Papa për luftën në Ukrainë: mos kini turp të negocioni!
R.SH. / Vatikan
Publikojmë tekstin e intervistës së dhënë nga Papa Françesku për Lorenzo Buccella, gazetar i Radio Televizionit Zviceran (RSI), të paraprakisht sot nga disa agjenci lajmesh dhe që televizioni zviceran do ta transmetojë më 20 mars.
Papa Françesku është i ftuar më 20 mars në Cliché, revistë kulturore e Lorenzo Buccella-s që transmetohet në Radio Televizionin Zviceran (RSI), në një episod kushtuar të bardhës, ngjyrës të së mirës, të dritës, por në të cilën bien më shumë gabimet dhe njollat. Mes shumë ndyrësive është lufta, konflikti në Ukrainë dhe ai në Palestinë.
Ta ndjekim bisedën:
Si mund të gjendet një busull për t'u orientuar në atë që po ndodh ndërmjet Izraelit dhe Palestinës?
“Duhet të ecim përpara. Çdo ditë në orën shtatë të pasdites i telefonoj famullisë së Gazës. Gjashtëqind njerëz jetojnë atje dhe tregojnë atë që shohin: është luftë. E luftën e bëjnë dy, jo një. Të papërgjegjshmit janë këta të dy, që bëjnë luftë. Pastaj nuk ka vetëm luftë ushtarake, është edhe "lufta guerile", si të thuash, e Hamasit për shembull, lëvizje që nuk është ushtri. Është gjë e keqe”.
Por a nuk duhet të humbasim shpresën për të tentuar të ndërmjetësojmë?
“Të shohim historinë, luftërat që kemi përjetuar, të gjitha përfundojnë me marrëveshje”.
Në Ukrainë ka nga ata që kërkojnë guximin e dorëzimit, të flamurit të bardhë. Por të tjerë thonë se kjo do të legjitimonte më të fortët. Çfarë mendoni ju?
“Është një interpretim. Por besoj se ata që e shohin situatën, ata që mendojnë për njerëzit, ata që kanë guximin të ngrenë flamurin e bardhë dhe të bisedojnë, janë më të fortë. Dhe sot mund të negociohet me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Fjala negocio është fjalë e guximshme. Kur sheh se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guxim për të biseduar. Të vjen turp, por me sa vdekje do të përfundojë? Negocioni në kohë, kërkoni ndonjë vend që të veprojë si ndërmjetës. Sot, për shembull lidhur me luftën në Ukrainë ka shumë që duan të veprojnë si ndërmjetës. Turqia u ofrua për këtë. Dhe të tjera. Mos ki turp të bisedosh, përpara se gjërat të keqësohen”.
A jeni ofruar edhe ju për të negociuar?
“Unë jam këtu, e pikë. U dërgova një letër hebrenjve të Izraelit për të reflektuar mbi këtë situatë. Negocimi nuk është kurrë dorëzim. Është guximi që të mos e çosh vendin drejt vetëvrasjes. Ukrainasit, me historinë që kanë, të mjerët, ukrainasit në kohën e Stalinit, sa kanë vuajtur...”.
A është e bardha e guximit?
“Epo mirë, është e bardha e guximit. Por ndonjëherë zemërimi që të çon drejt guximit, nuk është i bardhë...”.
Të kthehemi në vitin 2020, në lutjen në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë pandemisë. Ajo ishte një dritë e bardhë në mes të errësirës…
“Në atë moment mund ta shihje dritën e bardhë, sepse ishte natë, gjithçka ishte errësirë. Ishte një gjë spontane, e bërë pa e kuptuar se do të kishte një domethënie të madhe, një gjë spontane, edhe vetmia edhe lutja”.
Në atë çast ju ishi përqëndruar në atë, që dëshironit. A e kuptuat se mesazhi po arrinte në të gjitha shtëpitë, tek të gjithë njerëzit, që qenë të detyruar të qëndronin në shtëpi?
