Papa në prurimin e vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit Papa në prurimin e vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: në ushtrimin e drejtësisë duhet guxim, pa protagonizëm

Në audiencën për inaugurimin e vitit të 95-të gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, Françesku nënvizon se përballë padrejtësive dhe provave shumë të ashpra, si luftërat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, nuk duhet të dorëzohemi, por të shprehim përbuzjen e të kemi forcë për t’i ndryshuar "realitetet e papranueshme"

R. SH. - Vatikan

Guximi, njëheresh me burrërinë, siguron "qëndresën në kërkimin e së mirës dhe e bën njeriun të aftë për t’i përballuar provat". Në audiencën me rastin e përurimit të vitit të 95-të gjyqësor të Gjykatës vatikanase, Papa reflektoi mbi këtë virtyt, që nuk është "cilësi të veçantë e shpirtit njerëzor, por karakteristike për  heronjtë". Ashtu si ditët e fundit, Françesku, ende i ftohur, ia la leximin e fjalimit imzot Filippo Ciampanellit, të Sekretarisë së Shtetit.

Guximi është forcë për të mos iu dorëzuar padrejtësive

Në reflektimin e tij Papa nënvizoi se për guximin rimendohet "pas ngjarjeve që ndikojnë në zbatimin e drejtësisë, madje edhe në Shtetin e Qytetit të Vatikanit". Ky virtyt - shton teksti - është "tipar që jepet dhe forcohet në takimin me Krishtin, si fryt i veprimit të Shpirtit Shenjt, që secili nesh mund ta marrë, nëse e kërkon". Guximi - shkruhet në vijim - ia merr mendtë të korruptuarve dhe “i flak, si të thuash, në një qoshe, me zemër të mbyllur e të bërë gur”:

“Edhe në shoqëritë e mirëorganizuara, të mirërregulluara dhe të mbështetura nga institucionet, guximi personal është gjithmonë i nevojshëm për të përballuar situata të ndryshme. Pa këtë guxim të shëndetshëm, ne rrezikojmë të dorëzohemi dhe të përfundojmë duke anashkaluar shumë abuzime të vogla dhe të mëdha. Ata që janë të guximshëm nuk synojnë protagonizmin e tyre, por solidaritetin me vëllezërit dhe motrat  që mbartin peshën e frikës dhe të dobësive të tyre. Këtë guxim e shohim me admirim te shumë burra dhe gra që përballojnë prova tejet të vështira: të mendojmë për viktimat e luftërave ose për ata që u nënshtrohen shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të krishterët e shumtë të persekutuar. Përballë këtyre padrejtësive, Shpirti Shenjt na jep forcën për të mos u dorëzuar, ngjall tek ne neveri e zemëratë:neverinë përballë këtyre realiteteve të papranueshme dhe guximin për t'i ndryshuar ato”.

Duhet guxim për të nxjerrë në dritë të vërtetën

Me guxim - theksoi Françesku - jemi thirrur t’i përballojmë edhe vështirësitë e jetës së përditshme, në familje e në shoqëri, të angazhohemi për të ardhmen e fëmijëve tanë, të ruajmë shtëpinë tonë të përbashkët, të pranojmë përgjegjësitë tona profesionale. Duke iu drejtuar punonjësve të Gjykatës së Vatikanit, Papa nënvizon se së bashku me maturinë dhe drejtësinë, "detyra e gjykimit kërkon virtytet e qëndresës dhe të guximit, pa të cilat dituria rrezikon të mbetet sterile". "Duhet guxim – kujtohej në tekstin e Papës - për të shkuar deri në përfundimin rigoroz të së vërtetës".

“Kjo vlen edhe kur shfaqen e duhet të gjykohen sjellje veçanërisht serioze dhe shkandulluese, aq më tepër kur ndodhin brenda bashkësisë së krishterë. Duhet guxim, ndërkohë që je i zënë me sigurimin e zhvillimit të drejtë të gjykimeve dhe je subjekt i kritikave. Fuqia e institucioneve dhe qëndrueshmëria në dhënien e drejtësisë demonstrohen nga qetësia e gjykimit, pavarësia dhe paanshmëria e atyre që thirren të gjykojnë në faza të ndryshme të procesit. Përgjigja më e mirë është heshtja e zellshme dhe angazhimi serioz në punë, të cilat u mundësojnë gjykatave tona ta mbarshtrojnë drejtësinë me autoritet dhe paanshmëri, duke garantuar një proces të rregullt, në përputhje me veçoritë e sistemit gjyqësor të Vatikanit”.

Guximi mund të mbështetet nga lutja

Nevojitet guxim "për të lypur në lutje që drita e Shpirtit Shenjt të ndriçojë gjithmonë aftësinë dalluese të nevojshme për të arritur në përfundim në një vendim të drejtë:  

“Edhe në këto rrethana - vijoi teksti i Papës - dua t'ju kujtoj se aftësia dalluese bëhet ‘në gjunjë’, duke kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të mund të marrim vendime për të mirën e njerëzve dhe të gjithë bashkësisë kishtare. Në të vërtetë, siç na kujton Ligji N. CCCLI për organizimin e Shtetit, «ta mbarështosh drejtësisë nuk është thjesht domosdoshmëri kohore. Virtyti themelor i drejtësisë ndriçon dhe përmbledh vetë qëllimin e pushtetit gjyqësor të çdo shteti, për të kultivuar të cilin është themelor angazhimi personal, bujar dhe i përgjegjshëm i atyre që ngarkohen me funksionin juridiksional. Ky zotim duhet të mbështetet me lutje. Mos kini frikë nga humbja e kohës, duke i kushtuar shumë kohë. Edhe për këtë duhet guxim dhe burrëri”.

Së fundi, Françesku u uroi anëtarëve të Gjykatës dhe të Zyrës së Promovimit që duke i shërbyer drejtësisë, të mund "të ruajnë gjithmonë,  njëherësh me maturinë, edhe guximin e krishterë".

02 mars 2024, 13:38