Kërko

 Protesta e çrregullime në Haiti Protesta e çrregullime në Haiti  (AFP or licensors)

Françesku: në Haiti të lirohen të gjitha pengjet e të kthehet rendi

Në Engjëllin e Tënzot të Papës, thirrja për vendin e dashur, të vënë në provën e rëndë të dhunës: të lihet mënjanë çdo interes i veçantë, në kërkimin e së mirës së përbashkët. Lutja e Papës për paqe në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Sudanin e Jugut dhe Siri. Më pas përshëndetja pjesëmarrësve të Maratonës së Romës, "festë tradicionale e sportit dhe e vëllazërisë".

R. SH. - Vatikan

Haiti të bëhet vend me institucione solide, të afta për të vendosur rendin dhe qetësinë për qytetarët e tij. Në fund të lutjes mariane të Engjëllit,   Papa kujtoi situatën e trazuar politike dhe sociale në ishullin e Karaibeve. Në veçanti, Françesku kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për "atë vend të dashur, të vënë në provën tejet të rëndë të dhunës".

Të lirohen të gjithë pengjet

Ipeshkvi i Romës shprehu lehtësimin për lirimin, ditët e fundit, të një mësuesi dhe të katër nga gjashtë rregulltarët e Vëllezërve të Zemrës së Krishtit, rrëmbyer më 23 shkurtin e kaluar. Në vijim, thirrja:

“Kërkoj që edhe dy rregulltarët e tjerë si dhe të gjithë njerëzit e rrëmbyer ende në atë vend të dashur, të prekur kaq shumë nga dhuna, të lirohen sa më shpejt. I ftoj të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë të braktisin çdo interes të veçantë dhe të zotohen, me frymë solidariteti, në kërkimin e së mirës së përbashkët, duke mbështetur tranzicionin paqësor drejt një vendi që, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, pajiset me institucione solide, të afta për të rikthyer rendin dhe qetësinë për qytetarët”.

Paqe në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Sudanin e Jugut dhe Siri

Papa u lut përsëri për popullatat e torturuara nga lufta: për Ukrainën, Palestinën, Izraelin, Sudanin e Jugut dhe Sirinë:

“Të mos e harrojmë Sirinë, vendin që vuan prej kohësh nga lufta”.

Përshëndetje Maratonës së Romës

Pastaj përshëndetjet grupeve të ndryshme të shtegtarëve, të mbledhur në Sheshin plot diell të Shën Pjetrit, veçanërisht pjesëmarrësve në Maratonën e Romës, "festë tradicionale e sportit dhe e vëllazërisë":

“Edhe këtë vit, me nismën e Atletikës së Vatikanit, sportistë të shumtë morën pjesë në stafetat e solidaritetit, duke u bërë dëshmitarë të pjesëmarrjes së përbashkët”.

Situata në Haiti

Fjalët e Atit të Shenjtë hedhin dritë mbi situatën dramatike në Haiti. Më 11 marsin e kaluar Vëllezërit e Zemrës së Krishtit shprehën përmes një  deklarate, lehtësim për lirimin e katër sivëllezërve të tyre: "Lufta nuk ka mbaruar", deklaroi Kongregata, "sepse vëllezërit Pierre Isaac Valmeus dhe Adam Montclaison Marius janë ende në burg”.

Pas sekuestrimit fshihet hija e grupeve kriminale, që po kryejnë grabitje   të shumta, me qëllim që të marrin shpërblime për lirimin e viktimave. Situata në vend është veçanërisht e tensionuar: kryeministri Ariel Henry dha dorëheqjen ditët e fundit, duke rënë dakord t'i hapte rrugën një autoriteti kalimtar, ndërsa bandat tani kanë pothuajse plotësisht kontrollin  e kryeqytetit.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), "shpërthimi i dhunës që nga fundi i shkurtit" e ka keqësuar situatën tashmë dramatike me 362 mijë haitianë që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, 160 mijë vetëm në Port-au-Prince.

Edhe misionarët salezianë, të cilët, pavarësisht nga situata e vështirë, vazhdojnë të kujdesen për popullatën, flasin për kushte kaotike. E nuk gjejnë fjalë tjetër, për t’i përshkruar. Po jetojmë në ferr- pohojnë - Ne, salezianët tani për tani jemi mirë, por nuk kemi mundur të kryejmë asnjë veprimtari, që nga data 29 shkurt kur filloi kjo situatë”. “Bandat - vijon deklarata - po grabisin komisariatet e policisë dhe gjithçka që hasin, biznese, dyqane... duan të marrin Pallatin Kombëtar, Aeroportin” - shkruajnë misionarët. Në kryeqytetin Port-au-Prince ka të shtëna mes bandave dhe policisë, ndërsa rrëmbimet janë në rendin e ditës”.

17 mars 2024, 13:55