Papa takohet me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin Papa takohet me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin

Françesku: duhet t’i japim përgjigje shekullarizmit

Papa takohet me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin. Me ta, reflekton për problematikat në transmetimin e fesë, duke i ftuar të promovojnë përshpirtërinë e mëshirës: duhet t’u japim të rinjve përgjigje të frytshme për të kapërcyer shekullarizmin. Për Jubileun, jo vetëm vepra strukturore, por edhe bashkësi të gjalla

R.SH. – Vatikan

Tema e shekullarizmit, në qendër të fjalës, që Papa Françesku kishte përgatitur për audiencën e paradites me Dikasterin vatikanas për Ungjillëzimin, lexuar nga një bashkëpunëtor, për shkak se Ati i Shenjtë ende ndihet i ftohur. “Mendimi im i parë – shkruan Papa – shkon në kushtet e disa Kishave lokale, ku shekullarizmi i dekadave të kaluara ka shkaktuar vështirësi të jashtëzakonshme: nga humbja e ndjenjës së përkatësisë në bashkësinë e krishterë, në indiferencën përsa i përket fesë dhe përmbajtjes së saj. Janë probleme serioze, me të cilat duhet të përballen çdo ditë shumë vëllezër, por nuk duhet të shkurajohemi. Shekullarizmi është studiuar shumë e për të janë shkruar faqe të tëra. I njohim pasojat negative që ka sjellë, por kjo është kohë e favorshme për të kuptuar cila është përgjigjja më e mirë, që duhet t’u japim brezave të rinj, në mënyrë që ata të rigjejnë kuptimin e jetës”.

Kultura e re dixhitale, problematike

 Për Atin e Shenjtë, “thirrja për autonominë e njeriut, një nga pretendimet e shekullarizmit, nuk mund të teorizohet si pavarësi nga Zoti, sepse pikërisht Zoti garanton lirinë e veprimeve personale. E kultura e re dixhitale, e cila paraqet shumë aspekte interesante për përparimin e njerëzimit – mjafton të mendojmë për mjekësinë dhe për mbrojtjen e Krijimit – nga ana tjetër, bart në vetvete edhe një botëkuptim problematik mbi njeriun nëse i referohemi kërkesës për të vërtetën, që banon në çdo person, bashkë me kërkesën për liri në marrëdhëniet ndërpersonale e shoqërore”.

Jubileu, jo vetëm vepra strukturore

Tjetër temë, që trajton Papa në fjalimin për Dikasterin e Ungjillëzimit është ajo e Jubileut të vitit 2025. “Do të jetë Jubile, në të cilin duhet të dalë në pah forca e shpresës – shkruan Françesku. – Pas disa javësh do të botoj Letrën Apostolike për shpalljen e tij zyrtare: uroj që ato faqe të ndihmojnë shumë vetë për të reflektuar e, sidomos, për ta jetuar konkretisht shpresën”. “Është e nevojshme që mikpritja e shtegtarëve të shprehet, përveçse me vepra strukturore e kulturore, edhe duke u dhënë atyre mundësinë ta jetojnë përvojën e fesë, të kthesës e të faljes, përmes takimit me një bashkësi të gjallë, që jep dëshmi gëzueshëm e bindshëm”, përfundon Papa.

15 mars 2024, 13:18