Kulmi i dhunës në Haiti Kulmi i dhunës në Haiti  (AFP or licensors)

Françesku pranë popullit haitian: të bashkëpunojnë të gjithë për paqen dhe pajtimin

Thirrje e re e Françeskut, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, për të ndaluar valën e dhunës në vendin e Karaibeve. Papa kërkon "përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare", ndërsa kujton edhe skena të tjera lufte: në Republikën Demokratike të Kongos, në Tokën Shenjte dhe në Ukrainën e martirizuar. E lutet që të pushojë sa më shpejt të jetë e mundur armiqësia, që shkakton vuajtje të jashtëzakonshme në gjirin e popullatës civile.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, pas lutjes mariane të së dielës nga Dritarja e Engjëllit e Pallatit Apostolik, shprehu “shqetësimin dhe dhimbjen për krizën e rëndë që ka prekur Haitin, kujtoi episodet e dhunshme të ditëve  të fundit” dhe pohoi se është pranë kishës dhe “njerëzve të dashur”, të vuajtur prej vitesh:

“Ju ftoj të luteni, me ndërmjetësimin e Zojës së Ndihmës së Përhershme, që çdo lloj dhune të pushojë dhe të gjithë të japin kontributin e tyre për paqen e pajtimin në vend, me mbështetjen e përsëritur të bashkësisë ndërkombëtare”.

Vend i paralizuar

Banorët e kryeqytetit të Haitit kërkuan ndihmë pas valës së fundit të dhunës së bandave. Një grup i Kombeve të Bashkuara dha alarmin për "qytetin nën rrethim", pasi sulmuesit e armatosur pushtuan pallatin presidencial dhe selinë e policisë. Grupet kriminale, të cilat tashmë kontrollojnë pjesën më të madhe të Port-au-Prince dhe rrugët që të çojnë në pjesën tjetër të vendit, ditët e fundit shkaktuan kaos në përpjekjen për të rrëzuar kryeministrin Ariel Henry nga udhëheqja e vendit perëndimor më të varfër të hemisferës. Policia dhe rojet e pallatit po punojnë për të ripushtuar disa rrugë të kryeqytetit, pasi bandat nisën sulme masive në të paktën tre komisariate. Udhëheqësit e Karaibeve bënë thirrje për një takim urgjent në Xhamajka, duke e quajtur situatën në Haiti "të tmerrshme". Porti kryesor i Port-au-Prince ka mbyllur dyert, duke bllokuar dhjetë kontejner me ushqime dhe furnizime mjekësore, në një kohë kur, sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara,  gjysmës së 11 milionë banorëve të vendit i mungon ushqimi i mjaftueshëm, e 1.4 milionë po vdesin nga uria.

Më shumë se 15 mijë vetë u detyruan të ikin

Dhjetra njerëz u vranë e më se 15,000 u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i sulmeve të koordinuara të bandave, më 29 shkurt, ndërsa kryeministri Ariel Henry ishte në Kenia që të nxiste forcat e policisë së vendit të Afrikës Lindore, të mbështetura nga Kombet e Bashkuara, për të luftuar bandat në Haiti. "Situatë mjaft e keqe" pohon Mike Ballard, drejtor i Global Guardian, shoqëri ndërkombëtare e sigurisë me seli në Virxhinia. "Bandat po përpiqen të mbushin boshllëkun e pushtetit" Shkollat, bankat dhe shumica e agjencive qeveritare janë të mbyllura. Edhe stacionet e benzinës janë mbyllur e ata pak, që mund të përballojnë të paguajnë 9 dollarë për gallon - më shumë se dyfishi i çmimit normal - dynden në tregun e zi.

Të lutemi për paqen në RD të Kongos, në Tokën e Shenjtë, në Ukrainë

Duke kujtuar se “për vëllezërit myslimanë” sonte fillon Ramazani, Papa u shprehu afërsinë e tij. Dhe ndërsa përshëndeste "me dashuri bashkësinë katolike të Republikës Demokratike të Kongos në Romë", i ftoi edhe një herë të gjithë të luten për paqen. Paqe në këtë vend afrikan, paqe në Ukrainën e martirizuar dhe në Tokën Shenjte:

“Të pushojnë sa më shpejt armiqësitë që shkaktojnë vuajtje të mëdha në gjirin e popullatës civile”.

Pikërisht në prag të Ramazanit dhe në mes të mobilizimit ndërkombëtar për të dërguar ndihma humanitare për popullatën civile të rrethuar dhe të kërcënuar nga uria, konflikti në Lindjen e Mesme është ende i ndezur. Ushtria izraelite hedh sërish bomba mbi Gazën, duke vrarë dhjetëra njerëz. Në kuadër të korridorit humanitar detar të shpallur nga Bashkimi Evropian, anija e parë e ngarkuar me ndihma do të niset nga Qiproja për në territorin palestinez.

Lindja e Mesme, 17 të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Sipas Hamasit, deri tani në ofensivën ushtarake në shkallë të gjerë të zhvilluar nga Izraeli si hakmarrje për një sulm të përgjakshëm, më 7 tetor janë vrarë 31,045 vetë, shumica civilë. Gjithashtu sipas autoriteteve të Hamasit, të paktën 85 palestinezë kanë vdekur në 24 orët e fundit në më shumë se 60 sulme gjatë natës, të cilat goditën shtëpitë në Gazën qendrore dhe jugore, veçanërisht në Khan Younès.

Në Ukrainën lindore, një sulm me raketa ruse në rajonin e Dnipropetrovsk goditi një ndërrmarrje. Ndërkohë, "Rusia filloi të përdorë një bombë të fuqishme ajrore, që shkatërroi mbrojtjen ukrainase dhe ndryshoi ekuilibrin në vijat e frontit. E bëri këtë duke  shndërruar një armë bazë të epokës sovjetike në bombë rrëshqitëse, që mund të shkaktojë një krater të gjerë pesëmbëdhjetë metra". Lajmin e jep CNN.

10 mars 2024, 13:58