Kërko

Papa: të varfrit, gratë, ipeshkvijtë, dixhitali, ndër temat për t’u thelluar në Sinodin e ardhshëm

Me një letër drejtuar kardinalit Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, Françesku prek çështjet që dolën nga Relacioni Përmbledhës i sesionit të parë të Asamblesë sinodale, të cilat kërkojnë studim të mëtejshëm në funksion të sesionit të dytë, në tetor 2024. Për këto çështje u ngritën Grupet e studimit, në detyrë deri në qershor 2025, të koordinuara nga Dikasteret kompetente të Kuries, me “garant” Sekretarinë e Sinodit. Papa: të punohet me stil "vëretësisht sinodal"

R.SH. / Vatikan

Britma e të varfërve; misioni në dixhital; shërbesat (duke përfshirë reflektimin mbi vendin dhe pjesëmarrjen e grave në Kishë dhe kërkimin mbi pjesëmarrjen e grave në diakonat); marrëdhëniet me kishat lindore dhe ato ndërmjet ipeshkvijve, jeta rregulltare dhe lëvizjet kishtare; formimi i meshtarëve; figura dhe detyra e ipeshkvit; roli i nuncit; ekumenizmi;  “çështjet” doktrinore, baritore dhe etike, për të sqaruar më mirë “marrëdhëniet ndërmjet baritorisë dhe moralit”. Të gjitha, të analizuara në këndvështrim sinodal dhe misionar. Për këto dhjetë tema, të njëjtat që dolën nga sesioni i parë i Sinodit për Sinodalitetin në tetor 2023 dhe të kristalizuara në Raportin e Sintezës, votuar pothuajse njëzëri, do të krijohen po aq Grupe Studimi të cilat, në detyrë deri në qershor 2025, të koordinuara nga Dikasteret kompetente, do të thellojnë kërkesat, risitë e mundshme dhe "jehonën" teologjike, juridike e baritore të tyre.

Letra e dokumente

Vendimi i Papës u njoftua me një kirograf më 16 shkurtin e kaluar. Hyri në fuqi që dje, më 14 mars, siç njoftoi vetë Françesku në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Mario Grech, nënshkruar më 22 shkurt e njoftuar në lidhje me publikimin dhe paraqitjen e dy dokumenteve nga Sekretaria e Përgjithshme i Sinodit. Jo vetëm atij për grupet e studimit, por edhe një dokumenti tjetër, titulluar "Si duhet të jetë  Kisha sinodale në mision?", i cili nxjerr në pah pesë perspektivat që duhen thelluar teologjikisht në Sesionin II, i cili do të mbahet më 2 deri më 27 tetor 2024.

Një nga frytet e procesit sinodal

Në letër Papa Françesku shpjegon se duke mos qenë e mundur të kryhet në kohë studimi i këtyre çështjeve për vjeshtën e ardhshme, mendohet “që me ato të merren Grupe Studimi specifike, në mënyrë që të shqyrtohen hollësisht ”. “Ky - shkruan ai - do të jetë një nga frytet e procesit sinodal të nisur më 9 tetor 2021”.

Më konkretisht, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, në marrëveshje me Dikasteret e ndryshme të Vatikanit, do t’i krijojë këto grupe duke thirrur pastorë dhe specialistë nga të gjithë kontinentet dhe "duke pasur parasysh jo vetëm studimet tashmë ekzistuese, por edhe përvojat më të rëndësishme në veprim në gjirin e Popullit të Zotit të mbledhur në Kishat vendase”. Dëshira e Papës është që këto grupe studimore të "punojnë sipas një metode vërtetësisht sinodale" , ndërsa Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit duhet të veprojë si "garant". E gjithë vëmendja do të përqendrohet mbi temën e përgjithshme, që mund të përmblidhet në një pyetje: "Si mund të jesh Kishë sinodale në mision?". Grupet e Studimit – theskon më tej Papa, do të  përfundojnë raportin e parë të veprimtarisë së tyre me rastin e Sesionit II dhe do ta përfundojnë mandatin në qershor 2025.

1) Marrëdhëniet me Kishat Lindore

Janë dhjetë tema, mbi të cilat do të përqendrohet puna e grupeve të ndryshme që do të përfundojë me Raportin Përmbledhës. E para ka të bëjë me aspektet e marrëdhënieve ndërmjet Kishave Katolike Lindore dhe Kishës Latine, me synimin e njohjes dhe të dialogut më të shpeshtë të anëtarëve përkatës në kontekstin e migrimit dhe të diasporës në rritje të bashkësive të krishtera lindore. Grupi i Studimit do të përbëhet nga teologë dhe kanonistë lindorë dhe latinë, të koordinuar nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit dhe Dikasteri për Kishat Lindore, të cilët, ndër të tjera, do të përgatisin dosjet për të krijuar "një Këshill të patriarkëve dhe kryepeshkopëve të mëdhenj të Kishave Katolike Lindore pranë Atit të Shenjtë" dhe për të studiuar "përfaqësimin" e duhur të Kishave Katolike Lindore në Kurien Romake.

