Françesku: të mos u shmangemi të mënjanuarve, solidariteti është mjet i Zotit
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në takimin me institucionet dhe organizatat e ndihmës për Kishën në Amerikën Latine, i cili po mbahet që dje dhe deri më 8 mars në Bogota të Kolumbisë. Ati i Shenjtë flet për dhurimin e painteres, ndërsa reflekton për pritjen e natyrshme të rezultateve, që pasojnë ofertën e ndihmës, pritje që, gjithsesi, duket në kundërshtim me qëndrimin ungjillor të dhurimit pa pritur asgjë në këmbim.
Gjithçka kemi na është dhënë falas
Për t'iu përgjigjur këtyre dinamikave të kundërta - falas nga njëra anë dhe, kërkesës për rezultate, nga ana tjetër, mungesa e të cilave mund të konsiderohet dështim - Françesku sugjeron të shohim ç’kërkon Jezu Krishti në Ungjill, duke i bërë vetes disa pyetje, njëlloj si ato të gazetarëve: "Kush jep? Çfarë jep? Ku jep? Si jep? Kur jep? Pse jep? Për çfarë jep?"
“Në përgjigje të pyetjes së parë - Kush jep? - Shkrimi Shenjt na shpjegon se çka japim nuk është tjetër, veçse çka kemi marrë falas. Zoti është Ai që jep e ne jemi vetëm administrues të dhuratave të tij, prandaj nuk duhet të mburremi apo të kërkojmë ndonjë shpërblim më të madh nga sa na takon, duke marrë përsipër me përvujtëri përgjegjësinë që na kërkon kjo dhuratë”.
Dhuratat e Zotit, shenjë e dashurisë së tij
Përgjigja e pyetjes së dytë “çfarë na jep Zoti” është e lehtë, vijon Papa në letër. "Ai na jep gjithçka. Ai na dha jetën, krijimin, inteligjencën dhe vullnetin për të qenë zotër të fatit tonë, aftësinë për t'u lidhur me Të dhe me vëllezërit. Gjithashtu, Ai vetë na u dhurua pafundësisht "deri në flijimin në kryq, në dhuratën e Eukaristisë dhe të Shpirtit të Shenjtë. Gjithçka kemi - pohon Papa - është ose ai vetë, ose manifestim i dashurisë së tij.
“Nëse e humbim këtë vetëdije kur japim e kur marrim, e shpërfytyrojmë esencën e Tij dhe tonën. Nga administratorë të vëmendshëm të Zotit, bëhemi skllevër të parasë dhe të nënshtruar nga frika e mospasjes, ia japim zemrën thesarit të sigurisë së rreme ekonomike, efikasitetit administrativ, kontrollit, një jete pa hove shpirtërore”.