Kancelari gjerman Olaf Scholz, në audiencë me Françeskun
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku priti sot paradite në Pallatin Apostolik kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz. Më pas Scholz, siç informon një njoftim për shtyp nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, "u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Imzot Mirosław Wachowski, Nënsekretar për Marrëdhëniet me Shtetet".
Gjatë bisedimeve, migrimet dhe paqja në Ukrainë, Palestinë e Izrael
Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit - vijon nota - "u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Gjermanisë, me theks mbi rëndësinë e fesë së krishterë në shoqërinë gjermane". Më pas u prekën disa çështje me interes të përbashkët si fenomeni i migrimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua "konflikteve në Ukrainë dhe në Izrael e Palestinë si dhe impenjimit për paqen, në kërkim të palodhur të një zgjidhjeje diplomatike, që të çojë sa më shpejt të jetë e mundur në ndërprerjen e armiqësive”.
Shkëmbimi i dhuratave
Në kohën e shkëmbimit tradicional të dhuratave, Scholz i dhuroi Papës topin zyrtar të UEFA EURO 2024 dhe figurën e një ariu prej porcelani me stemën e Republikës Federale të Gjermanisë.
Nga Papa mori një vepër bronzi, me nënshkrimin "Duaj e Ndihmo”: figurë e një fëmije që ndihmon një tjetër të ngrihet; vëllimet e dokumenteve papnore; Mesazhin e këtij viti për Paqe dhe librin mbi Statio Orbis të 27 Marsit 2020, redaktuar nga LEV.