2) Britma e të varfërve dhe të mënjanuarve

Pika e dytë, “Dëgjimi i britmës së të varfërve”. Domethënë, i njerëzve viktima të mënjanimit, të përjashtimit, të abuzimit apo shtypjes, “madje edhe në bashkësinë e krishterë”. "Dëgjimi i këtyre njerëzve është përvojë e pohimit dhe njohjes së dinjitetit të tyre thellësisht transformues", lexojmë në dokument. "Për të kuptuar si mund të forcohet aftësia e Kishës për të dëgjuar, në nivele të ndryshme dhe mbi të gjitha në nivel lokal ndaj formave të ndryshme të varfërisë dhe përjashtimit", krijohet një grup studimi i koordinuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor së bashku me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit. Do të marrë pjesë edhe Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë e do të aktivizohen edhe njerëz, projekte, organizata dhe rrjete aktive në këto fusha.

3) Misioni dixhital

Misioni në mjedisin dixhital, një kufi jo pa rreziqe, por "përmasë vendimtare" e dëshmisë së Kishës në kulturën bashkëkohore, është tema tjetër për të cilën u krijua një Grup Studimi. Theksi vihet veçanërisht mbi të rinjtë (duke përfshirë edhe seminaristët dhe anëtarët e rinj të urdhrave fetare). Objektivi është të vlerësohen dhe të zbulohen" ndërlikimet në nivel teologjik, shpirtëror dhe kanonik dhe të identifikohen kërkesat në nivel strukturor, organizativ dhe institucional për të kryer misionin dixhital". Grupi i studimit do të koordinohet nga Dikasteri për Komunikim dhe Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit; do të përfshihen edhe Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin si dhe ai për Ungjillëzimin. Njerëzit e përfshirë në nismën "Kisha ju dëgjon" do të ofrojnë kontributin e tyre.

4) Meshtarët, formimi dhe marrëdhëniet

Tema e katërt është rishikimi "në këndvështrim misionar sinodal" i Ratio Fundamentalis Institutionis Sacerdotalis (Sistemit themelor të institucionit meshtarak) dokument i vitit 2016 i Kongregatës së atëhershme të Klerit mbi dhuratën e thirrjes meshtarake. Seminaret dhe kurset e formimit, lidhja e tyre me jetën e përditshme, trashëgimia liturgjike, teologjike, shpirtërore dhe disiplinore, lidhja ndërmjet kurseve të formimit për shërbimin e shuguruar me ato të propozuara për figura të tjera ministrore, janë pistat mbi të cilat do të punojë Grupi i studimit, i koordinuar nga Dikasteri për Klerikë me pjesëmarrjen e Dikastereve për Ungjillëzimin; për Kishat Lindore; për laikët, familjen dhe jetën; për Institutet e Jetës së kushtuar; për kulturën dhe arsimin. Duke pasur parasysh rëndësinë e temës, kërkohet "reflektim i përbashkët në nivel ndërdikasterial".

5) Detyrat dhe roli i gruas

Një grup studimi do të përqendrohet mbi disa çështje teologjike dhe kanonike rreth formave specifike ministeriale, tema që përfshijnë edhe detyrën e vazhdimit të "kërkimit teologjik dhe baritor mbi hyrjen e grave në diakonat". Qendror këtu është reflektimi mbi pjesëmarrjen reale të laikëve, mbi marrëdhëniet ndërmjet formave të ndryshme të shërbesës kishtare, funksioneve dhe shërbimeve kishtare që nuk kërkojnë sakramentin e Urdhrave, problemeve që rrjedhin nga konceptimi i gabuar i autoritetit kishtar.

Prandaj nuk do të mungojë reflektimi për “vendin e gruas në Kishë, pjesëmarrjen e saj në proceset vendimmarrëse dhe në udhëheqjen e bashkësive”. Në këtë kontekst shtrohet pyetja për praninë e mundshme të gruas në diakonat: “Këtij grupi pune i është besuar detyra të vazhdojë kërkimet teologjike dhe baritore për këtë problem, duke përfituar nga rezultatet e komisioneve të themeluara pikërisht për këtë nga Ati i Shenjtë, sqarohet në dokument. Puna do të synojë gjithashtu t'i përgjigjet dëshirës së Asamblesë Sinodale për "njohjen dhe vlerësimin më të madh të kontributit  të misionit të Kishës". Studimi i këtyre çështjeve i besohet Dikasterit për Doktrinën e Fesë, në dialog me Dikasteret kompetente.

