Françesku, viti i njëmbëdhjetë i papnisë, shënuar nga dhimbja për luftërat
R.SH. – Vatikan
“Vuaj kur shoh të vdekurit, të rinj që nuk kthehen më. Është e rëndë…”
Pikërisht një vit më parë, ditën kur kremtoi 10-vjetorin e papnisë, Ati i Shenjtë Françesku shprehu dhimbjen e tij shpirtërore për luftërat, duke marrë pjesë në vuajtjen e mijëra grave dhe nënave në mbarë botën, në një podcast - i pari - në mediat e Vatikanit. Papa fliste veçanërisht për të rinjtë, që gjetën vdekjen në luftën e Ukrainës, vend, që gjithmonë quhet “i martirizuar” nga Bergoglio. E pastaj, Toka Shenjte, pas sulmit terrorist të Hamasit dhe përgjigjes ushtarake izraelite, që ka shkaktuar rreth 31 mijë viktima në pesë muaj. Tjetër territor, pjesë e asaj Lufte III Botërore pjesë-pjesë, për të cilën Ati i Shenjtë flet vazhdimisht. Sot, ndërsa kremtohet 11-vjetori i papnisë së Françeskut e vijnë urime nga e gjithë bota, përfshirë ipeshkvijtë shqiptarë, shihet qartë se impenjimi i Papës për paqen, edhe gjatë vitit të fundit, nuk ka reshtur.
Paqe për Ukrainën e martirizuar
Kreu i Kishës universale, në moshën 87-vjeçare, ndër papët më jetëgjatë, lutet në heshtjen e dhomës së tij, ku ruan ikona, kryqe dhe objekte të tjera nga territoret në konflikt. Që nga 13 marsi i kaluar, ka bërë mbi 150 thirrje për Ukrainën, më se 60 për Lindjen e Mesme dhe popullsinë e Gazës, sa herë që i jepet mundësia: në Engjëllin e Tënzot, në audiencën e përgjithshme, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke e ngritur zërin kundër "çmendurisë" së luftës. Shpresa për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme ka qenë dhe është gjithmonë i vetmi sfond për fjalët e Papës.
Thirrja drejtuar Bashkimit Evropian
“Papa nuk heq dorë nga kërkimi i paqes, nga shpresa për paqen dhe nga lutja për të”.
Kështu u thoshte Françesku familjeve të refugjatëve, që mbërritën në Itali falë korridoreve humanitare, pritur në audiencë më 18 mars të vitit të kaluar. Katër ditë më vonë, në audiencën e përgjithshme, kujtonte aktin e kushtimit të Rusisë dhe Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë: "Të mos lodhemi duke ia besuar çështjen e paqes Mbretëreshës së Paqes", theksonte Papa, duke kërkuar që ky akt të ripërtërihej çdo 25 mars. Por impenjimi shpirtëror, për Françeskun, duhet ndjekur nga impenjimi politik e diplomatik, duke filluar nga Bashkimi Evropian. Sfidë "shumë e ndërlikuar", nënvizonte në audiencën me ipeshkvijtë e Comece-së, pasi vendet e BE-së kanë "aleanca të shumta, interesa, strategji, një sërë forcash, që vështirë të bashkohen në një projekt të vetëm" kundër luftës të cilën, ngrinte zërin Ati i Shenjtë, “nuk mund dhe nuk duhet ta konsiderojmë më si zgjidhje për konfliktet”. Fjalë, që i përsëriti në mesazhin “Urbi et Orbi” të Pashkëve të vitit të kaluar.
Përpjekje krijuese për paqen
“Ku janë përpjekjet krijuese për paqen?”, pyeste Papa në Hungari, ku strehohen mijëra refugjatë ukrainas, gjatë udhëtimit të tij apostolik në prill 2023.
“Në botën ku jetojmë, pasioni për politikën e përbashkët dhe shumëpalëshe duket si kujtim i bukur i së shkuarës: duket sikur po shohim perëndimin e trishtuar të ëndrrës korale për paqe, ndërsa ecin përpara solistët e luftës”, denonconte Ati i Shenjtë.
E megjithatë, në avionin e kthimit nga Budapesti, Françesku hapte perspektiva: “Besoj se paqja bëhet gjithmonë duke hapur kanale, paqja nuk mund të bëhet kurrë duke i mbyllur ato. I ftoj të gjithë të krijojnë marrëdhënie e kanale miqësie”, shtonte Papa i gatshëm të luante rolin e vet, duke parashikuar fillimin e një misioni si ai i kardinalit Matteo Maria Zuppi, dërguar si emisar i tij në Kiev, Moskë, Uashington dhe Pekin. E, edhe më pas, në Lisbonë, ku shkoi për Ditën Botërore të Rinisë, Françesku e pyeste Evropën “ku po shkon?”, nëse nuk je në gjendje të hapësh rrugë krijuese për fundin e luftës në Ukrainë e në zona të tjera të botës. Pikërisht të rinjve, Ati i Shenjtë u kërkonte të dëshmojnë se një botë pa urrejtje e pa armë është e mundur.
Ora e errët e historisë
Një ëndërr, kjo e Papës, e sprovuar nga ngjarjet e 7 tetorit. Një ditë pas sulmeve të Hamasit, në Engjëllin e Tënzot, me një fytyrë e zë të trishtuar, Françesku dënoi dhunën, që "shpërtheu edhe më egërsisht" në Izrael, bëri thirrje “të ndalen sulmet dhe të ulen armët”, sepse “terrorizmi dhe lufta nuk çojnë në asnjë zgjidhje, por vetëm në vdekjen dhe vuajtjen e shumë njerëzve të pafajshëm. Lufta është humbje: çdo luftë është disfatë!” Lajtmotiv ky, përsëritur shpesh për situatën në Rripin e Gazës, për të cilin ushtoi thirrja e Papës, jo më shumë se dhjetë ditë pas sulmit:
“Të heshtin armët! Të dëgjohet britma për paqe e popullit, e njerëzve, e fëmijëve! Vëllezër dhe motra, lufta nuk zgjidh asnjë problem, vetëm mbjell vdekje dhe shkatërrim, shton urrejtjen dhe shumëfishon hakmarrjen. Lufta zhduk të ardhmen”.
Guximi për t’u ulur në tryezën e bisedimeve
Më 27 tetor, ditë agjërimi e lutjeje, pikërisht për t’i kërkuar paqen Zotit, që t’i japë fund kësaj “ore të errët të historisë”. Në mesazhin “Urbi et Orbi” të Krishtlindjes, Papa denonconte:
“Njerëzit, që nuk duan armë, por bukë, që luftojnë për të ecur përpara dhe për të kërkuar paqen, nuk e dinë sa para publike destinohen për armatime. Por duhet ta dinë! Të flitet për këtë, të shkruhet, që të dihen interesat dhe fitimet, të cilat lëvizin fijet e luftërave”.
E, së fundi, në fjalimin para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, Françesku kërkonte guximin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve: “Nuk mund të lejojmë të zgjatet një konflikt që po gangrenizohet gjithnjë e më shumë, në dëm të miliona njerëzve, por duhet t'i jepet fund tragjedisë së vazhdueshme përmes negociatave, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".