Kërko

La Basilica di Santa Maria Maggiore, Roma La Basilica di Santa Maria Maggiore, Roma

Papa riorganizon Bazilikën e Shën Marisë së Madhe: kanonikët, detyra shpirtërore dhe baritore

Me një kirograf, Françesku miraton Statutin e ri dhe Rregulloret e reja për Kapitullin e Bazilikës Liberiane dhe i jep Kryeipeshkvit lituanez Makrickas të gjitha të drejtat ligjore për zbatimin e legjislacionit të ri. Papa "liron" kanonikët nga çdo detyrë ekonomike dhe administrative dhe ia beson Makrickas përfaqësimin ligjor, aktet e administrimit të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm dhe detyra të tjera të ndryshme, deri në krijimin e Këshillit të ri Drejtues.

Kryeprift i ri ndihmës i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, në Romë, kryeipeshkvi lituanez Rolandas Makrickas; kanonikë të lirë “nga çdo detyrë me karakter ekonomik e administrativ”për t’iu kushtuar vetëm shoqërimit shpirtëror e baritor të besimtarëve; Statut i ri dhe Rregullore e re e Kapitullit, që parashikon, ndër të tjera, ngritjen e Këshillit për Mbarështimin dhe Delegatin për baritorinë, si ndihmës i parë i Kryepriftit për veprimtarinë e Kaonikëve  e të Bazilikës Papnore të Zojës së Madhe, në Romë.

Pasi përfundoi komisionimi i nisur në fund të vitit 2021, besuar vetë Makrickas, emëruar Komisioner i Jashtëzakonshëm në dhjetor të këtij viti, Papa Françesku përfundoi riorganizimin e Shën Marisë së Madhe, Bazilikës, që e vizitoi më se njëqind herë, me të cilën e lidh një dashuri e fortë, aq sa të shprehë dëshirën që një ditë të pushojë në paqe pikërisht në këtë vend. Të mërkurën më 20 mars, u botua Kirografi i Papës për Bazilikën e Liberiane dhe njëkohësisht një Rescriptum nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Imzot Edgar Peña Parra, mbi detyrat e reja të kanonikëve, dokumentet e Statutit të ri, Rregulloren e re të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe dhe emërimin e imzot Makrickas, "me të drejtë vazhdimësie".

Riorganizim i Kapitullit të Bazilikës

Në Kirograf Papa Françesku kujton se më 14 dhjetor 2021 i pati besuar një Komisari të Jashtëzakonshëm, të mbështetur nga një Komision i posaçëm, "detyrën e sigurimit të riorganizimit të jetës së Kapitullit dhe Bazilikës, për të mirën më të madhe të popullit të Zoti". Prej shekujsh Kapitulli ka ruajtur thesare të tilla të Shën Marisë së Madhe, si Figurja e Zojës Salus Populi Romani (së cilës Papa ia beson çdo shtegtim apostolik) dhe si relikja e Djepit të Krishtit, është kujdesur për dekorimin e kremtimeve liturgjike dhe mirëpret besimtarët që vijnë e mblidhen në këtë vend. “Sot, në përfundim të kontrollit - shkruan Papa – e konsideroj të udhës t’i liroj Kanonikët nga të gjitha detyrat ekonomike dhe administrative, në mënyrë që ata t’i përkushtohen plotësisht dhe me energji të përtërirë, shoqërimit shpirtëror e baritor që kërkojnë e duan shtegtarët, duke shkelur pragun e shenjtërores së parë mariane të Perëndimit”.

Detyrat e kryepriftit ndihmës

 Me dokumentin, Papa miraton Statutin dhe Rregulloren e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, në Romë, të hartuara - nënvizon - "duke u frymëzuar nga parimet dhe kriteret e kushtetutës apostolike Praedicate Evangelium", dhe i jep Imzot Makrickas "të gjitha të drejtat e nevojshme për moderimin dhe zbatimin e normativës së re të qeverisjes së Kapitullit”. Ati i Shenjtë Bergoglio urdhëron, gjithashtu, që kryeprifti i ri ndihmës "të vazhdojë ushtrimin e përfaqësisë ligjore" dhe të ketë "të drejtë merret me aktet e administrimit të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm". Kjo, deri në krijimin e Këshillit të Administrimit – ndër risitë e Statutit të ri – të cilit, sipas nenit 48, i besohet administrimi i pasurive të Kapitullit.