“Nuk e kuptova në atë kohë. U luta para Virgjës Mari Salus Populi Romani dhe para Kryqit të Krishtit prej druri që e sollën nga Via del Corso, në Romë. Mendova se çfarë duhej të bëja, por nuk e kuptova transcendencën që kishte ai çast. Edhe unë isha i vënë në provë. E kisha atë vuajtje, por edhe detyrën e ndërmjetësit, të meshtarit, të lutem për njerëzit e vuajtur. Mendova për një fragment biblik, kur Davidi mëkaton duke bërë regjistrimin e Izraelit dhe të Judës dhe Zoti shkatërron 70,000 burra me murtajë. Në fund, kur engjëlli i murtajës është gati të godasë Jeruzalemin, Zoti preket dhe e ndalon engjëllin, sepse ai ka mëshirë për popullin e tij. Po, për këtë murtajë mendova, për të dhe u luta: "Zot, ki dhimbë e mëshirë për njerëzit që vuajnë nga kjo murtajë". Kjo është përvoja ime në atë ditë.
E ndjetë vetminë e atij Sheshi, që ishte edhe vetmi fizike?
"Po, sepse binte shi dhe nuk ishte e lehtë".
E bardha është simboli i pastërtisë, i pafajësisë. Juaji është petku i bardhë par excellence. Nga vjen kjo traditë? Pse Papa vishet me të bardha?
“Ishte një papë domenikan. Ai kishte zhgunin domenikan, i cili është i bardhë. Prej andej të gjithë papët nisën të përdorin të bardhën. Ajo lindi atje. Në mos gabohem ishte Piu V, i cili është varrosur në bazilikën e Zojës së Madhe në Romë Santa Maria Maggiore. Prej aty lindi tradita që papët të vishen me të bardha”.
Cila është vlera kryesore që ka e bardha për Kishën?
«Kisha përdor veshje të bardha, për shembull, të dielave të Pashkëve dhe të Krishtlindjes. E bardha gjithashtu ka kuptimin e gëzimit, të paqes, të gjërave të bukura. Për shembull, veshjet e purpurta përdoren në masë për të vdekurit. Ka kuptimin e gëzimit dhe të paqes, përdoret në kohën e Krishtlindjes, në kohën e Pashkëve”.
Çfarë kuptimi kishte për ju petku i bardhë më 13 mars 2013, ditën e zgjedhjes suaj në fronin e Pjetrit?
“Nuk e kam menduar, mendoj vetëm për njollat, sepse kjo është e tmerrshme: e bardha tërheq njollat”.
E keni thënë tashmë: sa më e bardhë të jetë veshja , aq më të dukshme bëhen njollat...
“Është e vërtetë, kështu është”.
Por a vlen edhe në nivel simbolik, përveç njollave fizike?
“Po, shumë herë njollat duken qartë. Për shembull: një person që është në një pozicion shërbimi. Mendoni për një prift, një ipeshkëv, një papë. Njollat atje shihen më mirë sepse ai njeri është dëshmitar i gjërave të bukura, i gjërave të mëdha. Dhe duket sikur nuk duhet të ketë asnjë njollë. E bardha gjithashtu na kujton edhe këtë sfidë: të ruhemi nga njollat".
Por a mund të mos keni njolla? Ju gjithmonë keni thënë se ishte një mëkatar ...
“Po, ne të gjithë jemi mëkatarë. Nëse dikush thotë se nuk është, ai e ka gabim: të gjithë. Është e vërtetë, mëkati i ndyrë, ai ta ndot shpirtin. E simbolikisht mund të themi se ndot edhe të bardhën. Kur mendoj për të bardhën, mendoj për fëmijët, për pagëzimin: të gjithë janë të veshur me të bardha. Mendoj për kungimin tim të parë, kam një fotografi timen, në të bardhë. E bardha ka kuptimin e pastërtisë, të gjërave të bukura. Mendoj edhe për fëmijët, për gratë që martohen. E bardha është ngjyrë e fortë, nuk është e dobët”.
Janë të gjitha rite kalimi: a ndihmon edhe e bardha në këto pasazhe?
