Kërko

 Sinodo dei Vescovi - XX Congregazione Generale, 2023.10.28 Sinodo dei Vescovi - XX Congregazione Generale, 2023.10.28

Papa, nga gratë tek mjedisi dixhital në Kishë, temat që do të trajtohen në Sinod

Njerëzit e varfër, gratë, ipeshkvijtë, mediat dixhitale ndër temat që do të thellohen në Sinodin e ardhshëm. Me një letër drejtuar kardinalit Grech, Sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, Françesku njofton çështjet që dolën nga Raporti Përmbledhës i sesionit të parë të Asamblesë Sinodale të cilat kërkojnë studim të mëtejshëm në funksion të sesionit të dytë në tetor 2024. Për këto çështje janë ngritur grupet e studimit në detyrë deri në qershor të vitit 2025.

R.SH. / Vatikan

Në një letër drejtuar kardinalit Grech, Sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, Papa Françesku njofton çështje si,  roli i gruas në Kishë dhe misioni i saj në mjedisin dixhital, formimi i meshtarëve dhe zgjedhja e ipeshkvijve etj, që dolën nga Raporti Përmbledhës i sesionit të parë të Asamblesë Sinodale 2023 e të cilat, "për nga natyra e tyre, kërkojnë të trajtohen me një studim të thelluar të mëtejshëm, në kuadrin e sesionit të dytë të Sinodit që do të mbahet në tetor 2024. Për këto çështje,  si pjesë e rrugës sinodale të Kishës, janë ngritur grupe studimi, në detyrë deri në vitin 2025 dhe, të koordinuara nga Dikasteret kompetente të Kuries Romake, me “garant” Sekretarinë e Sinodit. Papa: të punohet me një stil "autentikisht sinodal".

"Pasi nuk është e mundur që ky studim të kryhet gjatë sesionit të dytë të Sinodit mbi sinodalitetin e Kishës (2-27 tetor 2024), shkruan Papa, kam vendosur që ato tematika t'u caktohen Grupeve specifike të Studimit, në mënyrë që të bëhet një ekzaminim adekuat”. “Grupet e Studimit do të ofrojnë një raport fillestar rreth aktiviteteve të tyre gjatë Sesionit të Dytë të Sinodit dhe, mundësisht, do të përfundojnë mandatin e tyre deri në qershor të vitit 2025”, shkruan akoma Papa.

Dhjetë çështje që Papa Françesku kërkon të trajtohen janë:

1. Disa aspekte të marrëdhënieve ndërmjet Kishave katolike lindore dhe Kishës latine; 2. Dëgjimi i britmës së të varfërve; 3. Misioni në mjedisin dixhital; 4. Rishikimi i dokumentit Ratio Fundamentalis Institutionis Sacerdotalis në një këndvështrim sinodal misionar; 5. Disa çështje teologjike dhe kanonike rreth formave të veçanta ministrore; 6. Rishikimi, nga këndvështrimi sinodal dhe misionar, i dokumenteve që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve, Jetës së Kushtuar, Shoqatave kishtare; 7. Disa aspekte të figurës dhe të shërbesës së Ipeshkvit (në veçanti: kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për Episkopat, funksioni gjyqësor i Ipeshkvit, natyra dhe kryerja e vizitave ad limina Apostolorum) në një këndvështrim sinodal misionar; 8. Roli i Përfaqësuesve Papnor në një këndvështrim sinodal misionar; 9. Kriteret teologjike dhe metodologjitë sinodale për një shoshitje a shqyrtim të përbashkët të çështjeve të diskutueshme doktrinore, baritore dhe etike; 10. Ndikimi i fryteve të rrugëtimit ekumenik në jetët konkrete kishtare.

14 mars 2024, 15:25