Françesku: mundimet e Krishtit lënshin në ne gjurmë të pashlyeshme

Françesku u drejtohet me një video-mesazh Vëllazërive të Meridës, qytet spanjoll i njohur për kremtimin e Udhës së Kryqit rreth monumenteve të lashta me origjinë romake. Mos harroni se Java Shenjte është "kohë hiri", për t'iu kushtuar lutjes dhe vëllezërve që kanë më shumë nevojë. "Në praninë e Zotit", të tjerët të na duken si vëllezër e motra, jo si armiq, e të vijojmë të ndahemi gjithnjë e më shumë"

R. SH. - Vatikan

Merida është një nga qytetet më të pasura të Spanjës, me aq monumente romake, sa të quhet "Roma spanjolle". U themelua si koloni nga ushtarët veteranë të Augustit, në vitin 25 para Krishtit. Në qendrën historike të saj ndodhen, ndërmjet tjerash, Harku i Trajanit, Ura Romake, Tempulli i Dianës, Amfiteatri Romak. Pikërisht rreth këtyre vendeve kremtohen procesionet, paradat e, gjatë Javës së Madhe, edhe Udha e Kryqit.

Në lidhje shpirtërore me Meridën

Në video-mesazhin drejtuar vëllazërive të shumta vendase, që marrin pjesë në këto manifestime të fesë popullore, Papa vëren se "shumë pak qytete mund t'i rijetojnë ato ditë që ndryshuan historinë e njerëzimit 2000 vjet më parë, të njëkohshme me ato në të cilat mundohej Krishti”. Papa siguron afërsinë e tij shpirtërore me ngjarjen që do të përjetohet në Merida:

“Këtë vit, ndërsa marr pjesë në lutjen e Udhës së Kryqit pranë Koloseut, në Romë, do të kem parasysh se edhe ju po e festoni në Amfiteatrin mbresëlënës romak të Meridës, ku mblidhen së bashku besimtarë nga e gjithë bota”.  

Java e Madhe nuk është një shfaqje

Kryedioqeza e Mérida-Badajoz - nënvizon Françesku - po kremton një vit të veçantë, Vitin Jubilar Eulalian, që nderon kujtimin e Shën Eulalias,  vashës martire, "kulti i së cilës e bëri Meridën djep të krishterimit hispanik dhe cak shtegtimesh gjatë historisë". Në vijim Papa kujtoi kohën kur iu paraqit në Romë programi i festimeve. Prej këndej, vëllazërive që gjatë gjithë vitit punojnë për përgatitjen e Javës së Madhe - në mënyrë që ajo "të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe të përhershme" tek ata që marrin pjesë – u kujton se përsëritja e Mundimeve të Krishtit "nuk është shfaqje, është shpallje e shëlbimit tonë" dhe "për këtë arsye, duhet të lërë gjurmë të pashlyeshme".

Para Zotit të gjithë ndihemi si motra e vëllezër

Në Javën e Madhe - vijon Papa në videomesazh - “është e nevojshme t'i kushtohet kohë lutjes”, Fjalës së Zotit e t'i kushtohet edhe vëmendje, sipas shembullit të samaritanit, “kur takojmë ndonjë vëlla të plagosur”. Duke cituar disa pjesë nga Mesazhi i sivjetshëm për Kreshmën, Papa kujton se: "Dashuria për Zotin dhe për të afërmin është një dashuri e vetme. Në praninë e Zotit ne bëhemi motra dhe vëllezër, i ndjejmë të tjerët me  forcë të re"; në vend që t'i shikojmë si armiq dhe të ndahemi gjithnjë e më shumë prej tyre”.

Hape zemrën dhe shko drejt të tjerëve

Java që i paraprin Pashkëve të Ngjalljes, "është kohë hiri, që Zoti na e jep në mënyrë që të hapim dyert e zemrave tona" dhe të bashkësive tona, prandaj Papa përsërit:

"Të hapim" dhe "të dalim": kjo na kërkohet në Javën e Madhe: ta hapim zemrën dhe të shkojmë tek Jezusi e tek të tjerët, e edhe për të çuar kudo dritën dhe gëzimin e fesë sonë. Të dilni gjithmonë! Dhe ta bëni me dashurinë dhe me butësinë e Zotit, me respekt e durim, duke e ditur se ne i vëmë në lëvizje duar, këmbë, zemër, por se është Zoti ai që na drejton dhe na tregon rrugën”.

Lutje për familjet dhe për ata në vështirësi

Papa Françesku e mbyll mesazhin e tij drejtuar Vëllazërive të qytetit të lashtë spanjoll me një mendim të veçantë për familjet "që kanë një të dashur të sëmurë", për ata që janë vetëm, për ata që kalojnë çaste të vështira ekonomike e, në përfundim, për të rinjtë "të cilët janë e tashmja dhe e ardhmja" e vetë Vëllazërive të Meridës.

17 mars 2024, 11:18