Françesku: të lutemi për njerëzit që vuajnë tmerrin e luftës
R.SH, - Vatikan
“Edhe një herë…”. Papa bëri sot një thirrje tjetër për paqe, për t'i dhënë fund çdo lufte dhe barrës së “tmerreve” të saj, që i mundon veçanërisht civilët. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, me pallton e tij të bardhë dhe zërin ende të dobët për shkak të ftohjes që vijon ta pengojë në leximin e katekizmit, Papa Françesku, në përshëndetjet italisht, përsëriti ftesën për besimtarët e të gjithë kontinenteve:
“Edhe një herë, vëllezër e motra, ju ftoj të luteni për popullatat që vuajnë tmerrin e luftës në Ukrainë dhe në Tokën Shenjte, si dhe në vise të tjera të botës”.
Tmerr nga Ukraina- në Tokën Shenjte
Në veçanti, Papa kujtoi Ukrainën dhe Tokën Shenjte, prej nga vazhdojnë të vijnë lajme dramatike. Mediat ukrainase njoftojnë se sulmet ruse me dronë, që vijojnë, goditën mbrëmë qytete të ndryshme të Ukrainës, duke përfshirë edhe rajonin e Kievit e Odesën, ku pati shumë shpërthime.
Ndërsa në Gaza numërohen vdekjet e viktimave palestineze, që kanë arritur mbi 30,700 që nga fillimi i ofensivës tokësore të ushtrisë izraelite. Lajmin e jep Ministria e Shëndetësisë e Rripit, e kontrolluar nga Hamasi, e cila flet për rreth 72.150 të plagosur që nga 7 tetori dhe për “nëntë masakra” me 86 të vdekur dhe 113 të plagosur, vetëm në njëzet e katër orët e fundit.
“Tmerr i luftës”, pikërisht siç thotë Papa. Detyra e parë e të krishterëve është të kërkojnë nga Zoti paqen aq të dëshiruar, që gjithë kjo gjëmë të përfundojë sa më shpejt. Ndaj Françesku shton një ftesë për lutje:
“Të lutemi për paqen, t'i kërkojmë Zotit dhuratën e paqes!”.
Një dru molle në Kopshtet e Vatikanit, në kujtim të familjes Ulma
Drama e luftës bashkon të tashmen me të kaluarën. Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi përsëri 80-vjetorin e vdekjes brutale të familjes polake Ulma, Josefit e Viktories dhe 7 fëmijëve të tyre, njëri prej të cilëve pritej të lindte, të vrarë nga nazistët nga shkaku i strehimit të hebrenjve për t’i shpëtuar nga persekutimi.
Kisha i shpalli të gjithë të lum më 10 shtator 2023. Tetë dekada pas atij gjaku të derdhur, një delegacion nga Polonia mbërriti në Romë e, në përvjetorin e ngjarjes, në Kopshtet e Vatikanit, u mbajt një ceremoni për mbjelljen e drurit të mollës, shartuar nga i lumi Jozef Ulma. Në prag të kësaj ngjarjeje, përshëndetja e Papës:
“Përshëndes përzemërsisht shtegtarët polakë, në veçanti delegacionin nga Podkarpacie... I bekoj të gjithë nga thellësia e zemrës”.
Të pranishëm në ceremoninë e pasdites do të jenë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin; prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Kardinali Marcello Semeraro, i cili vitin e kaluar kremtoi meshën e lumnimit; më pas ministrja Grażyna Ignaczak-Bandych, kryetare e Kancelarisë së Presidentit të Republikës së Polonisë dhe Wladysław Ortyl, President i Rajonit të Podkarpacie.