Kërko

Françesku: t'i japim "korp e shpirt" Ungjillit mes sfidave të luftës dhe varfërisë

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet, që kremtohet më 21 prill, Papa u drejtohet individëve dhe bashkësive të besimtarëve, duke u kërkuar “të dalin nga indiferenca” dhe të bëhen “shtegtarë të shpresës”

R.SH. – Vatikan

Të krishterët duhet të bëhen burra dhe gra shpresëdhënëse që t’i përgjigjen thirrjes së Zotit për të punuar frytshëm për drejtësinë dhe paqen. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për Ditën e 61-të Botërore të Lutjes për Thirrjet në jetën meshtarake e rregulltare, që do të kremtohet më 21 prill, me titull “Të thirrur për të mbjellë shpresën dhe për të ndërtuar paqen”.

“Të gjithë jemi të thirrur t'i ‘japim korp e shpirt’ shpresës së Ungjillit në një botë të karakterizuar nga sfida epokale: avancimi kërcënues i një lufte të tretë botërore pjesë-pjesë; turmat e emigrantëve, që largohen nga toka e tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë; shtimi i vazhdueshëm i të varfërve; rreziku për ta kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme shëndetin e planetit. E gjithë kësaj, i shtohen edhe vështirësitë, që hasim çdo ditë e që, herë pas here, ka rrezik të na çojnë drejt dorëzimit a disfatizmit”.

Të rinj, magjepsuni nga Jezusi

Dita e Vokacioneve, lexohet më tej, "është gjithmonë rast i bukur" për të kujtuar impenjimin, shpesh të fshehur, të atyre që kanë përqafuar "një thirrje", e cila ua ndryshon jetën. Françesku mendon për nënat dhe baballarët në shërbim të bijve të tyre; për ata, që punojnë me përkushtim dhe frymë bashkëpunimi; për njerëzit e angazhuar në ndërtimin e “një bote më të drejtë, të një ekonomie më solidare, të një politike më të barabartë, të një shoqërie më humane”; për ata, që sakrifikohen për të mirën e përbashkët; për rregulltarët, që e çojnë përpara karizmën, duke e vënë në dispozicion të atyre që takojnë" dhe për ata, që "e mirëpresin thirrjen në meshtari dhe i kushtohen kumtimit të Ungjillit".

“Të rinjve, veçanërisht atyre, që distancohen, ose kanë mosbesim ndaj Kishës, dua t'u them: lejojeni Jezusin t’ju magjepsë, bëjini pyetjet më të rëndësishme përmes faqeve të Ungjillit, lëreni t’ju shqetësojë prania e Tij, që gjithmonë na vë në krizë për mirë”.

Familje e madhe

Çdo i krishterë, në "polifoninë e karizmave dhe të thirrjeve", vijon Papa, është pjesë përbërëse e një familjeje të madhe: atë të Popullit të Zotit, që ecën udhëve të botës.

“Nuk jemi ishuj të mbyllur në vetvete, por jemi pjesë e së tërës. Prandaj, Dita Botërore e Lutjes për Thirrjet mban vulën e sinodalitetit: karizmat janë të shumta dhe ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të ecim së bashku për t'i zbuluar ato dhe për të kuptuar ç’na kërkon Shpirti Shenjt për të mirën e të gjithëve”.

Drejt jubileut

Të krishterët po ecin si shtegtarë të shpresës drejt Vitit Jubilar 2025, për “të qenë bartës dhe dëshmitarë të ëndrrës së Jezusit në botë: të jemi një familje e vetme, e bashkuar në dashurinë e Zotit dhe në lidhjen e bamirësisë, të bashkëndarjes dhe të vëllazërimit”.

“Në këtë vit 2024, kushtuar pikërisht lutjes në përgatitje të Jubileut, jemi të thirrur - kërkon më tej Papa - të rizbulojmë dhuratën e paçmuar të dialogut me Zotin, me gjithë zemër, duke u bërë kështu shtegtarë të shpresës”.

Të jesh shtegtar shprese do të thotë ta dish mirë horizontin, drejt të cilit ecën, si edhe të përqendrohesh në hapin që po bën në këtë çast, duke lënë mënjanë kotësitë, duke mbajtur vetëm gjërat thelbësore e duke luftuar "çdo ditë që lodhja, frika, pasiguria dhe errësira të mos e bllokojnë rrugën e ndërmarrë".

Pa përjashtuar askënd

Shtegtarët e shpresës dhe ndërtuesit e paqes e bazojnë "jetën e tyre" në ringjalljen e Krishtit, duke e ditur se "megjithë dështimet dhe pengesat", e mira e mbjellë "rritet në heshtje" dhe se asgjë nuk mund të na ndajë nga "takimi me Krishtin dhe nga gëzimi për të jetuar në vëllazërim ndërmjet nesh përjetësisht”. Askush, përfundon Papa Françesku, nuk përjashtohet nga kjo thirrje.

“Të zgjohemi nga gjumi, të dalim nga indiferenca, t’i thyejmë hekurat e burgut në të cilin mbyllemi nganjëherë, që secili prej nesh të zbulojë thirrjen e tij në Kishë dhe në botë dhe të bëhet shtegtar i shpresës dhe protagonist i paqes!” kërkon, së fundi, Ati i Shenjtë.

19 mars 2024, 14:18