Papa: mbetet ende shumë për t’u bërë që të njihet dinjiteti i barabartë i grave
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku kujdeset për gratë, të drejtat dhe vlerësimin e tyre brenda Kishës e shoqërisë. Ai ka bërë shumë ndërhyrje me këtë temë, ndërsa sot, në përfundim të Lutjes së Engjëllit, në Sheshin e Shën Pjetrit, shfrytëzoi rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, festuar dy ditë më parë, e premte 8 mars, për t'iu rikthyer kësaj teme:
“Dua t’u drejtoj një mendim dhe t‘u shpreh afërsinë time të gjitha grave, veçanërisht atyre, të cilave nuk u vlerësohet dinjiteti. Ka ende shumë punë, që secili prej nesh duhet ta bëjë, për t’u njohur konkretisht dinjiteti i barabartë i gruas”.
Papa kërkon të veprohet konkretisht, në mënyrë që gratë të respektohen e, në veçanti, të inkurajohet amësia e tyre. Ndaj pohoi:
“Institucionet, shoqërore dhe politike kanë detyrë themelore ta mbrojnë dhe ta promovojnë dinjitetin e çdo njeriu, duke u ofruar të gjitha grave, mbartëse të jetës, kushtet e nevojshme për të mirëpritur dhuratën e jetës dhe për të garantuar që fëmija të jetojë një jetë të denjë”.
Gratë e bëjnë botën më të bukur
Në një postim në X, më 8 marsin e kaluar, Papa Françesku u shpreh kështu për gratë:
“Gratë e bëjnë botën më të bukur, e mbrojnë dhe e mbajnë gjallë. Ata sjellin hirin e përtëritjes, përqafimin e përfshirjes dhe guximin për të dhuruar vetveten. Paqja, pra, lind nga gratë, lind dhe rindizet nga butësia e nënave”.