Françesku gjatë ngjarjes "Fëmijët takohen me Papën" vitin e kaluar (Media e Vatikanit) Françesku gjatë ngjarjes "Fëmijët takohen me Papën" vitin e kaluar (Media e Vatikanit)  (Vatican Media)

Papa: të mos harrojmë të vegjlit, të cilëve iu grabit fëmijëria

Mesazhi i Papës për Ditën e parë Botërore të Fëmijëve, e cila do të kremtohet në Romë, më 25 dhe 26 maj. Vihen në dukje vlerat e ndarjes së përbashkët dhe të faljes: kështu rritet miqësia, "me durim, guxim, frymë krijuese e fantazi, pa frikë e pa paragjykime".

R. SH. - Vatikan

 “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet” është titulli i Ditës Botërore të Fëmijëve - dëshiruar për herë të parë nga Papa për fundmajin e ardhshëm - e nuk ka asgjë të re që nuk mund të lidhet me një fëmijë dhe me mënyrën  e tij transparente për të parë botën. Por janë të shumtë edhe ata sy, që panë e shohin të keqen më mizore dhe kanë nevojë të shpërblehen për rrëmbimin e pafajnisë.

Viktima të mizorisë

Është thirrje turmash, kjo që Françesku u drejton të vegjëlve, të cilët do të dynden me mijëra në Romë më 25 dhe 26 maj për ngjarjen e parë ndërkombëtare, që u kushtohet. E edhe thirrje solidarizimi me ata që nuk mund të jenë të pranishëm, sepse të burgosur të situatave çnjerëzore:

“Mos e harroni atë që si ju, pa iu rritur ende mirë shtati, i duhet të luftojë kundër sëmundjeve dhe vështirësive, në spital ose në shtëpi; atë që është viktimë të luftës dhe e dhunës: që vuan nga uria dhe nga etja, që jeton  rrugëve, që detyrohet të jetë ushtar ose të ikë si refugjat, i ndarë nga prindërit, që nuk mund të shkojë në shkollë, që është viktimë e bandave kriminale, drogës apo formave të tjera të skllavërisë e të shpërdorimit. Me pak fjalë, të gjithë ata fëmijë, fëmijëria e të cilëve  vidhet mizorisht edhe sot”.

Hapat e vegjël ndryshojnë botën

“Ju jeni të gjithë të rëndësishëm” - shkruan Françesku - e ne jemi të gjithë “bij dhe vëllezër”, hallka “të një zinxhiri shumë të gjatë, që shkon nga e kaluara - në të ardhmen dhe që mbulon gjithë tokën”. Për këtë arsye – nënvizon - “ju porosis t’i dëgjoni gjithmonë me vëmendje historitë e të rriturve: të nënave, baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tuaj!”. E, mbi të gjitha,  të dëgjoni të parin prej miqve tuaj, Jezusin:

“Me Jezusin ne mund të ëndërrojmë për njerëzimin e ri dhe të angazhohemi për një shoqëri më vëllazërore dhe më të vëmendshme ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, duke filluar nga gjërat e thjeshta, si përshëndetja e të tjerëve, kërkimi i lejes, kërkimi i faljes, falnderimi. Bota transformohet para së gjithash përmes gjërave të vogla, pa pasur turp të bësh vetëm hapa të vegjël”.

Miqësia nuk ka frikë, as paragjykime

Pastaj Papa thekson vlerën e ndarjes së përbashkët. Të lumtur - u kujton vajzave dhe djemve - nuk mund të jeni kurrë vetëm sepse “gëzimi rritet deri në atë masë, sa ndahet”. Kjo mbasi të gjithë - mbajeni mend - janë  dhuratë për të tjerët dhe është gjë e bukur të “dëfrehemi të gjithë bashkë, pa lënë askënd pas”, por këto dhurata - nënvizon - nëse nuk i përdorim që të jemi bashkë, “do të na lënë gjithnjë të pakënaqur dhe nuk do të na mjaftojnë kurrë”:

“Miqësia është e bukur dhe rritet vetëm kështu, me ndarjen e përbashkët dhe me falje, me durim, guxim, frymë krijuese dhe fantazi, pa frikë dhe pa paragjykime”.

Bukuria është në fytyrat e fëmijëve

Në pjesën e fundit të mesazhit Françesku tregon "një të fshehtë të rëndësishme": “Kujton se për të qenë vërtet i lumtur, duhet të lutesh shumë, çdo ditë", sepse lutja "na lidh drejtpërdrejt me Zotin, na mbush zemrat me dritë dhe ngrohtësi dhe na ndihmon të bëjmë gjithçka me besim dhe qetësi". Papa porosit që kjo të bëhet në mënyrë të veçantë me Atynën,  çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje në familje, "jo si formulë", por duke menduar për fjalët e mësuara nga Jezusi, i cili - siguron - "na thërret dhe dëshiron që me Të të jemi protagonistë të kësaj Dite Botërore, ndërtues të një bote të re, më njerëzore, më të drejtë dhe më paqësore”. E përfundon duke këshilluar një lutje:

     Eja, Shpirti Shenjt,

bukurinë tënde tregona

e pasqyroje në fytyrat

e vajzave dhe djemve të tokës.

         Eja, Jezus,

që të gjitha gjërat i bën të reja,

e udha je,

që ne na çon tek Ati,

eja e rri me ne!

           Amen.

02 mars 2024, 14:58