Papa: kërkova studime për ideologjinë gjinore, rreziku më i shëmtuar
R.SH. / Vatikan
Papa e ka dënuar në shumë raste ideologjinë gjinore, duke e cilësuar "kolonizim ideologjik", "shprehje zhgënjimi dhe dorëheqjeje", ose "tejet e rrezikshme". Kështu edhe herën e fundit në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, në fillim të vitit. Sot Papa Françesku e stigmatizoi sërisht ideologjinë e gjinisë dhe njoftoi se ka “kërkuar të kryhen studime mbi këtë ideologji të shëmtuar të kohës sonë”, e cila “i sheshon dallimet dhe e bën gjithçka të njëjtë”.
Papa Françesku foli rishtas për këtë në audiencën e sotme, në Vatikan, me pjesëmarrësit në takimin titulluar "Burrë-grua, shëmbëllim i Zotit. Për antropologjinë e thirrjeve”, udhëhequr nga Kardinali Marc Ouellet, prefekt nderi i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvij. Takimi zhvillohet në Vatikan sot dhe nesër, 1 dhe 2 mars, në praninë e studiuesve, filozofëve, teologëve, pedagogëve, për të reflektuar mbi antropologjinë e krishterë, pluralizmin, dialogun ndërmjet kulturave e, sidomos, për të ardhmen e krishterimit.
Për shkak të ftohjes, që e mundon prej ditësh - ashtu si në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa caktoi bashkëpunëtorin e tij, Imzot Filippo Ciampanelli të lexojë tekstin e përgatitur: “Ju kërkoj ta lexoni, kështuqë të mos lodhem shumë. Jam ende i ftohur dhe lodhem paksa duke lexuar”, shpjegoi. Megjithatë, së pari, Françesku deshi t'u drejtojë të pranishmëve disa fjalë lirisht, në mënyrë që të nënvizonte rëndësinë e një takimi të tillë burrash dhe grash, "sepse sot - theksoi - rreziku më i shëmtuar është ideologjia gjinore, e cila i sheshon dallimet".
Reflektim që vijon…
“Kërkova të bëja studime për këtë ideologji të shëmtuar të kohës sonë - kujtoi Papa - që fshin dallimet dhe e bën gjithçka të njëjtë; të fshish dallimet do të thotë të fshish nga faqja e dheut njerëzimin. Burri dhe gruaja, megjithatë, janë në një ‘tension" të frytshëm’.
Që në qershor 2019, Kongregacioni i atëhershëm për Arsimin Katolik, pati publikuar një dokument të titulluar “Mashkull dhe Femër i krijoi. Për një udhë dialogu mbi çështjen e gjinisë në edukim”, mjet i dobishëm për të trajtuar debatin mbi seksualitetin njerëzor dhe sfidat që dalin në kohën aktuale të emergjencës arsimore. Sot Françesku shpjegoi se reflektimi mbi këtë temë vazhdon.
Lexoni librin "Mjeshtër i botës" nga Robert Hugh Benson
Si në raste të tjera - duke filluar me udhëtimin e kthimit nga Filipinet, kur gazetarët në aeroplan i kërkuan të shpjegonte më mirë konceptin e atëhershëm të porsalindur të "kolonizimit ideologjik" kujtuar gjatë takimit me familjet në Manila - Jorge Mario Bergoglio këshillon të lexohet romani “Zoti i botës” i shkruar më 1907, në Londër, nga Robert Hugh Benson. Një vepër distopike, përshkrim i rreziqeve dhe pasojave që rrjedhin nga standardizimi:
“Më kujtohet se kam lexuar një roman nga fillimi i nëntëqindës, shkruar nga djali i kryeipeshkvit të Canterbury-t. Titullohet ‘Zoti i botës’. Romani flet për të ardhmen dhe është profetik, sepse kujton pikërisht prirjen e fshirjes së të gjitha dallimeve. Është interesante ta lexosh, nëse ke kohë, sepse prek pikërisht këto probleme të ditëve të sotme. Ishte profet ai njeri”
Burri dhe gruaja nuk janë pjesë e një ingranazhi mekanik
Në kontekstin e dhënë, Françesku përqendrohet në rëndësinë e fillimit, në nivel akademik, të reflektimit mbi thirrjet në Kishë dhe në shoqëri, duke vlerësuar përmasën e tyre antropologjike dhe duke u nisur nga "e vërteta elementare dhe themelore" se e gjithë "jeta e qenia njerëzore është thirrje”. Dmth shprehet në dëgjim, në përgjigje, në ndarjen e vetvetes dhe të dhuratave "me të tjerët" dhe "për të mirën e përbashkët". Ky është zbulimi që “na nxjerr nga izolimi i egos vetë-vlerësuese dhe na bën ta shikojmë veten si identitet në marrëdhënie: Unë ekzistoj dhe jetoj në raport me këdo që më krijoi, me realitetin, me të tjerët dhe me botën që më rrethon, e cila më bën thirrje të përqafoj me gëzim dhe përgjegjësi një mision specifik e personal”, nënvizoi Papa.
Disa nga pjesëmarrësit në kuvendimi e Vatikanit
Jeta e secilit nesh nuk është aksident…
Në përfundim Françesku porositi të mos i zihet fryma “tensionit të shëndetshëm shpirtëror”, që e ka secili brenda vetes, apo thënë ndryshe, thirrjes “për të qenë i lum, për ta jetuer plotësisht jetën, që na u dhurua, a për të bërë ndonjë vepër të madhe, që na e caktoi vetë Zoti:
“Jeta e secilit prej nesh, nga e cila askush nuk përjashtohet, nuk është incident në kalim; jeta jonë në këtë botë nuk është fryt i rastit, sepse ne bëjmë pjesë në një plan dashurie e jemi të ftuar të dalim nga vetvetja e ta realizojmë, për vete e edhe për të tjerët”.