Papa Françesku e presidenti italian Sergio Mattarella Papa Françesku e presidenti italian Sergio Mattarella

Mattarella, Papës: nga thirrjet tuaja për paqen, gjithnjë, ide për reflektim

Presidenti i Republikës Italiane i dërgon një mesazh urimi Françeskut për 11-vjetorin e fillimit të papnisë: “Përballë sfidave të kohës sonë si luftërat, pabarazitë ekonomike dhe sociale, rreziqet mjedisore dhe inteligjenca artificiale, besimtarët dhe jobesimtarët ftohen të diskutojnë për të gjetur përgjigje në përputhje me mbrojtjen e dinjitetit njerëzor"

R.SH. – Vatikan

“Thirrjet tuaja të pandërprera për mbrojtjen e nevojtarëve, të të braktisurve, atyre që vuajnë nga konfliktet dhe dhuna, si edhe thirrjet për paqen, u kanë dhënë ide për reflektim gjithë njerëzve që, sinqerisht, i kushtohen kërkimit të zgjidhjeve të frymëzuara nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe kriteret e drejtësisë dhe të barazisë së vërtetë". Këto fjalë hapin mesazhin e presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dërguar sot, më 19 mars, Papës Françesku, me rastin e 11-vjetorit të fillimit të papnisë.

Sfidat e kohës sonë

Kreu i shtetit italian vë në pah "sfidat kryesore" të kohës sonë: "Jo vetëm luftërat, por edhe pabarazitë ekonomike dhe sociale në rritje, rreziqet mjedisore dhe pasojat etike të përdorimit të Inteligjencës Artificiale". Përballë tyre, shkruan ai në mesazh, “besimtarët dhe jobesimtarët duhet të konfrontohen me njëri-tjetrin për të gjetur përgjigje në përputhje me mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe me promovimin, në çdo fushë dhe rrethanë, të së mirës së përbashkët”.

Bashkëpunimi Itali-Seli e Shenjtë

Mattarella kujton se disa javë më parë u kremtua 95-vjetori i Pakteve të Lateranit dhe 40-vjetori i Konkordatit Republikan: "Me sigurinë se këto arritje historike kanë konsoliduar më tej bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë - thekson presidenti italian - dëshiroj t'ju shpreh mirënjohjen time të thellë për kujdesin tuaj ndaj popullit italian, dëshmuar edhe nga vizitat apostolike në Venecia, Verona dhe Trieste, që do të ndërmerrni së shpejti". Së fundi, Sergio Mattarella i bën Papës urimet për Pashkët e afërta.

19 mars 2024, 13:53