Kërko

Papa Francesco in un gesto di tenerezza  (Vatican Media), 2023.09.06 Udienza Generale Papa Francesco in un gesto di tenerezza (Vatican Media), 2023.09.06 Udienza Generale

Abuzimet: Papa, një e keqe për t'u çrrënjosur në të gjitha fushat e shoqërisë

"Cenueshmëria dhe abuzimi. Drejt një vizioni më të gjerë parandalimi" kjo tema e Kongresit III të Amerikës Latine që po mbahet në Panama, promovuar nga Ceprome, që synon promovimin e kulturës së kujdesit dhe respektimit të të drejtave të njerëzve. Në mesazhin dërguar pjesëmarrësve, Papa nënvizon nevojën për "një ndryshim absolut të mentalitetit në konceptimin tonë të marrëdhënieve", i cili privilegjon të fundmit dhe ndihmon njerëzit të maturohen në koherencë me fenë

R.SH. / Vatikan

Në mesazhin e tij drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit III të Amerikës Latine, që po zhvillohet në Panama nga sot deri më 14 mars, Papa Françesku i referohet takimit që pati me një delegacion nga Consejo Latinoamericano del Centro de Investigación y Formación para la Protección del Menor” (Ceprome ), "Këshilli Amerikan Latin i Qendrës Kërkimore dhe Trajnuese për Mbrojtjen e të Miturve", më 25 shtatorin e kaluar në Vatikan. Papa kujton në tekst se, me atë rast, pati nënvizuar "angazhimin e Kishës për të parë në secilin prej viktimave fytyrën e Jezusit të vuajtur”, por edhe “nevojën për të vënë te këmbët e tij “vuajtjet që kemi pësuar dhe shkaktuar”, duke i kërkuar Jezusit edhe për “mëkatarët më të palumtur dhe më të dëshpëruar, kthimin e tyre”.

Në ballafaqim me cenueshmërinë

Ashtu si atëherë, edhe në këtë mesazh, të datës 1 mars, Papa Françesku na fton të shikojmë çështjen e abuzimit “me sytë e Zotit” dhe në dialog me Të, për të kuptuar më mirë temën e cenueshmërisë. Ati i Shenjtë pohon:

Zoti na thërret për një ndryshim rrënjësor të mentalitetit në konceptimin tonë të marrëdhënieve, duke privilegjuar më të voglin, të varfërin, shërbëtorin, injorantin, mbi të madhin, të pasurin, të diturin, në saje të aftësisë për të pranuar hirin që Zoti na jep dhe për t'ia ofruar veten si dhuratë të tjerëve.

Të ndihesh i vogël është një dhuratë për t'u kërkuar nga Zoti

Vogëlësia në të cilën na fton Jezusi, shpjegon Papa, nuk është të shikosh dobësinë e dikujt "si një justifikim për të mos qenë njerëz të drejtë dhe të krishterë, të paaftë për të marrë kontrollin e fatit në duar". Përkundrazi, të ndjehesh i vogël - shkruan Ati i Shenjtë - është "një dhuratë që duhet ta kërkojmë në gjunjë për veten dhe për të tjerët" për t'u përballur me kontradiktat e jetës, dhe tregon shembullin e Shën Palit, i cili "krenohej në ligështitë e veta dhe besonte në hirin e Zotit”.

Për sa i përket parandalimit, puna jonë duhet padyshim të synojë zhdukjen e situatave që mbrojnë ata që fshihen pas postit a pozicionit të tyre për t'iu imponuar të tjerëve në mënyrë perverse, por edhe për të kuptuar pse janë të paaftë për t'u lidhur dhe relacionuar me të tjerët në mënyrë të shëndosh.

Formimi në integritetin moral

Në të njëjtën kohë, nxit Papa, ne nuk duhet "të qëndrojmë indiferentë ndaj arsyes pse disa pranojnë të shkojnë kundër ndërgjegjes së tyre, nga frika, ose të lejojnë veten të mashtrohen nga premtimet e rreme, duke e ditur në zemrat e tyre se janë në rrugë të gabuar”. Thirrja e Françeskut është të angazhohemi për të jetuar e formuar edhe besimtarin në integritet, duke besuar në forcën e Zotit, dhe vëren:

Humanizimi i marrëdhënieve në çdo shoqëri, përfshirë Kishën, do të thotë të punosh fort për të formuar njerëz të pjekur dhe koherent, të cilët, të vendosur në fenë dhe parimet e tyre etike, janë të aftë të përballen me të keqen, duke dëshmuar të vërtetën, me shkronjë të madhe. Një shoqëri që nuk bazohet në këto supozime të integritetit moral do të jetë një shoqëri e sëmurë, me marrëdhënie njerëzore dhe institucionale të çoroditura nga egoizmi, mosbesimi, frika dhe mashtrimi.

Ruajtja e dëshmia e  "këtij thesari në enë balte" është një hir, përfundon Papa, duke ftuar ta kërkojmë këtë hir "nga Mbreti i martirëve" për të dëshmuar Zotin në botë.

12 mars 2024, 14:15