Kërko

Papa takohet me bashkësinë  e Spitalit Pediatrik Bambin Gesù Papa takohet me bashkësinë e Spitalit Pediatrik Bambin Gesù  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa familjes “Bambin Gesù”. Forca juaj është dhurimi i dashurisë

Françesku priti në Vatikan, bashkësinë e Spitalit pediatrik të Selisë së Shenjtë, që nuk kryen "një punë, si shumë të tjera", por një mision. Në fjalimin e lexuar nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, Papa nënvizon "përkushtimin e një jete të tërë" dhe "dhurimim e kohës në vullnetariat".

R. SH. - Vatikan

I ngarkuar me histori dhe ardhmëri, për t'u gërshetuar edhe me hapat inkurajues të kërkimit, përqafimi i Papës Françesku me punonjësit e 6  selive të Spitalit Pediatrik Bambino  Gesù. Mjekë, infermierë, studiues, personel administrativ, pacientë dhe familje dëgjuan, në Sallën Pali VI, fjalët e Papës. Në rreshtat e parë shkëmbeheshin buzëqeshjet e mbi 200 fëmijëve, mes të cilëve edhe vocrrakë të huaj, ardhur “nga skajet  e botës”, ku nuk do të kishin asnjë mundësi përkujdesjeje apo asistence, sepse në vise të shkatërruara nga lufta, si Ukraina e Gaza. Takimi ishte fryt i 100-vjetorit të dhurimit të spitalit Papës Piu XI, nga familja Salviati. Që nga ajo datë, 20 shkurt 1924, Spitali Pediatrik i Krishtit Fëmijë, i pari spital italian  kushtuar tërësisht fëmijëve, u bë për të gjithë "Spitali i Papës".

Jetë, që ndihmojnë jetën!

Me mbërritjen e Papës Françesku në Sallën Pali VI, një grup fëmijësh shpalosën një pankartë me parullën "Jetë, që ndihmojnë jetën", fjalë që shoqërojnë nisma të ndryshme të planifikuara për vitin 2024. Disa pacientë i ofruan Papës një shportë me mendimet shkruar për të nga fëmijët dhe adoleshentët e shtruar në selitë e ndryshme të Spitalit Pediatrik Bambino Gesù. Françesku, për të mos u lodhur, i kërkoi imzot Filippo Ciampanellit,  i Sekretarisë së Shtetit, të lexonte fjalimin.

Në tekst Papa nënvizon se kur shkon te "Krishti Fëmijë" provon dy ndjenja të kundërta: "dhimbje për vuajtjet e fëmijëve të sëmurë dhe prindërve të tyre", e “shpresë të madhe, duke parë gjithçka bëhet për t’i shëruar”. Françesku tregon tre aspekte që shënojnë historinë e këtij institucioni: dhurata, kujdesi dhe bashkësia.

Dhurata

Në vokacionin e "Bambino Gesù", “sot një nga qendrat më të mëdha të kërkimit dhe trajtimit pediatrik në Evropë", "elementi i dhuratës, me vlerat e faljes, bujarisë, gatishmërisë dhe përvujtërisë", mbetet themelor. Dhe është bukur të kujtosh - shton Papa - gjestin e fëmijëve të Dukeshës Arabella Salviati që “i dhuruan nënës së tyre kokmen apo kutinë ku ruanin paratë e falura, për të ndërtuar një spital për fëmijët”. Në të njëjtën mënyrë - kujton Françesku - është mirë të përmendim, në ditët tona, "bujarinë e shumë dashamirësve, falë të cilëve u bë e mundur të krijohej, në Passoscuro, një Qendër e Kujdesit Paliativ për pacientët shumë të vegjël, që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme":

“Vetëm në këtë dritë mund ta kuptoni plotësisht vlerën e asaj që bëni, nga gjërat më të vogla deri tek ato më të mëdhatë, dhe mund të vazhdoni të ëndërroni për të ardhmen. Le të mendojmë, për shembull, perspektivën e një selie të re në Romë, me marrëveshjen e Selisë së Shenjtë dhe Shtetit Italian. Ashtu si edhe angazhimin e rëndësishëm ekonomik, të zakonshëm e të jashtëzakonshëm lidhur me mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e strukturave dhe pajisjeve; me garantimin e cilësisë profesionale të mjekëve dhe operatorëve; me kërkimin shkencor; deri në pritjen e fëmijëve nevojtarë nga e gjithë bota,  pa dallim gjendjeje sociale, kombësie apo feje. Në të gjitha këto, dhurata është element i domosdoshëm i pranisë suaj dhe i veprimit tuaj”.

