Kërko

Engjëlli i Tënzot Engjëlli i Tënzot

Papa: afërsi me vëllezërit myslimanë, që fillojnë Ramazanin

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u uroi gjithë myslimanëve fillimin e muajit të tyre të shenjtë. Këtë vit, përkimi i tij me Krezhmët katolike i bën besimtarët të ndihen edhe më afër. Lutje dhe agjërim për të kërkuar prej Zotit të vetëm dhuratën e paqes

R.SH. – Vatikan

 “Vëllezërit myslimanë fillojnë Ramazanin. U shpreh gjithë afërsinë time”. Me këto fjalë, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u uroi gjithë myslimanëve fillimin e muajit të tyre të shenjtë.

"Rast i volitshëm për nxitjen e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet feve, sidomos në ato rajone, ku janë më të qarta vështirësitë për një bashkëjetesë paqësore ndërmjet popullsive me fe të ndryshme". Ky është urimi kryesor në mesazhin edhe të disa prelatëve katolikë, kudo, dërguar besimtarëve myslimanë me rastin e fillimit të Ramazanit, muajit të shenjtë kushtuar agjërimit dhe lutjes.

Këtë vit, Ramazani përkon pjesërisht me Krezhmët katolike: agjërimi, lutja dhe kujdesi për vëllezërit më të brishtë, veçanërisht për më të varfërit, janë të përbashkëta për katolikë e myslimanë në jetën e tyre të përditshme. Kjo rastësi, pa dyshim, i bën ata të ndihen edhe më të afërt shpirtërisht, pasi të angazhuar në një udhëtim të përbashkët rinovimi të brendshëm, që shprehet në vepra mëshire.

Lutjet dhe agjërimet e myslimanëve e të katolikëve gjatë kohës së tyre të shenjtë bashkohen për t’i kërkuar Zotit forcë për vete e për familjet etyre, por edhe dhuratën e paqes e të drejtësisë në Izrael e Palestinë dhe në të gjitha vendet ku njerëzimi vuan nga lufta, varfëria, padrejtësia dhe vuajtjet. Që bota të jetë më e mirë dhe më e bukur për t’u banuar nga të gjithë.

 

11 mars 2024, 10:18