Një delegat për kujdesin baritor dhe një delegat për administrimin

Papa gjithashtu i cakton imzot Makrickas "detyrat që i përkasin vikarit të Kryepriftit, delegatit për Kujdesin Baritor dhe delegatit për  Administrimin, deri në emërimet e tyre përkatëse". Këto dy të fundit janë figura të reja në organikën e Bazilikës; në veçanti, Delegati për Kujdesin Baritor është bashkëpunëtori i parë i Kryepriftit për aktivitetet e Kanonikëve dhe të Shën Marisë së Madhe, që do të veprojë në përkim të plotë me Mjeshtrin e Ceremonive, duke koordinuar shërbimet që lidhen me aspektin baritor dhe ceremonitë.

Këshilli i administrimit

Dy delegatët, së bashku me kryepriftin që i kryeson, do të përbëjnë Këshillin e Administrimit, me një përfaqësues të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe një përfaqësues të APSA (Administratës së Trashëgimisë së Selisë Apostolike). Të gjithë anëtarët, lexohet, kryejnë detyrën për pesë vjet dhe mund të rikonfirmohen; mandati i tyre do të përfundojë me miratimin e buxhetit përfundimtar për vitin e fundit financiar. Mbledhjet e CdA (Bordit të Drejtuesve), siç përcaktohet, mund të mbahen në prani, ose në distancë, sipas nevojës. Në mungesë të Kryepriftit, mbledhjet e Këshillit drejtohen nga Delegati për Administrimin.

Këshilli “planifikon, vendos dhe verifikon linjat e administrimit strategjik të Kapitullit”, duke dhënë direktiva dhe mandate: APSA-së për administrimin e pasurive të patundshme të Kapitullit që prodhojnë të ardhura, të cilat i janë besuar sipas Marrëveshjes specifike;  Delegatit, për Administrimin e menaxhimin e pasurive të mbetura dhe për aktivitetet e Bazilikës. Bordi i Drejtorëve përcakton çdo vit shumën e shpërblimeve që duhet t'u paguhen priftërinjve, rregulltarëve dhe laikëve, që punojnë për Kapitullin ose Bazilikën. E, pas marrjes së buxhetit dhe llogaridhënies, përgatit buxhetet (vlerësimin dhe bilancin përfundimtar) çdo vit në mënyrën dhe afatet e përcaktuara nga Sekretaria për Ekonominë.

Kanonikët dhe bashkëpunëtorët e Kapitullit "të nderit".

Ndër risitë e tjera kryesore të Statutit, njëra ka të bëjë me kanonikët dhe bashkëpunëtorët e Kapitullit që kanë mbushur ose do të mbushin moshën tetëdhjetë vjeç: ata marrin statusin e Kanonikëve të nderit dhe bashkëpunëtorëve të nderit dhe derisa ta lejojnë kushtet e shëndetit dhe të vetëkontrollit “do të ruajnë banesën, titullin e Protonotarit Apostolik dhe veshjet e tyre”.

Bashkëpunëtorët e Nderit do të gëzojnë një tarifë qiraje të subvencionuar dhe, së bashku me Kanonikët e Nderit, do të mund të "vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë vullnetare liturgjiko-baritore në Bazilikë" e edhe "të marrin kompensimin e kapitullit". Ata do të mund të “përfitojnë edhe mundësinë e varrimit në Varrezat e Kanonikeve”. Kanonikët e nderit janë "të përjashtuar nga të gjitha detyrimet" ndaj Kapitullit dhe, për rrjedhojë, "nuk marrin pjesë në seancat e Kapitullit". Të njëjtat dispozita, vendosi Papa, zbatohen edhe për ata Kanonikë e  zëvendës të cilët, megjithëse nuk e kanë mbushur ende moshën tetëdhjetë vjeç, "nuk marrin pjesë prej kohe në kremtimet liturgjike dhe në seancat e kapitullit".

Eleminohen, më pas, bashkëpunëtorët e Kapitullit, por krijohet mundësia e thirrjes së priftërinjve për të ndihmuar Kapitullin në raste të jashtëzakonshme. Më në fund, sipas dispozitave të reja, Mjeshtri i Kapelës Muzikore Liberiane duhet të zgjidhet ndërmjet drejtorëve me famë të madhe. Kontrata do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vjetësh, kohë që mund të përsëritet.

21 mars 2024, 11:07