Shën Toma i Akuinit Shën Toma i Akuinit 

Papa: Toma i Akuinit, në studimet e tij, rrënja e së mirës së njeriut

750-vjet pas vdekjes së autorit të "Summa Theologiae", Françesku u shkruan pjesëmarrësve në një seminar të organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, që thellohet në disa aspekte të doktrinës së Shenjtit: është autor modern, që me vizionin e tij ofron "ide të freskëta dhe të vlefshme për botën tonë të globalizuar, ku sundojnë pozitivizmi ligjor dhe rastësia".

R. SH. - Vatikan

Çfarë lidhje ka mendimi i njërit prej teologëve më të shquar në historinë e Kishës - me shkencat shoqërore? I kërkuesit të marrëdhënieve ndërmjet fesë dhe arsyes, mënyra në të cilat lindin dhe rriten marrëdhëniet ndërmjet njerëzve? Ka shumë më tepër se sa mund të duket! E Papa e sqaron këtë duke u shkruar pjesëmarrësve në takimin që organizon sot dhe nesër Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, ku po diskutohet rreth temës "Ontologjia sociale e Akuinasit dhe ligji natyror në perspektivë. Thellime për e nga Shkencat Shoqërore”.

Feja dhe arsyeja pajtohen, nuk kundërvihen  

“Shën Toma sigurisht që nuk i pa shkencat shoqërore me atë sy që i shikojmë sot” - vëren Françesku - por megjithatë, me studimet e tij, ishte  pararendës. E kjo, sepse për të ishte e qartë, gjë që e pohon në Summa, se njeriu, si krijesë e Zotit, përfaqëson "çka është më e fisme në mbarë gjithësinë". E meqenëse, në nivelin e mendimit, Akuini pohoi se Zoti është "e vërteta dhe drita që ndriçon çdo kuptim", dhe se si rrjedhim nuk mund të ketë "asnjë kontradiktë themelore ndërmjet së vërtetës së zbuluar nga Zoti dhe asaj të zbuluar përmes arsyes" - rrjedh se "të mirat shpirtërore u paraprijnë atyre materiale, ashtu si e mira e përbashkët e shoqërisë i paraprin asaj të individëve”.

Tek njeriu, "inteligjenca e Zotit"

Françesku nënvizon, për shembull, vëmendjen që Doktori Engjëllor i kushton çështjeve të drejtësisë, veçanërisht në Komentet, të cilat nxjerrin në pah "ndikimin e tij në formimin e mendimit moral dhe juridik modern". Akuini - kujton Papa - pohon "dinjitetin dhe unitetin e brendshëm të  njeriut" - si virtytet e trupit ashtu edhe ato "të shpirtit racional" - të cilat e lejojnë të dallojë të vërtetën nga e rremja dhe të mirëm nga e keqja". Është ajo që Shën Toma e quan "mençuria e Zotit", domethënë "aftësia e lindur" e njeriut "për t’i dalluar dhe për t’i zbatuar ose për t'i disponuar veprimet për qëllimin e tyre përfundimtar nëpërmjet dashurisë", quajtur ndryshe "ligji natyror".

Vizion gjithnjë i pranishëm

E këtu qëndron edhe modernizmi i autorit të Summës, pasi sot - pohon Françesku - është themelore të rishikohet ajo, që Aquinasi e quan "prirja natyrore për të njohur të vërtetën për Zotin dhe për të jetuar në shoqëri" me qëllim që - komenton Papa, "të modelojë mendimin dhe politikat shoqërore në mënyra që e nxisin, nuk e pengojnë, zhvillimin e vërtetë të njerëzve dhe të popujve".

Besimi i Tomës në ligjin natyror të shkruar në zemrën e njeriut mund të ofrojë - këmbëngul Françesku - "ide të freskëta dhe të vlefshme për botën tonë të globalizuar, të sunduar nga pozitivizmi ligjor dhe kazuistika", edhe nëse - pranon - "vazhdon të kërkojë themele të forta për një rend shoqëror të drejtë dhe njerëzor”.

Atje ku lindi Doktrina Shoqërore

Si mendimtar i krishterë, Toma i Aquinit njeh veprimin e "hirit shëlbues" që solli Jezusi në veprimin njerëzor i cili, përveç përfitimeve shpirtërore - vëren Françesku - ka "ndikime të pasura" për të kuptuar dinamikën e "një rendi të fortë shoqëror të bazuar mbi pajtimin, solidaritetin, drejtësinë dhe kujdesin reciprok”. Këtu Papa citon Benediktin XVI, i cili në Caritas in Veritate deklaroi se burri dhe gruaja, si objekte dashurie të Zotit, nga ana tjetër bëhen subjekte bamirësie, të thirrur për të pasqyruar këtë bamirësi dhe për të endur rrjete bamirësie në shërbim të drejtësisë dhe të së mirës së përbashkët. Dinamikë e "dashurisë së marrë dhe të dhënë", që - vëren - i dha jetë Doktrinës Shoqërore të Kishës, objektivi i së cilës është të zbulojë se si "përfitimet shoqërore të Shëlbimit mund të bëhen të dukshme në jetën e burrave dhe grave".

Françesku përfundon me një mendim në harmoni me Kreshmët, duke përsëritur se reflektimi duhet të kombinohet gjithmonë me një demonstrim praktik të dashurisë së krishterë.

“Në këto vite të papnisë sime - shkruan – u përpoqa të favorizoj gjestin e larjes së këmbëve”, që është “pa dyshim simbol shprehës i Lumnive” të Jezusit dhe “i zbatimit të tyre konkret në veprat e mëshirës”. E kjo, sepse Jezusi e dinte mirë që, kur bëhet fjalë për frymëzimin e zemrës së njeriut, shembujt janë më të rëndësishëm se një lumë fjalësh".

08 mars 2024, 11:55