“Ka një tango argjentinase, e cila qorton një grua, që martohet me të bardha pasi ka jetuar një jetë të keqe. Tangoja thotë: “Sa mirë ke, mos zonjë takat/ të veshësh të bardha, e të bësh mëkat”. E fortë, mençuria popullore… E bardha do të thotë shpirt i pastër, shpirt me qëllime të mira: mendoni për pagëzimin, kungimin e parë. Këto janë simbole që thonë shumë”.
Kur u bëtë Papë, a ndryshoi marrëdhënia e Juaj me të bardhat?
“Jo, është e njëjta. Por nuk vihet re: visheni me të bardha, por nuk e vini re. Une e vë re kur shoh njollat... Është një gjë e natyrshme”.
A është e rëndë përgjegjësia që duhet të mbani?
“Po, por nuk duhet të dramatizojmë. Të gjithë kemi përgjegjësi në jetë. Dhe Papa ka përgjegjësi më të madhe, si kryetar më i madh shteti, ashtu si një meshtar, një murgeshë janë përgjegjës për të dhënë dëshmi. Për mua, për shembull, është më e madhe përgjegjësia e dëshmisë, sesa e vendimeve. Sepse shumë njerëz këtu më ndihmojnë me vendime, përgatiten, studiojnë dhe më japin disa zgjidhje. Megjithatë, në jetën e përditshme nuk keni shumë ndihmë. Edhe vendimet janë të rënda”.
E, këtu a është pothuajse më e vështirë për ju?
“Është më e lehtë për mua këtu për shkak të gjithë ndihmës që kam. Nëse mendoj për përgjegjësinë, është e rëndë. Por Papa ka shumë ndihmë, shumë njerëz që e ndihmojnë”.
Papa ka shumë njerëz që e ndihmojnë. Por duke qenë se është vetëm, i veshur në këtë mënyrë, si pikë referimi mund të vuajë edhe nga vetmia. A mund të ndihet i vetëm me këtë mantel të bardhë?
“Ka çaste vetmie të madhe, kur duhet të marrësh një vendim, për shembull. Por kjo nuk është vetëm e Papës, në jetën klerikale këtë e ndjejnë edhe ipeshkvijtë, ose priftërinjtë…. Edhe një familjar, shumë herë: mendoni kur duhet të marrë vendime për fëmijët e tij. Ose kur një martesë nuk funksionon: duhet marrë vendimi për t'u larguar. Këto janë vendime që peshojnë shumë. Të gjithë ne, si njerëz, kemi situata të vetmisë kur përballemi me vendime që duhen marrë. Edhe të martohesh: kur je vetëm thua: kjo është për gjithë jetën. Këto janë vendime që rëndojnë dhe mund të thuhet se këto vendime çojnë në vetmi. Dhe vetmia është e bardhë. Nuk është as e errët, as e zezë, por e bardhë. Ekziston një vetmi e shëmtuar që është ajo e egoizmit. Ajo e shumë njerëzve që shikojnë vetëm veten e tyre. Nuk është vetmi e bardhë, por një e shëmtuar".
Ka njolla individuale dhe më pas edhe njolla kolektive, njolla të mëdha, që janë të pista sa luftërat. Dhe çfarë mund të bëhet?
“Ky është mëkat kolektiv. Ekonomi më tha, një muaj më parë, kur më jipte raportin, se si ishin gjërat në Vatikan - gjithnjë në deficit - më tha: e di ku ka sot investime që japin më shumë të ardhura? Fabrika e armëve. Ti fiton për të vrarë. Më shumë të ardhura: fabrika e armëve. E tmerrshme lufta. Dhe nuk është kurrë luftë e bardhë. Lufta është e kuqe, apo e zezë. Unë e them gjithmonë këtë: kur isha në Redipuglia më 2014 qaja. Më pas më ndodhi e njëjta gjë në Anzio, më pas çdo 2 nëntor shkoj të kremtoj në varreza përkujtimin e të shuemëve. Herën e fundit shkova në varrezat britanike dhe pashë moshen e djemve. E tmerrshme. E kam thënë tashmë këtë, por do ta them përsëri: kur u përkujtua zbarkimi i Normandisë, të gjithë krerët e qeverive e festuan atë datë, por askush nuk tha se në atë plazh mbetën më se 20,000 djem të rinj”.
