Kërko

Papa: Zoti nuk na do vetëm shenjtorë, na do "shenjtorë të zgjuar"

"Në një botë ku sundon dukja, mendimi i cektë, banaliteti, si i së mirës, ashtu edhe i së keqes, mësimi i lashtë i maturisë meriton të përsëritet". Këtë e theksoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke folur sot për maturinë, në vijim të serisë së katekizmave kushtuar virtyteve.

R.SH. / Vatikan

Maturia, së bashku me drejtësinë, guximin dhe përkorën, përbëjnë virtytet që quhen "kryesore". E pikërisht virtytit të maturisë i kushtohej katekizimi i audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa përshëndeti besimtarët dhe shtegtarët, duke u kujtuar se edhe këtë herë, për shkak të vështirësisë me zërin, tekstin e përgatitur do ta lexonte rregulltare rozminian Atë Pierluigi Giroli, i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit:

“Për të pamendin marrëzia është gëzim; kush është i urtë, ecën drejt. Ku s’ka këshill, synimet shkojnë kot, fitojnë ato që i këshilluan shumë të urtë”- kujton Papa duke cituar Librin e Fjalëve të Urta.

Virtytet kryesore - shpjegoi Papa Françesku - nuk janë "privilegj” vetëm i jetës së krishterë; janë prej kohe trashëgim i urtisë së të parëve, veçanërisht, i mendimtarëve grekë. Në Ungjijtë, Jezusi flet për maturinë dhe i nxit vazhdimisht të tijtë të jenë të matur. "Një bote, ku sundon dukja, sundojnë mendimet e cekta, banaliteti, si i së mirës, ashtu dhe i së keqes - vërejti Françesku - meriton t’i rikthehet mësimi i lashtë i maturisë".

Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh i frikacak

Megjithatë, është e rëndësishme të sqarohet kuptimi i maturisë - theksoi Papa - do të ishte gabim, për shembull, të besohet se është karakteristikë "e   frikacakut", gjithmonë në dyshim për veprimin që duhet të bëjë. As nuk duhet të mendojmë për maturinë vetëm si për një formë kujdesi:  

“T'i japësh përparësi maturisë - sqaron - do të thotë se veprimi i njeriut është në duart e mençurisë dhe të  lirisë së tij. Njeriu i matur është krijues: arsyeton, vlerëson, përpiqet të kuptojë kompleksitetin e realitetit dhe nuk pushtohet nga emocionet, përtacia, presioni apo iluzionet”.

I matur është ai që është i aftë të zgjedhë

Për Shën Tomën, maturia është "aftësi për të qeverisur veprimet e për t'i drejtuar drejt së mirës" - kujtoi Papa Françesku duke nënvizuar në vijim se "i matur quhet ai ose ajo, që është në gjendje të zgjedhë" dhe se në jetën konkrete kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Shpesh "ne jemi të pasigurt dhe nuk e dimë cilën rrugë duhet të marrim":

“Kush është i matur, nuk bën zgjedhje rastësore: para së gjithash e di çka dëshiron, më pas ka parasysh situatat, kërkon këshilla dhe, me një vizion të gjerë e liri të brendshme, zgjedh rrugën që do të ndjekë”.

Të qeverisësh maturisht do të thotë të harmonizosh ndryshimet

Rënia në gabim është gjithmonë mundësi për ne, por me maturi mund t’i shmangim “gabimet e mëdha” - theksoi përsëri Papa - për të përshkruar më pas efektet e këtij virtyti tek njerëzit që kanë përgjegjësi dhe nuk duan të punojnë si ata, që i shikojnë cektësisht problemet:

“Ndërsa maturia është cilësi e atyre që thirren për të qeverisur: ata e dinë se administrimi është i vështirë, se ka shumë këndvështrime, se duhen përpjekje për t'i harmonizuar e se nuk duhet t’u bëjmë mirë vetëm disave, por të gjithëve”.

Maturia është të dish të ruash kujtesën e së kaluarës

Papa vëren se maturia të mëson shumë gjëra: se "më e mira është armiku i së mirës", se zelli i tepërt "mund të shkaktojë ndeshje dhe keqkuptime", se është e nevojshme të jesh largpamës dhe të kesh parasysh të kaluarën:

“Njeriu i urtë di ta ruajë kujtesën e së kaluarës, jo ngaqë ka frikë nga e ardhmja, por ngaqë e di se tradita është trashëgimi urtie. Jeta përbëhet nga mbivendosja e vazhdueshme e gjërave të vjetra e gjërave të reja, e nuk është mirë të mendojmë gjithmonë se bota fillon me ne, se problemet duhet t’i përballojmë gjithnjë duke nisur nga zeroja”.

Virtyti i maturisë në Ungjill

Jezusi - theksoi Papa Françesku - e vlerëson maturinë. Na kujton se "ai që e ndërton shtëpinë e tij mbi shkëmb është i matur" dhe lavdëron virgjëreshat e urta që nuk gjenden pa vaj për llambat e tyre, sepse "jeta e krishterë është shkrirje thjeshtësie e mendjemprehtësie”.

E, në përfundim, një këshill që vlen për të gjithë, në të gjitha kohët:

“Duke i përgatitur dishepujt e vet për mision, Jezusi i porosit: ‘Ja, unë po ju dërgoj si dele midis ujqërve; prandaj jini të matur si gjarpërinjtë, e të thjeshtë si pëllumbat’. Si të donte t’u thoshte se Zoti nuk na do vetëm shenjtorë, na do 'shenjtorë të zgjuar', sepse pa maturi është e lehtë të gabosh rrugë!”.

20 mars 2024, 11:40

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >