Kërko

2023.08.04 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Confessione di alcuni giovani della GMG 2023.08.04 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Confessione di alcuni giovani della GMG  (Vatican Media)

Françesku: rrëfimi nuk është vetanalizë, por pranim i mëshirës së Zotit

Papa priti në audiencë pjesëmarrësit në Kursin e Forumit të Brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike dhe u dorëzoi fjalimin e përgatitur, në të cilin propozon një reflektim kushtuar Punës së Pendimit: rrëfyesit dhe burgjet angazhohen që në këtë vit të përgatitjes për Jubileu ndjesa hyjnore të lulëzojë në shumë vende e zemra.

R. SH. - Vatikan

Jetojeni "çdo rrëfim si çast të pashoq e të papërsëritshëm hiri" e dhurojeni "bujarisht faljen e Zotit, me dashamirësinë e atit" e "butësinë” e nënës": ky, inkurajimi që Papa Françesku u drejtoi, pas një përshëndetjeje të shkurtër jashtë tekstit, pjesëmarrësve të Kursit mbi Forumin e Brendshëm,  organizuar nga Pendestaria Apostolike, të pritur në audiencë në sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Detyrë "e bukur dhe vendimtare", kjo që i besohet rrëfyesit, pasi "na krijon mundësinë t’i ndihmojmë shumë vëllezër dhe motra ta shijojnë ëmbëlsinë e dashurisë së Zotit" - lexojmë në tekstin - meditim mbi Punën e Pendimit, lutjen që thuhet në përfundim të ritit të Pajtimit, shkruar nga Shën Alfons Maria de' Liguori, "bari që jetoi pranë popullit e njeri me drejpeshim të madh".

Meditoni për marrëdhënien tuaj me mëshirën e Zotit

Në reflektimin e përgatitur, Papa përqendrohet në "tre qëndrime të shprehura në Punën e Pendimit", për të ndihmuar në meditimin mbi marrëdhënien personale me mëshirën e Zotit: "Pendimi para Zotit, besimi në Të dhe vendimi për të mos u kthyer më prapa". E para “nuk është fryt i vetanalizës dhe as i ndjenjës psikike të fajit” - shpjegon Françesku - por lind “nga vetëdija e mjerimit tonë përballë dashurisë së pafund të Zotit, mëshirës së tij të pakufishme”. Kjo na shtyn “të kërkojmë falje prej tij” duke u lutur: “O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër, për gjithë mëkatet që kam ba, pse kam bjerrë Parrizin e kam meritue ferrin, por ma fort se të kam fye ty, o e mira e pambarueme që aq fort më ke dashtë…”. E kjo të çon te pendesa, reflektimi për veten dhe për veprimet tua:

“Në të vërtetë, tek njeriu, ndjenja e mëkatit është pikërisht në përpjesëtim me perceptimin e dashurisë së pafund të Zotit: sa më shumë ta ndjejmë butësinë e tij, aq më shumë dëshirojmë të jemi në bashkim të plotë me Të dhe aq më i dukshëm bëhet shëmtimi i së keqes së jetës sonë” .

E ne duhet të kujtojmë - shton Papa, se "Zoti nuk lodhet duke na falur", prandaj edhe ne nuk duhet të lodhemi kurrë duke i kërkuar falje.

Dashuria për Zotin gjallëron çdo dashuri tjetër

Duke rrëfyer, pra, se e ka fyer Zotin "pambarimisht të mirë dhe të denjë për t'u dashur mbi të gjitha gjërat", njeriu njeh "mirësinë e pafundme të Atit" dhe përparësinë e dashurisë së tij në jetën e vet - kujtoi Françesku - që shpjegoi më pas se "të duash" Zotin mbi gjithçka, do të thotë ta kesh “në qendër të gjithçkaje, si dritë në rrugë e themel në çdo rend vlerash, duke ia besuar Atij gjithë vetveten”. E kjo "gjallëron çdo dashuri tjetër: për njerëzit dhe për krijimin - saktëson Papa - sepse kushdo që do Zotin, do edhe vëllanë e kërkon të mirën e tij, gjithmonë në drejtësi dhe paqe".

Premtimi i përvuajtur për të mos mëkatuar kurrë më

Së fundi, me Punën e Pendimit shprehet vullneti "për të mos e fyer më kurrë Zotin, duke rënë përsëri në mëkatin e kryer". Është qëllim, jo  premtim - saktëson Françesku - aq sa "Shën Gjon Maria Vianney, Famullitari i Arsit, përsëriste se 'Zoti na fal, ndonëse e di se do të mëkatojmë përsëri', ndonëse…"

“…askush prej nesh nuk mund t'i premtojë Zoti se nuk do të mëkatojë më dhe ajo që kërkohet për të marrë faljen, nuk është garanci e patëmetë, por  zgjidhje aktuale, e bërë me ndjet të mirë  në çastin e rrëfimit. Për më tepër, është angazhim që e marrim gjithmonë me përvujtëri, siç nënvizohet nga fjalët ‘me ndihmën tënde’".

Mëshira është emri i Zotit

Përsa i përket përfundimit të lutjes së të penduarit - “Mëshirë, o Zot; më fal, o Zot! - fjalët “Zot” dhe “mëshirë” vendosen “si sinonime”, duke theksuar se “Zoti është mëshirë, mëshirë është emri i tij” dhe se “në çdo akt mëshirë, në çdo akt dashurie, fytyra e Zoti shndrit”. E pas këtyre fjalëve, Papa kujtoi Jubileun e 2025-ës, me ftesën drejtuar rrëfyesve dhe pendestarëve që të luten dhe të angazhohen në mënyrë që ky vit  përgatitor "të shohë si mëshira e Atit lulëzon në shumë zemra  në shumë vende".

08 mars 2024, 13:23