Njeriu ka perceptim të qartë të asaj që përfshijnë luftërat, por gjithmonë bie në të. Mendoj edhe për Ju që, me thirrjet tua... Si nuk mund ta marrësh mesazhin se sa viktima sjell lufta?
“Dy pamje. Një, që më prek gjithmonë dhe e them: pamja e nënës kur merr atë letër: "Zonjë, kemi nderin t'ju themi se keni një djalë hero dhe kjo është medalja". Më intereson djali, jo medalja. I morën djalin dhe i dhanë një medalje. Ndihet e mashtruar... Dhe më pas një imazh tjetër. Unë isha në Sllovaki. Më duhej të shkoja nga një qytet në tjetrin me helikopter. Por ishte mot i keq dhe nuk ishte e mundur. Udhëtimin e bëra me makinë. Kam kaluar nëpër disa fshatra. Njerëzit dëgjuan në radio se Papa po kalonte dhe zbritën në rrugë për të më parë. Kishte djem, vajza, çifte të reja dhe më pas gjyshe. Mungonin gjyshërit: lufta. Është rezultat i luftës. Nuk ka gjyshër”.
Nuk ka fotografi më të fortë se kjo që të na bëjë të kuptojmë trashëgiminë e lënë nga lufta.
“Lufta është çmenduri, është çmenduri”.
Pëllumbi është simboli i paqes, është sinjali se lufta ka mbaruar. Por është periudha e pasluftës, e cila gjithsesi është një çast tjetër, për t’i ndrequr të gjitha këto plagë...
“Ka një pamje, që më vjen gjithmonë. Me rastin e një përkujtimi duhej të flisja për paqen dhe të liroja dy pëllumba. Herën e parë që e bëra, një korb i pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit u ngrit fluturim, mori pëllumbin dhe fluturoi me të në sqep. Është e vështirë. Dhe kjo është, paksa, ajo që ndodh me luftën. Shumë njerëz të pafajshëm nuk mund të rriten, shumë fëmijë nuk kanë të ardhme. Fëmijët ukrainas vijnë shpesh këtu për të më përshëndetur, vijnë nga lufta. Asnjëri prej tyre nuk buzëqesh, nuk di të buzëqeshë. E një fëmijë që nuk di të buzëqeshë, duket sikur nuk ka të ardhme. Le të mendojmë për këto gjëra, të lutem. Lufta është gjithmonë disfatë, humbje njerëzore, jo humbje gjeografike”.
Si ju përgjigjen të fuqishmit e tokës, kur u kërkoni paqe?
“Ka nga ata që thonë ‘është e vërtetë, por ne duhet të mbrohemi’... Dhe pastaj kupton se ata kanë fabrikën e avionëve për të bombarduar të tjerët. Të mbrohemi, jo të shkatërrojmë. Si përfundon një luftë? Me vdekje, shkatërrim, fëmijë pa prindër. Gjithmonë ka ndonjë situatë gjeografike ose historike që shkakton luftë... Mund të jetë luftë që duket e drejtë për arsye praktike. Por pas çdo lufte është industria e armëve, dhe kjo do të thotë para”.
Lufta shoqërohet gjithmonë me errësirën, me terrin…
“Lufta është e errët, gjithmonë e errët. Fuqia e errësirës. Kur flasim për të bardhën, flasim për pafajësinë, mirësinë dhe shumë gjëra të bukura. Por kur flasim për errësirën, flasim për fuqinë e errësirës, për gjëra që nuk i kuptojmë, për gjëra që janë të padrejta. Bibla flet për këtë. Errësira ka një fuqi të fortë për të shkatërruar. Është një mënyrë letrare për ta thënë, por kur një person vret - mendoni për Kainin, për shembull - ai është njeri i errët. Kur njeriu merret vetëm me përfitimet e tij, për shembull me punëtorët, ky njeri vret moralisht njerëzit e tjerë. Ose mendoj për një familjar, i cili nuk i sheh fëmijët që i zë gjumi natën, sepse vjen vonë dhe ikën herët në mëngjes për të marrë rrogën... ky person është i errët, është i zi."
