Kërko

Bonifaci VIII kumton Jubileun e 1300-tës Bonifaci VIII kumton Jubileun e 1300-tës  

Bonifaci VIII dhe ideja e Jubileut të parë

“Shpikja” e Vitit të Shenjtë në vitin 1300: zanafilla dhe shkaqet e një viti të paharrueshëm!

R.SH. - Vatikan

1 janar 1300. Mbrëmje. Në rrugët e Romës ndjehet një zhurmë, që bëhet gjithnjë e më e fortë. Ka shumë njerëz që ecin me shpejtësi e edhe që vrapojnë: shkojnë drejt Bazilikës së Shën Pjetrit. Burra dhe gra të gjallëruar nga shpresa, të etur për të mbërritur shpejt. Si mbërrijnë atje, presin. Gumëzhima bëhet poterë. Romakët kërkojnë që Papa ta zgjerojë ndjesën plenare.

Dëshmitar okular

Për origjinën e Jubileut kemi një dëshmitar të jashtëzakonshëm: Jacopo Caetani degli Stefaneschi, kardinal që e pa dhe e jetoi Vitin e parë Shenjt të historisë së krishterë, atë të vitit 1300, shpallur nga Papa Bonifaci VIII, e më pas, e përshkroi në veprën e tij “De centesimo seu iubileo anno liber”. Stefaneschi ishte kanonik i Shën Pjetrit, më pas, edhe kardinal diakon i Shën Gjergjit  në Velabro. Ia njohim edhe fytyrën, paraqitur në poliptikun që mban emrin e tij, realizuar, bashkë me vepra të tjera të humbura, nga artisti më i rëndësishëm i kohës, Giotto. Poliptiku është  kryevepër dhe me siguri, i menduar për “lterin e madh”  të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Giotto di Bondone dhe asistentët, Stefaneschi Polyptych: ana e pasme, detaj i kardinalit Jacopo Caetani Stefaneschi që i ofron të njëjtin poliptik Shën Pjetrit, tempera mbi dru, rreth 1320. ©Muzetë e Vatikanit
Giotto di Bondone dhe asistentët, Stefaneschi Polyptych: ana e pasme, detaj i kardinalit Jacopo Caetani Stefaneschi që i ofron të njëjtin poliptik Shën Pjetrit, tempera mbi dru, rreth 1320. ©Muzetë e Vatikanit

Kardinali, njeri shumë i kulturuar, i pasur dhe i fuqishëm, ishte në shërbim së pari të Çelestinit V, pastaj të Papës Bonifaci VIII. Jetoi në kapërcyellin e dy shekujve dhe shkroi disa vepra historiko-kronike. Pikërisht duke ndjekur historinë e tij, ne mund të rindërtojmë natyrën e jashtëzakonshme të çastit e të shpjegojmë në mënyrë transparente proceset sociale dhe kulturore që përcaktuan lindjen e tij.

Kronika e shpalljes së Jubileut

Profesor Agostino Paravicini Bagliani, historian dhe antropolog kulturor, na krijon mundësinë ta rijetojmë atë vit të paharrueshëm: “Teksti i Stefaneschi-t është shumë i rëndësishëm sepse ai ishte dëshmitar okular. Fatbardhë që kemi raportin e tij, në të cilin kardinali shënon datën: është 1 janari i vitit 1300. Kalimi nga një shekull në tjetrin lindi mes njerëzve idenë se Papa mund t’u jepte një ndjesë plenare” - thotë Paravicini - i cili vazhdon të përshkruaj: “Romakët vrapojnë drejt bazilikës së Shën Pjetrit në mbrëmje: presin ndjesën. Kjo, pikënisja. Bonifaci VIII nuk është në Bazilikën e Shën Pjetrit, por banon në Pallatin Papnor, i cili asokohe ishte ende në Lateran. Asgjë nuk ndodh atë ditë". Pritja është e madhe. Disa ditë më vonë, më 17 janar, nis një tjetër demonstrim i rëndësishëm i popullit romak, procesioni i Veronikës, domethënë i fytyrës së Krishtit mbetur në velin e gruas, që e hasi gjatë ngjitjes në Kalvar, relike e cila nderohej në Bazilikën e Shën Pjetrit, shkruan kardinali Stefaneschi në kujtimet e tij. "Gjatë këtij procesioni, në prani të Papës, u lartua përsëri një kor i madh popullor zërash për të kërkuar ndjesën plenare. Bonifaci VIII  nisi ta hetojë ngjarjen, duke u përpjekur të zbulojë nëse ka pasur një Jubile tjetër para vitit 1300. Për këtë, Stefaneschi na tregon saktësisht: Papa  kreu hetime, e nuk gjeti asgjë në arkiva, por gjithsesi, në një pikë të caktuar, vendosi - përfundon profesor Paravicini.

