Papa Françesku rrëfen një meshtar (foto arkivi) Papa Françesku rrëfen një meshtar (foto arkivi) 

Papa do të rrëfejë, më 8 mars, disa besimtarë në famullinë e Shën Piut V në Romë

Kremtimi i njëmbëdhjetë i nismës së Kreshmëve "24 orë për Zotin", i dëshiruar nga Françesku, këtë vit përfshihet në Vitin e Lutjes. Tema e zgjedhur, “Ecja në një jetë të re”. Papa do të kryesojë kremtimin, gjatë të cilit besimtarët do të mund të marrin sakramentin e pajtimit. E do të mund të shkarkohet edhe një fletushkë e përgatitur nga Dikasteri për Ungjillëzimin.

R. SH. - Vatikan 

Është e njëmbëdhjeta herë që kremtohen “24 orë për Zotin”, nismë kreshmore e lutjes dhe e pajtimit, e dëshiruar nga Papa Françesku, e cila  jetohet çdo vit në dioqezat e mbarë botës në prag të së Dielës IV të Kreshmëve. Motoja e zgjedhur nga Papa për këtë kremtim, i cili do të mbahet nga e premtja 8 - deri të shtunën më 9 mars - është marrë nga kapitulli 6-të i Letrës drejtuar Romakëve: “Ec në një jetë të re”. Në përgatitje për Pashkët e Ngjalljes së Krishtit, të premten në mbrëmje dhe gjatë gjithë ditës së shtunë, propozohet që bashkësitë kishtare të parashikojnë hapjen e jashtëzakonshme të kishave, për t'u ofruar besimtarëve mundësinë të ndalen në adhurim në çdo kohë si dhe mundësinë e rrëfimit.

Papa në famulli

Kremtimi i kësaj radhe është pjesë e Vitit të Lutjes dhe 24 Orët për Zotin do të jenë mundësi për përvojën e lutjes e të së faljes. Që nga viti i kaluar, për një kremtim më të mirë në praninë e bashkësisë së famullisë, Papa Françesku e ka kryesuar festën në një nga famullitë e qytetit të Romës. Sivjet liturgjia me Papën do të kremtohet të premten, më 8 mars 2024, në orën 16.30 në famullinë e Shën Piu V (Largo San Pio V, 3). Gjatë kremtimit do të ketë mundësi që të gjithë besimtarët të marrin sakramentin e pajtimit. Edhe Papa Françesku do të dëgjojë disa rrëfime të pendestarëve.

Përgatitet një Kartë për lutje

Dyert e hapura të kishave janë simbol i dashurisë së mëshirshme të Zotit. Në përgatitje për takimin, Dikasteri për Ungjillëzimin botoi një ndihmë baritore për lutje personale dhe këshilla për festime në bashkësi. Përsëritet edhe propozimi për dioqezat dhe famullitë, në Itali dhe në mbarë botën, për ta kremtuar çastin e lutjes edhe në bashkësinë e tyre. Ndihma mund të shkarkohet pa pagesë, në variantet italiane, angleze, spanjolle, portugeze, polake dhe franceze, nga faqja e internetit e Dikasterit.

04 mars 2024, 13:15