Por të gjithë rrezikojmë të kemi pak errësirë brenda nesh…
“Ne jemi mëkatarë dhe pak errësirë doemos e kemi”.
Edhe një Papë.
"Edhe një Papë. Ne të gjithë kemi aq mençuri, sa të dimë se çfarë ndodh. E pra shumë herë nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh”.
Mund të jetë edhe një udhëtim i gjatë.
“Një jetë e tërë, por kur përpiqesh për një jetë të tërë t'i rregullosh gjërat mirë, t'i korrigjosh gjërat, do të arrish në një gjë shumë të bukur që është pleqëria e lumtur. Mendoj për ata pleqtë, ato plakat e vogla me sy të tejdukshëm, kishin të drejtë, luftuan... Të mendojmë pak për pleqërinë. Mund të themi pleqëria e bardhë, pleqëria e bukur, transparente”.
Por a mendoni se i përjetoni këto ndjesi tani, për shembull transparencën, në këtë çast?
“Përpiqem të mos jem gënjeshtar, të mos i laj duart nga problemet e të tjerëve. Përpiqem, jam mëkatar dhe ndonjëherë nuk mund ta bëj këtë. Atëherë kur nuk mundem, shkoj e rrëfehem”.
Çfarë lidhjeje ka një Papë me gabimin?
“Është e fortë, sepse sa më shumë fuqi të ketë njeriu, aq më shumë rrezikon të mos i kuptojë rrëshqitjet që bën. Është e rëndësishme të keni marrëdhënie autokritike me gabimet tuaja, me rrëshqitjet tuaja. Kur njeriu ndihet i sigurt në vetvete sepse ka fuqi, sepse di të lëvizë në botën e punës, të financave, tundohet të harrojë se një ditë do të lypë, do të lutet për rininë, do të lypë shëndet, do të lypë jetë... është paksa një tundim i plotfuqishëm. Dhe kjo plotfuqi nuk është e bardhë. Të gjithë duhet të jemi të pjekur në marrëdhëniet tona me gabimet që bëjmë, sepse të gjithë jemi mëkatarë”.
Kemi folur shpesh se si një gjë apo një tjetër varet nga fryma me të cilën bëhet. E bardha zakonisht shoqëron gjërat e bukura, por ekziston edhe rreziku i një fasade të së bardhës, bojës që përdorim për të fshehur hipokrizinë. A mund të jetë edhe ky rrezik?
“Aty është njeriu i lyer me bojë vaji, si të thuash, që di të fshehë dobësitë e tij dhe paraqitet në mënyrë artificiale. Pra, ne e kemi këtë problem të shtiremi… Dhe kjo quhet hipokrizi, njerëz hipokritë… të gjithë kemi nga pak hipokrizi”.
Edhe vetë shoqëria mund të jetë hipokrite, për shembull duke filluar luftëra dhe më pas duke dërguar ndihma humanitare...
“Ndërhyrje humanitare? Po, ndonjëherë ato janë humanitare, por mbulojnë edhe ndjenjën e fajit. Dhe nuk është e lehtë”.
E bardha është gjithashtu ngjyrë neutrale. Kur ka kontraste ndërmjet ideologjive të ndryshme, qoftë edhe ndërmjet njerëzve të ndryshëm; a është neutraliteti vlerë për ju?
"Shumë. Në bazë të jetës sonë mund të flasim për faqen bosh. Nuk themi faqja e zezë, faqja jeshile, flamuri i verdhë... kur flasim për një faqe shkrimi, është letër boshe. Dhe të gjithë duhet të shkruajnë vendimet e tyre atje, në të bardhën, që është jeta. Jeta është një copë letër bosh dhe do të jetë bukur nëse arrin të shkruash diçka të këndshme në atë letër, por nëse shkruan gjëra të këqija, nuk do të jetë e bukur ajo faqe".