Presidenti i Republikës së Seychelles, në audiencë tek Françesku
R. SH. - Vatikan
Sot paradite Papa Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, Presidentin e Republikës së Seychelles, Wavel Ramkalawan, me të cilin foli për 25 minuta. Më pas, kreu i shtetit ishullor u takua me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin dhe Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Biseda në Sekretarinë e Shtetit
Gjatë bisedës së përzemërt në Sekretarinë e Shtetit, lexohet në njoftimin për shtyp të Vatikanit, u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Seychelles, si dhe për kontributin e Kishës Katolike në shërbim të shoqërisë, veçanërisht në fushën e ndihmave dhe të arsimit". Përveç kësaj, siç lexohet akoma, pati "shkëmbim pikëpamjesh për socio-politikën e vendit, duke u përqendruar veçanërisht në tema me interes të përbashkët, si mbrojtja e mjedisit, lufta kundër përdorimit të drogës dhe situata ndërkombëtare”.
Shkëmbimi i dhuratave
Papa i dhuroi Presidentit të Seychelles një skulpturë bronzi titulluar 'Kujdes për krijimin'; vëllimet e dokumenteve papnore; Mesazhin e sivjetshëm për Paqe; librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, botuar nga LEV, dhe atë për Apartamentin Papnor të audiencave, redaktuar nga Prefektura e Familjes Papnore. Nga ana e tij, Ramkalawan i dhuroi Françeskut skulpturën prej bronzi të një breshke dhe një kupë realizuar me bambu tradicionale.