Papa: lufta është tmerr, bëni të gjitha përpjekjet për bisedime e paqe
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, pas leximit të katekizmit nga rregulltari rozminian Atë Pierluigi Giroli, i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Papa Françesku kërkoi lutje për Ukrainën dhe Tokën Shenjte e, duke përshëndetur italisht, bëri thirrje për t'i dhënë fund luftimeve. Më pas kujtoi edhe solemnitetin e Shën Jozefit, kremtuar dje, duke theksuar se Ati i kujtuar i Krishtit na fton t’ia "besojmë mbrojtjes së tij Kishën dhe mbarë botën”, e edhe ata, që po jetojnë ditë dramatike për shkak të luftës:
“Shën Jozefit ia besojmë edhe popullsinë e Ukrainës e të Tokës Shenjte, që vuajnë aq shumë nga tmerri i luftës. E, të mos harrojmë kurrë: lufta është gjithmonë disfatë”.
Papa bëri përsëri thirrje që të gjendet një zgjidhje, e cila u jep fund konflikteve, sepse "me luftë nuk mund të shkohet përpara":
“Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të biseduar, për t'i dhënë fund luftës. Të lutemi për këtë”.
"Askush nuk është zot i jetës"
Pak më parë, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë të cilët më 24 Mars festojnë Ditën Kombëtare të Jetës, Atë Giroli kujtoi ëndrrën e Papës Françeskut, disa vite më parë. “Duke shkruar për Evropën, pati kujtuar se Polonia është tokë që mbron jetën në çdo çast, që nga çasti kur lind në barkun e nënës - e deri në fundin e tij të natyrshëm”.
"Askush nuk është zoti i jetës - nënvizon Françesku - as i jetës së vet e aq më pak, i të tjerëve".