6) Jeta e kushtuar dhe lëvizjet kishtare

Një temë tjetër do të jetë rishikimi, nga këndvështrimi sinodal dhe misionar, i dokumenteve mbi marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve, jetën e kushtuar dhe grumbullimet kishtare. Në asamblenë e tetorit u fol për njohjen e kontributit të jetës së kushtuar dhe të grumbullimeve kishtare në zhvillimin e jetës sinodale të Kishës dhe u kërkua të thellohej mundësia  e bashkëpunimit ndërmjet  barinjve, anëtarëve të lëvizjeve dhe  bashkësive të reja", që të mund t’i shërbejnë më mirë bashkimit dhe misionit”. Puna e Grupit të Studimit që iu besua Dikastereve për Ipeshkvijtë, për Institutet e Jetës së Kushtuar, për Ungjillëzimin, për Laikët, Familjen dhe Jetën do të zhvillohet në këto linja. Gjithashtu përfshihen edhe organe ndërkombëtare si UISG dhe USG dhe grumbullime të ndryshme kishtare.

7) Ipeshkvijtë, figurat dhe funksionet

Nga një këndvështrim misionar sinodal, më pas, do të studiohen disa aspekte të figurës dhe shërbesës së ipeshkvit. Të gjitha këto janë tema qendrore në sesionin e tetorit, por edhe më parë, në Instrumentum laboris. Shqyrtimi i këtyre çështjeve do të jetë gjithashtu objekt i Sesionit të Tetorit 2024; prandaj u vendos që të krijoheshin dy Grupe Studimi: i pari, i koordinuar nga Dikasteri i Ipeshkvijve dhe Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, me përfshirjen e Dikastereve për Ungjillëzimin dhe për Kishat Lindore, do të trajtojë çështje të tilla si kriteret e përzgjedhjes për kandidatët për ipeshkvij; përfshirja e Kishave lokale dhe e popullit të Zotit në proceset e zgjedhjes, shërbimi i Nuncit, natyra dhe kryerja e vizitave ad limina. Grupi i dytë do të koordinohet nga Dikasteri i Teksteve Legjislative, me pjesëmarrjen e Dikastereve për Ipeshkvijtë dhe për Ungjillëzimin dhe do të thellohet në funksionin gjyqësor të ipeshkvit, problem tashmë i ngritur nga motu proprio Vos estis lux mundi mbi abuzimet, duke u përpjekur "në disa raste, për të harmonizuar rolin e atit dhe atë të gjyqtarit".

8) Roli i Nuncëve

 Roli i Përfaqësuesve Papnorë në një perspektivë misionare sinodale: kjo është tema e tetët që do të trajtohet nga Grupi i Studimit "në bashkëpunim" me Sekretarinë e Shtetit dhe Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, si dhe me përfshirjen e Dikastereve për ipeshkvijtë dhe për ungjillizimin. Do të përfshihen edhe disa përfaqësues të Kishave vendase si dhe ipeshkvijtë e tyre. Do të shqyrtojnë, ndërmjet tjerash, punën e Përfaqësuesve Papnorë nga ana e Kishave të vendeve, ku kryejnë misionin, për të përsosur shërbimin e tyre, si dhe mënyrat për të konsoliduar lidhjet e bashkimit ndërmjet Kishave vendase dhe Pasardhësit të Pjetrit, në mënyrë që Papa të njohë nga afër nevojat dhe aspiratat e tyre.

9) Çështje “të diskutueshme”.

 Një grup studimi do të koordinojë punën mbi kriteret teologjike dhe metodologjitë sinodale për shqyrtim të përbashkët të çështjeve të diskutueshme doktrinore, baritore dhe etike. Bëhet fjalë për të rilexuar "kategoritë tradicionale të antropologjisë, soteriologjisë dhe etikës teologjike, për të qartësuar më mirë marrëdhëniet ndërmjet bamirësisë e së vërtetës, në besnikërinë ndaj jetës dhe mësimit të Jezusit, dhe rrjedhimisht edhe ndërmjet kujdesit baritor dhe doktrinës (morale)”. Tema me "autoritet" të madh, prandaj "drejtimi" i Grupit i besohet - rasti i vetëm - prefektit të Dikasterit të Doktrinës së Fesë dhe Sekretarit të Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, respektivisht kardinalit Victor Manuel Fernández dhe imzot Antonio Staglianò. Edhe Akademia Papnore për Jetën është e ftuar të japë kontributin e saj. “Në këtë fushë - nënvizon dokumenti - ndoshta edhe më shumë se në të tjerat, ndjehet nevoja urgjente për të vazhduar një bashkëpunim më të madh ndërmjet organeve të cilat, edhe pse me kapacitete të ndryshme, flasin në emër të Selisë së Shenjtë me synimin për një koherencë më të madhe në pozitat e tyre. Mospërkimet, dhe aq më tepër kontrastet, të reflektimit. Përpjekja sinodale nuk synon homogjenitetin, por harmoninë”.

10) Dialogu ekumenik

Pika e fundit, Pritja e fryteve të rrugës ekumenike në praktikat kishtare. Do të thellohet në nivel teologjik, kanonik dhe baritor çështja e mikpritjes eukaristike; përvoja e çifteve dhe familjeve ndërfetare; fenomeni i bashkësive “jokonfesionale” dhe lëvizjeve të “rizgjimit” karizmatik/pentekostal. Me të do të merret grupi studimor i koordinuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit dhe Dikasteri për Nxitjen e Unitetit të Krishterë.

15 mars 2024, 12:44