Kërko

Papa: mendjemadhësia, ves që helmon ndjenjën e vëllazërisë

Turmën, që kishte mbushur përsëri përplot Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, Papa e ftoi të përfitojë nga Kreshmët për të luftuar kundër mendjemadhësisë, kësaj të keqeje, pas së cilës “fshihet mëkati rrënjësor, pretendimi absurd për të qenë si Zoti”. "Ilaçi i vërtetë" i krenisë është përvujtëria

R.SH. - Vatikan

 "Shpëtimi kalon përmes përvujtërisë, ilaç i vërtetë për çdo akt krenie". "Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, të përfitojmë prej këtyre Kreshmëve për të luftuar kundër mendjemadhësisë sonë". Kështu u shpreh Françesku në katekizimin e audiencës së sotme të përgjithshme, lexuar nga një bashkëpunëtor, me që Papa vijon të jetë i ftohur.

 "Mendjemadhësia - na kujtoi katekizmi i sotëm - është vetë-vlerësim, hamendësim, kotësi". Këtij vesi, i fundmi në audiencat mbi veset dhe virtytet, që nisën më 27 dhjetor, ia kushtoi Papa katekizmin e kësaj së mërkureje, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Leximi  që i parapriu është marrë nga libri i Sirach:

“E urryer për Zotin dhe për njerëzit është krenia (…). Pse, vallë, krenohet kush është pluhur e hi? (…) Zoti përmbysi fronet e të pushtetshmëve e në vendin e tyre i bëri të ulen të përvujtët (Sir 10,7.9.12.14)”.

Nga të gjitha veset,  është "mbretëresha e madhe"

Papa Françesku e përshkruan kështu mendjemadhin: "Është njeriu, që mendon se vlen shumë më tepër sesa është në të vërtetë; që fryhet për t’u dukur më i madh se të tjerët", të cilët i përbuz, duke i shikuar si të pavlerë. Në katekizmin e së mërkurës së kaluar - kujtoi Papa - u fol për një ves të ngjashëm, për kotësinë, "sëmundje fëmijësh" kur krahasohet me mendjemadhësinë. Theksoi këtë e shtoi:

 “Duke analizuar marrëzitë e njeriut, murgjërit e lashtësisë kishin një rend të caktuar në radhën e të këqijave: niseshin nga mëkatet më të rënda, siç është grykësia, për të arritur te përbindshat më shqetësues. Nga të gjitha veset, mendjemadhësia është "mbretëresha e madhe". (...) Kushdo që bie në grackën e këtij vesi, është larg Zotit dhe mohimi i kësaj të keqeje kërkon kohë e përpjekje, më shumë se çdo betejë tjetër në të cilën thirret i krishteri”.

Jezusi na mësoi të mos gjykojmë kurrë

Brenda të keqes së krenisë - vazhdon Papa - ekziston "pretendimi absurd për të qenë si Zoti", është prandaj mëkat origjinal. Shkatërron marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, helmon “ndjenjën e vëllazërisë” që duhet të na bashkojë të gjithëve. Njeriu krenar paraqitet si i tillë edhe fizikisht, edhe në qëndrimet e tij të veçanta:

“Është njeri i prirur për gjykimee përbuzëse: për kurgjësend i dënon  rëndë të tjerët, të cilët i duken të pavlerë e të paaftë. Arrogant siç është,  harron se Jezusi na dha shumë pak parime morale në Ungjijtë, por në njërin prej tyre u tregua i papajtueshëm: mos gjyko kurrë!”.

Shembulli i Shën Pjetrit Apostull

Mendjemadhit është e pamundur t'i bësh qoftë edhe një kritikë apo vërejtje sado të vogël - vijon Papa në katekizmin e audiencës së sotme - është e pamundur ta korrigjosh, mjafton të jesh  durimtar me të “sepse një ditë do t'i shembet ndërtesa”. E në vijim citon shembullin e  Shën Pjetrit Apostull i cili, krejtësisht i sigurt në vetvete, i thotë  Jezusit: "Edhe sikur të gjithë të të braktisin, unë nuk do të të braktis kurrë!" vetëm e vetëm për të fshehur frikën që e tmerron, njëlloj si të tjerët, përballë rrezikut të vdekjes:

“E kështu edhe Pjetri i dytë, ai që nuk e ngre më mjekrën përpjetë, por qan me lotë të kripur, do të shërohet nga Jezusi dhe më në fund do të jetë i aftë të mbajë barrën e Kishës.

Shpëtimi vjen përmes përulësisë

"Ilaçi i vërtetë për çdo akt mendjemadhësie" është përvujtëria, përmes së cilës vjen shëlbimi. E Maria Virgjër është shembull i saj. Në himnin e Madhërimit (Magnificat Lk 1,46-55),  dëshmon Zotin që "i shpërndan mendjemëdhenjtë në mendimet e sëmura të zemrave të tyre".

Së fundi, Papa Françesku kujton Shën Jakobin apostull, i cili i shkroi kështu një bashkësie të plagosur nga betejat e brendshme, shkaktuar nga mendjemadhësia: "Zoti i reziston krenarëve, por u jep hirin e tij të përvujturve".

E përfundon me një mendim për kohën në të cilën po jetojmë:

“Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, le t’i shfrytëzojmë këto Kreshmë për të luftuar kundër krenarisë sonë”.

06 mars 2024, 11:42

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >