Në Madrid, koncert për paqen. Papa: faleminderit për ndihmën ndaj viktimave të luftës

Videomesazh i Françeskut, me rastin e koncertit të solidaritetit “Cadena 100”, i cili do të mbahet më 9 mars në kryeqytetin spanjoll. Të ardhurat do të ndihmojnë për mbështetjen e projektit të OJQ-së "Manos Unidas", e cila do të shpërndajë ndihma humanitare për më se 200 familje në Cisjordani dhe në Jerusalem. Papa falenderon artistët: "Nuk jeni kthyer nga ana tjetër"

R.SH. – Vatikan

“Falënderoj artistët që bashkojnë talentin me bujarinë e madhe për të ndihmuar viktimat e pafajshme, por sidomos, dëshmojnë se arti dhe muzika mund të bëhen lajmëtarë, mjete paqeje për të ndërtuar ura”. Me këto fjalë mirënjohjeje, Ati i Shenjtë u drejtohet organizatorëve të edicionit të pesëmbëdhjetë të koncertit të solidaritetit “Cadena 100 Por La Paz”, i cili do të mbahet të shtunën, më 9 mars, në Qendrën WiZink të Madridit. Veprimtaria, e organizuar nga Radioja Kombëtare Spanjolle, e cila i përket Konferencës Ipeshkvnore, do të mbështesë OJQ-në e Kishës Katolike në Spanjë "Manos Unidas", me ndihmën e artistëve të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që do të marrin pjesë në koncert për të kërkuar paqen.

Fjalët e Papës

Ati i Shenjtë i falenderon për nismën, e cila do të mbledhë fondet për “Manos Unidas”, që do t’i përdorë për ndihma humanitare në favor të më se 200 familjeve në Cisjordani dhe në Jerusalem.  "Faleminderit që nuk e ktheni kokën nga ana tjetër - u thotë Papa në videomesazh - faleminderit që impenjoheni për ata, që po vuajnë drejtpërdrejt pasojat e luftërave”. Iniciativa filloi nga Patriarkati Latin i Jerusalemit dhe do të përfshijë rreth një mijë njerëz, për të cilët do të blihen e do të shpërndahen batanije, veshje dhe këpucë të rënda, stufa, shishe me ujë të nxehtë dhe ujë. Për më të vegjlit, janë menduar pelena, biberona, sende higjienike dhe qumësht pluhur, ndërsa për nxënësit, mjete shkollore dhe gjëra të tjera të nevojshme.

Që nga 2 shkurti, biletat e koncertit janë shitur të gjitha në kohë rekord.

07 mars 2024, 13:36