Shën Jozefi Pajtor i Kishës universale Shën Jozefi Pajtor i Kishës universale

Pesë gjeste, për t’i përngjarë Shën Jozefit

Atë i dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije: me këto fjalë e përshkruante Papa Françesku Shën Jozefin në Letrën Apostolike “Patris corde” - “Me Zemrën e Atit”, botuar 8 dhjetor 2020, me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Shën Jozefit Pajtor Qiellor i Kishës katolike nga i Lumi Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus.

R. SH. - Vatikan

Me Letrën apostolike “Patris corde” – “Me zemrën e Atit”, të Papës Frnaçeskut, botuar 8 dhjetor 2020, me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Shën Jozefit Pajtor Qiellor i Kishës katolike nga i Lumi Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus.

Me atë rast, që nga 8 dhjetori 2020 e deri më 8 dhjetor 2021 u shpall “Viti i Shën Jozefit”, e regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Nykiel, shpjegoi, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Oservatore Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë kushtuar shën Joezfit, që po e propozojmë edhe një herë, shoqëruar me ftesën për të kryer vepra bamirëse, duke ndjekur shembullin e shën Jozefit “njeriut të drejtë”. E  imzot Nykiel kujton edhe pesë gjestet që duhet të bëjë besimtari, i cili dëshiron t’i përngjasë Shën Jozefit.

 Pesë  gjeste, për t’i përngjarë Shën Jozefit

“Për t’i përngjarë Shën Jozefit, së pari, besimtari duhet të bëjë vullnetin e Zotit, duke gjetur kohën e duhur për meditim personal, ose për të marrë pjesë në ndonjë rit shpirtëror, sipas shembullit të Shën Jozefit, i cili ishte gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur zërit të Zotit.

Së dyti, të bëhet mjet i drejtësisë e i mëshirës së Atit, përmes kryerjes së veprave të mëshirës fizike e shpirtërore, si Shën Jozefi, njeriu i drejtë.

Të përtërijë, së treti, bashkimin me Zotin ndërmjet familjarëve, miqve, të fejuarve, përmes Rruzares Shenjte.

Pastaj, së katërti, ta shenjtërojë punën e vet, duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën Jozefit ose të lutet për ata, që kërkojnë punë dinjitoze.

Së fundi, t’i lutet Zotit për t’i mbrojtur të krishterët që pësojnë persekutime, duke thënë litanitë e Shën Jozefit ose uratë tipike për ritet lindore”.

E kjo atmosferë lutjeje – kujton - lidhet ngushtë edhe me situatën aktuale, të trazuar thellësisht nga pandemia. Të rikujtosh se Shën Jozefi është Pajtor i Kishës universale, do të thotë edhe t’i lutesh të ndërmjetësojë që të marrë fund sa më shpejt pandemia e, me të, gjithë kjo vuajte, kjo dhimbje që peshon rëndë mbi shpirtin e njeriut e të botës. E jo më pak, mbi  zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

Pa harruar edhe kushtet e parashikuara për të marrë ndjesën për pleqtë, të sëmurët e njerëzit në prag të vdekjes, me besim në ndërmjetësimin e Shenjtit, Pajtor i një vdekjeje të mirë.

Fakti që ai ishte ati i kujtuar i Krishtit, mund e duhet konsideruar edhe atë i kujtuar i gjithë të krishterëve, në çdo rrethanë jete - theksoi imzot Nykiel, duke shpjeguar, në intervistën për gazetën vatikanase “L’Oservatorwe Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë e duke kujtuar, në përfundim, një fragment nga shkrimet e Shën Terezës së Jezusit, doktore e Kishës, tejet e devoçme e Shën Jozefit:

“Zgjodha si ndërmjetësues Shën Jozefin e Lumnueshëm e u mbështeta shumë në Të. Nuk më kujtohet t’i kem kërkuar ndonjë hir e të mos ma ketë nxjerrë nga Zoti, duke më shpëtuar gjithnjë nga rreziqet e shpirtit e të korpit… Përmes Tij Zoti dëshiron të na bëjë të kuptojmë se ashtu si ishte atë, mbi tokë, ashtu mund të jetë edhe në qiell”.

 

19 mars 2024, 11:19