Papa priti në audiencë Presidentin e Malit të Zi
R.SH. / Vatikan
Biseda ndërmjet Papës Françeskut dhe Jakov Milatoviçit, Presidentit të Malit të Zi, pritur në audiencë, sot paradite më 7 mars, në Pallatin Apostolik në Vatikan, zgjati 30 minuta. Pas audiencës te Ati i Shenjtë, Presidenti Milatoviç i takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bidesimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit
Siç bën të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit, “gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit, u theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët, duke nënvizuar kontributin pozitiv të bashkësisë vendore katolike në shoqërinë malazeze. U fol edhe për disa çështje të hapura në marrëdhëniet mes Kishës dhe Shtetit”. “Më pas – pohon Salla e Shtypit e Vatikanit– u shqyrtuan edhe disa çështje aktuale, duke përfshirë rrugën e Malit të Zi dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, konfliktin në Izrael e Palestinë dhe atë në Ukrainë”.
Shkëmbimi i dhuratave
Në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Papa i dhuroi Presidentit të Malit të Zi një skulpturë bronzi të titulluar "Dialogu midis brezave", vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin për Paqen të këtij viti, librin mbi Statio Orbis të 27 Marsit 2020, redaktuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), vëllimin mbi Apartamenti Papnor i Audiencave, redaktuar nga Prefektura e Shtëpisë Papnore. Nga ana e tij, presidenti Milatović i dha Papës një fugure të Virgjërës Mari, të qëndisur sipas teknikave të mjeshtërisë tipike malazeze.