Papa: t'i respektojmë bujqit e vegjël, gratë dhe të rinjtë, motori i së ardhmes
R.SH. / Vatikan
"Përparimi në zhdukjen e urisë, reduktimi i pabarazive dhe kujdesi e mbrojtja e planetit tonë". Është një “fjalë inkurajimi dhe afrimi nga Kisha” që Papa u drejton bujqve të vegjël dhe familjeve të tyre, në një letër me rastin e konferencës globale të Forumit Rural Botëror. Kjo konferencë iështë një ngjarja madhështore që bashkon drejtues të rëndësishëm të bujqësisë familjare nga pesë kontinentet, së bashku me përfaqësues të qeverive, institucioneve ndërkombëtare, qendrave kërkimore, fondacioneve, organizatave të konsumatorëve, të rinjve dhe grave fermere. Edicioni i tetë i konferencës, me temë "Bujqësia familjare: qëndrueshmëria e planetit tonë", nis sot, të martën më 19 dhe do të zhvillohet deri të enjten më 21 mars në Vitoria-Gasteiz, në Vendin Bask (Spanjë).
Varfëria dhe mundësitë e kufizuara
Papa i dërgoi mesazhin e tij Martín Uriarte Zugazabeitia, president i Forumit Botëror. Ati i Shenjtë vlerëson fermerët familjar "për mbështetjen që ata ofrojnë me punën dhe mënyrën e respektueshme që ata e kultivojnë tokën". Fermat familjare janë çelësi i bujqësisë së qëndrueshme,
ato janë "themelore për t'i bërë sistemet agroushqimore më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe frytdhënëse" por për fat të keq, vëren Papa, "megjithë rolin e tyre e rëndësishëm në mbështetjen e përparimit të popujve të tyre dhe kontributin e dukshëm në prodhimin global të ushqimit, bujqit në nivelin familjar vazhdojnë të preken nga varfëria dhe mungesa e mbështetjes dhe mundësive” teknike e jo vetëm në punën e tyre të jashtëzakonshme.
Nevojat njerëzore, shpirtërore, sociale dhe teknike
Prandaj, Papa Françesku dëshiron të ripohon ftesën për t'i kushtuar vëmendje nevojave të tyre njerëzore, shpirtërore dhe sociale, si dhe teknike: "Biznesi familjar, përveçse një entitet prodhues, është vendi ku njerëzit bëjnë pjesë, vendi ku personat ndjehen të kuptuar dhe të vlerësuar për dinjitetin e tyre, dhe jo vetëm për atë që prodhojnë apo rezultatet që marrin”, shkruan Papa. Prandaj, Ati i Shenjtë nënvizon "rëndësinë e forcimit të lidhjeve që bashkojnë anëtarët e saj, të respektimit të traditave të tyre fetare, kulturore dhe praktikave bujqësore".
Roli i grave dhe të rinjve është i rëndësishëm
Në të njëjtën kohë, Papa nënvizon në letrën e tij "rolin e pazëvendësueshëm të gjeniut femëror" në këtë kontekst: "Gratë rurale përfaqësojnë një busull të sigurt për familjet e tyre, një pikëmbështetje solide për përparimin ekonomik, veçanërisht në vendet në zhvillim, ku ato janë jo thjesht përfituese, por nxitëse të vërteta të përparimit të shoqërive në të cilat jetojnë”. Së fundi, Papa nuk harron rolin e të rinjve në bujqësi: “Revolucioni i vërtetë për një të ardhme ushqimore fillon me formimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj”, shprehet Ati i Shenjtë Françesku, “dhurata që na bëjnë të rinjtë është dhurata e zgjidhjeve novatore për problemet e vjetra dhe guximi për të mos u ndikuar nga të menduarit dritëshkurtër që i reziston ndryshimit”.