Mjekimi

Mjekimi - vëren Françesku - është detyra e parë që i takon sot Spitalit Bambino Gesù. Kjo aftësi është përgjigja konkrete "ndaj kërkesave të dëshpëruara për ndihmë nga familjet që e kërkojnë dhe, kur është e mundur, edhe shërim për fëmijët e tyre". Dhe "epërsia në kërkimin biomjekësor" është tejet e rëndësishme:

“Ju inkurajoj ta kultivoni atë me dëshirën për të dhuruar çka keni më të mirë nga vetja dhe me vëmendje të veçantë ndaj më të brishtëve, siç janë pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, të rralla ose tejet të rralla. Jo vetëm kaq, por që shkenca dhe ekspertiza të mos mbeten privilegj i disave, ju bëj thirrje të vazhdoni t'i vini frytet e kërkimit tuaj në shërbim të të gjithëve, veçanërisht aty ku ka nevojë më të madhe, siç bëni ju, për shembull, duke kontribuar për formimin e mjekëve dhe infermierëve afrikanë, aziatikë dhe të Lindjes së Mesme. Duke folur për trajtimin, ne e dimë se sëmundja e një fëmije prek të gjithë anëtarët e familjes së tij. Për këtë arsye, është ngushëllim i madh të dish se ka shumë familje të mbështetura nga shërbimet tuaja, të mirëpritura në ambientet e lidhura me spitalin dhe të shoqëruara nga dashamirësia dhe afërsia juaj. Ky është  element kualifikues, që nuk duhet anashkaluar asnjëherë, edhe nëse e di që ndonjëherë punon në kushte të vështira. Përkundrazi, ne mund të flijojmë diçka tjetër, por jo mirësinë dhe butësinë”.

Bashkësia

Pika e tretë që kujtoi Papa, ishte ajo e bashkësisë. Një nga shprehjet më të bukura që përshkruan misionin e “Krishtit Fëmijë” - nënvizoi Papa - është “Jetë, që ndihmojnë jetën”. “Është e bukur, sepse flet për një mision të kryer së bashku, me një veprim të përbashkët ku dhurata e secilit ka vendin e saj”. E kjo është “forca dhe parakushti i vërtetë për të përballuar edhe sfidat më të vështira”.

“E kjo, sepse jotja nuk është një punë si shumë të tjera: është mision, që gjithkush e kryen ndryshe. Për disa, përfshin përkushtimin e një jete të tërë; për të tjerët, ofrimin e kohës si vullnetar; për të tjerët ende, dhurimin e gjakut të tyre, qumështit të tyre - për të porsalindurit e shtruar në spital, nënat e të cilëve nuk mund ta sigurojnë atë - deri në dhurimin e organeve, qelizave dhe indeve, të ofruara nga njerëzit e gjallë ose të marra nga trupat e njerëzve të vdekur. Dashuria i shtyn disa prindër në gjestin heroik të dhënies së pëlqimit për dhurimin e organeve të fëmijëve të tyre, që nuk ia dolën. Në të gjithë këtë ajo që del në pah është një “të bëjmë së bashku”, ku dhuratat e ndryshme kontribuojnë në të mirën e pacientëve të vegjël”.

Pas fjalimit të lexuar nga Imzot Ciampanelli, Papa bekoi të sëmurët, mjekët, infermierët dhe "të gjithë njerëzit - kujtoi - që punojnë në këtë spital dhe për këtë spital".

Më në fund, përshëndetja e Françeskut për të gjithë bashkësinë e spitalit të Selisë së Shenjtë.

Spitali i Papës

Ai spital i vogël në Kodrën Gianicolo, që në vitin 1924 iu dhurua Selisë së Shenjtë, është sot një nga qendrat më të mëdha akademike për kërkimin dhe kujdesin pediatrik në Evropë. Pikë referimi për familjet jo vetëm në Romë dhe Lacio, por në Itali dhe në botë, ai ka 6 seli, të cilat ofrojnë 627 shtretër dhe bëjnë afërsisht 95,000 vizita në urgjencë, 30,000 shtrime në spital, mbi 32,000 procedura kirurgjikale dhe ndërhyrje. Ndër sektorët më inovativë të trajtimit janë transplantologjia, sëmundjet gjenetike dhe metabolike, kardiologjia mjekësore dhe kirurgjikale, neuroshkencat, onkohematologjia dhe rehabilitimi. Ndihma mjekësore shoqërohet me një aktivitet intensiv kërkimor. Çdo vit, mbi 300 pacientë mirëpriten në baza humanitare nga spitali, i cili përfshihet në projekte bashkëpunimi ndërkombëtar në 18 vende, për formimin e personelit të kujdesit shëndetësor dhe ofrimin e ndërhyrjeve shumë të specializuara.

16 mars 2024, 12:08