Arnolfo di Cambio dhe “botega” – apo punishtja e tij, Papa Bonifaci VIII dhe dy profetë, 1296-1310, mermer i bardhë; vendndodhja origjinale duhet të ketë qenë në fasadën e katedrales së Firences, Sala del Paradiso, ©Museo dell'Opera del Duomo di Firenze
Arnolfo di Cambio dhe “botega” – apo punishtja e tij, Papa Bonifaci VIII dhe dy profetë, 1296-1310, mermer i bardhë; vendndodhja origjinale duhet të ketë qenë në fasadën e katedrales së Firences, Sala del Paradiso, ©Museo dell'Opera del Duomo di Firenze

Një ndjenjë emotive, bëhet mjet kanonik

Ky është operacioni madhështor i Bonifacit VIII: ai e kuptoi se populli ishte në pritje, se qe ndezur një zjarr popullor, që kërkonte indulgjencën plenare, apo faljen e plotë të mëkateve, në një kohë kur mëkatet nuk mungonin! Papa e shndërroi këtë ndjenjë emocionale në mjet vërtet kanonik: Jubileu u shpall për herë të parë në Lateran e, për herë të dytë, në mënyrë më zyrtare, më 22 shkurt, ditën e festës së katedrës së Shën Pjetrit. Jubileu, i pari i krishterë, u kremtua nga 22 shkurt 1300 - deri në fillim të vitit në vijim. Ishte një operacion i madh shpirtëror dhe kishtar, dëshmitarë i aftësisë së madhe të Bonifacit VIII që të ishte në gjendje të siguronte  mjetin e nevojshëm për të kënaqur dëshirën popullore me një jubile”- përfundon historiani Paravicini. Çdo ndryshim shekulli shkakton frikë, shpresa, pritshmëri dhe, mbi të gjitha, lind dëshira për ndryshim, për t'u ripërtërirë, për t'u pastruar, për të filluar nga e para. Në agimin e vitit 1300 e gjithë kjo u përkthye në këtë "shpikje".

Bonifacio VIII, Antiquorum habet fida relatio (22 febbraio 1300), ms. originale, Biblioteca Apostolica Vaticana, Arch. Cap. S.Pietro, caps. I, fasc.1 (8) (©2016 Biblioteca Apostolica Vaticana
Bonifacio VIII, Antiquorum habet fida relatio (22 febbraio 1300), ms. originale, Biblioteca Apostolica Vaticana, Arch. Cap. S.Pietro, caps. I, fasc.1 (8) (©2016 Biblioteca Apostolica Vaticana

Roli i Apostujve Pjetër dhe Pal

Me Bulën Jubilare të 22 Shkurtit, Antiquorum Habet Fida Relatio, besimtarët do të mund të ishin në gjendje të shijonin kënaqësi të plotë, pasi të vizitonin dy bazilikat e mëdha të Shën Pjetrit dhe Shën Palit. "E kjo është interesante" - kujton Paravicini - "sepse Pjetri dhe Pali janë dy apostujt romakë par excellence, mbi të cilët bazohet edhe autoriteti papnor, vetë papati, edhe për këtë arsye, ka karakter thellësisht simbolik. Kjo prani e dyfishtë e Pjetrit dhe Palit, në Jubileun e parë të Bonifacit VIII, tejkalon gjithçka. Në fillim besimtarët duhej të shkonin vetëm në këto dy bazilika, e kuptimi i kësaj ngjarjeje nuk do të ishte reduktim, por përkundrazi, do të nxirrte në pah autoritetin e madh të dy apostujve Pjetër dhe Pal”.

