Papa në famullinë e Shën Piut V: Zoti nuk lodhet kurrë së na faluri
R.SH. – Vatikan
Për mëkatarin, rruga për të ecur në jetë të re është falja e Zotit. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së liturgjisë pendestare, kremtuar sot pasdite bashkë me besimtarët e famullisë romake Shën Piu V, në kuadrin e nismës "24 orë për Zotin", kremtim lutjeje dhe pajtimi me Zotin, gjatë Krezhmëve, tashmë në edicionin e saj të 11-të. Kujtojmë se kjo ditë është themeluar nga vetë Ati i Shenjtë e kremtohet çdo vit në dioqezat e mbarë botës, në prag të së dielës së katërt të Krezhmëve. Papa dëgjoi edhe rrëfimet e disa pendestarëve. Motoja e zgjedhur nga Papa për këtë vit (8 dhe 9 mars) është marrë nga kreu 6 i Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve: "Të ecim në jetë të re".
Duke nënvizuar se Zoti nuk lodhet së na faluri, Ati i Shenjtë theksoi se pikërisht kjo na e përtërin shpirtin.
“Na pastron brenda, duke na bërë të kthehemi në gjendjen e rilindjes përmes pagëzimit: bën që ujërat e ëmbla të hirit të rrjedhin përsëri në zemrën e tharë nga trishtimi, plot me pluhurin e mëkateve; largon hirin nga prushi i shpirtit, pastron ato njolla të brendshme, që na pengojnë të besojmë në Zotin, të përqafojmë vëllezërit, të duam vetveten. Këtë bën falja e Zotit: na rikthen jetën dhe vështrimin e ri”.
“Jezus, nëse do, mund të më pastrosh”
Duke kujtuar pjesën ungjillore të lebrozit në Ungjill, i cili i lutet me shpirt Krishtit ta pastrojë nëse do, Papa Françesku i ftoi të gjithë që, në këtë kohë Krezhmësh, t’i përgjërohen Zotit pikërisht me fjalët e të gërbulurit: “Jezus, nëse do, mund të më pastrosh”, të cilat u përsëritën disa herë nga të pranishmit.
Jezu Krishti dëshiron ta bëjë këtë, vërejti Ati i Shenjtë, sepse na do të rinovuar, të lirë dhe të lehtë në shpirt, jo të humbur nëpër rrugët e jetës, ku Ai e di se mund të pengohemi e të rrëzohemi. Papa i nxiti besimtarët të mos e shtyjnë takimin me faljen e Tij, për ta rifilluar sërish, të përtërirë, udhëtimin e jetës. Kjo jetë e re, e marrë me Pagëzimin, vërejti Françesku, rifillon sërish me faljen, pra, me Sakramentin e Pajtimit me Zotin.
Ky Sakrament, nënvizoi Ati i Shenjtë, “nuk është praktikë devocioni, por themeli i ekzistencës së krishterë; nuk është puna të dimë t'i themi mirë mëkatet, por ta kuptojmë se jemi mëkatarë dhe të hidhemi në krahët e Jezusit të kryqëzuar për t'u liruar; nuk është gjest moralist, por ringjallje e zemrës”.
Meshtarët të japin gjithnjë faljen
Edhe një herë, siç bën shpesh kur u flet meshtarëve, Papa i këshilloi ata t’i falin besimtarët e penduar, sidomos ata, që i afrohen rrëfyestores me frikë, pasi Sakramenti i Pajtimit me Hyjin është sakrament i shërimit dhe i gëzimit. Ta rivendosim faljen e Zotit në qendër të Kishës! – kërkoi Françesku. Së fundi, Ati i Shenjtë përdori sërish fjalët e të gërbulurit në Ungjill për t’i ftuar besimtarët t’i kërkojnë Zotit t’i falë për një sërë mëkatesh.
“Lebra e mëkatit na ka njollosur bukurinë e, atëherë, le të themi: Jezus, nëse do, mund të më pastrosh! Nga mendimi se nuk kam nevojë për ty çdo ditë: Jezus, nëse do, mund të më pastrosh! Nga jetesa në paqe me dyfytyrësinë time, pa kërkuar në faljen tënde rrugën e lirimit: Jezus, nëse do, mund të më pastrosh! Kur qëllimet e mira nuk ndiqen nga faktet, kur e shtyj lutjen dhe takimin me ty: Jezus, nëse do, mund të më pastrosh! Kur pajtohem me të keqen, me pandershmërinë, me gënjeshtrën, kur gjykoj të tjerët, i përçmoj dhe flas keq për ta, duke u ankuar për të gjithë dhe për gjithçka: Jezus, nëse do, mund të më pastrosh! Kur, duke shërbyer në Kishë dhe në shoqëri, kënaqem nëse nuk bëj keq, por nuk bëj as mirë: Jezus, po të duash, mund të më pastrosh! Po, Jezus, besoj se mund të më pastrosh, besoj se kam nevojë për faljen tënde. Më rinovo dhe unë do të eci përsëri në jetë të re”.
24 orë për Zotin
Në përgatitje për Pashkë, të premten mbrëma dhe gjatë gjithë ditës të së shtunës, bashkësitë kishtare parashikojnë hapjen e jashtëzakonshme të kishave, për t'u ofruar besimtarëve mundësinë të ndalen në adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe të rrëfehen. Dyert e hapura të kishave janë simboli i dashurisë së mëshirshme të Zotit. Në përgatitje të "24 orëve për Zotin", Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin botoi një doracak baritor, ku përfshihen lutje personale dhe sugjerime për kremtimet në bashkësi. Materiali mund të shkarkohej falas, në gjuhën italiane, angleze, spanjolle, portugeze, polake dhe frënge, nga faqja e internetit e Dikasterit.