Kërko

Papa, ipeshkvijve të Umbrias: jini pranë popullit të shenjtë të Zotit!

Një bisedë spontane, "familjare dhe vëllazërore", e cila zgjati rreth dy orë. Secili ipeshkëv foli, me frymë kritike dhe pika të forta, për gjendjen në kishën e tij "Po kthehemi në shtëpi të ngushëlluar nga fjala dhe afërsia atërore e Papës", tha Imzot Boccardo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Umbrias.

R. SH. - Vatikan

 “Takimi me Atin e Shenjtë ishte, e them pa ngurrim, dhuratë hiri për popullin tonë e për shërbesën tonë: dhuratë që sigurisht do të jetë bekim për dioqezat tona”. Kështu, Imzot Bokardo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Umbrias, flet në Vatican News për bisedën e Papës Françesku sot paradite, 18 mars, me ipeshkvijtë e zonës, gjatë vizitës së tyre ad limina.

"Pothuajse dy orë takim" - vijon Imzot Boccardo - në të cilin Papa i kënaqi prelatët me fjalë plot dashamirësi: "Ne jemi këtu bashkë. Të flasim, prandaj, lirshëm. Thojeni atë që dëshironi, e unë do të jem i lumtur t'ju dëgjoj". E kështu secili ipeshkëv foli për situatën në bashkësinë e tij, duke i kërkuar Papës këshilla konkrete për mënyrën e vijimit të shpalljes së Ungjillit.

Katër "afërsitë"

Ndërmjet këshillave që u dha Papa ipeshkvijve, janë të ashtuquajturat "katër afërsitë", që duhet t’i respektojë ipeshkvi. "Këtë ua kujtoj të gjithë ipeshkvijve, që vijnë" - saktësoi Ati i Shenjtë - duke u nisur nga "afërsia me Zotin. Ipeshkvi - vijoi - duhet të jetë para së gjithash njeri i lutjes; të ketë afërsi me vëllezërit në ipeshkvi, afërsi me meshtarët,  e duhet të jetë atë e vëlla për secilin prej priftërinjve, bashkëpunëtorë të çmuar të shërbesës ipeshkvnore.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Imzot Bokardo u ndalua tek afërsia me popullin e Zotit: "Françesku tregoi se si Shën Pali, duke folur me dishepullin e tij, Timoteun, i kujtoi fenë që kishte marrë nga nëna dhe gjyshja e tij". Ftesa e Papës ishte: "Ne e morëm besimin nga populli i krishterë, nga familjet tona dhe prandaj duhet të jemi gjithnjë pranë tyre".

Duke i përshëndetur prelatët, Françesku nuk harroi t'u përcillte edhe meshtarëve dashurinë, afërsinë dhe falënderimet e tij për kushtimin e tyre në "shërbesën e përditshme".

18 mars 2024, 15:56