Në Bulën e Jubileut shkruhej:

“...ata do të hyjnë në bazilikat e sipërpërmendura me nderim dhe të penduar e të rrëfyer, e ata që pendohen vërtet në këtë vit të njëqindtë të tanishëm dhe në çdo vit të njëqindtë të ardhshëm, do të kenë jo ​​vetëm ndjesën e plotë, por edhe faljen e të gjitha mëkateve. Vendosim që ata, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në një ndjesë të ngjashme të dhënë nga Ne, duhet të hyjnë në bazilikat e sipërpërmendura, nëse janë romakë, të paktën për tridhjetë ditë rresht ose, të paktën, një herë në ditë; nëse janë shtegtarë ose të huaj, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë për pesëmbëdhjetë ditë”.

Arnolfo di Cambio, Varri monumental i Bonifacit VIII, fundi i shekullit të 13-të, Shpellat e Shenjta të Vatikanit, Qyteti i Vatikanit
Arnolfo di Cambio, Varri monumental i Bonifacit VIII, fundi i shekullit të 13-të, Shpellat e Shenjta të Vatikanit, Qyteti i Vatikanit

Shifrat simbolike

Bonifaci VIII është Papa i fillimit të shekullit. Ai ka në mendje numrin 100, figurë simbolike shumë e rëndësishme. Për më tepër, Jubileu është përcaktuar teknikisht si "Jubileu i vitit të njëqindtë". Papa në bulë urdhëron që jubiletë e ardhshëm të festohen çdo njëqind vjet. Sipas Testamentit të Vjetër, Jubileu hebre binte çdo 50 vjet, por Bonifaci VIII nuk e merr atë si model dhe propozon një njëqindvjetor. Po ky vendim i Papës nuk u mbajt sepse në vitin 1350, duke ndjekur ritmin e Testamendit të Vjetër të jubileve hebraike, jubileu i dytë i krishterë u festua vetëm pesëdhjetë vjet pas vitit 1300. Jemi në epokën e papatit në Avignon. Papa që shpalli Jubileun e 1350-tës ishte Klementi VI. Edhe ai e bëri këtë si përgjigje të një lutjeje nga romakët, të cilët e kërkuan në atë datë.

Pikat kryesore të Vitit të Parë të Shenjtë

Profesor Palavicini vazhdon të ilustrojë çastet kryesore të vitit jubilar: "Gjatë jubileut të parë, Bonifaci VIII organizoi katër festime publike: më 22 shkurt - nëse nuk merret parasysh ajo e mëparshme në Lateran - një festë e dytë të Enjten e Madhe: e treta, më 18 nëntor; e fundit, në fillim të vitit 1301. Prandaj ka relativisht pak ceremoni publike edhe sepse viti 1300, ndoshta për arsye që lidhen me shëndetin e Papës Bonifaci VIII, është viti në të cilin Papa kalon më shumë kohë jashtë Romës, në vendlindjen e tij Anagni. Është kureshtare, por fakt: viti 1300 nuk ishte 'shumë romak' për Bonifacin VIII. Ai, menjëherë pas të Enjtes së Madhe, u largua dhe shkoi në Anagni, ndaj ambasadori aragonez na la shumë shënime të rëndësishme për kohën edhe sepse ishte dëshmitar okular. Në fakt, më 2 nëntor, abati i Foix i shkroi Frederikut III, mbretit të Aragonit: “Papa dhe të gjithë kardinajtë janë mirë. Në të vërtetë, për tre vjet Papa nuk ka qenë kurrë në shëndet kaq të mirë sa është tani". Nga këto fjalë, vë në dukje profesor Paravicini, "ne kuptojmë se Bonifaci VIII ka shumë të ngjarë të ketë qenë jashtë Romës për shumë muaj, duke u tërhequr në pallatin e vendlindjes së tij ndoshta për arsye shëndetësore.

Kthimi i tij dëshmohet me rastin e ceremonisë së 18 Nëntorit, kremtimit të kushtimit të bazilikave të Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Kjo na flet gjithashtu për rëndësinë e madhe të dy festave të apostujve romakë”.

Një ngjarje e paplanifikuar

Gjatë jubileut ka pasur gjithmonë një fluks të madh shtegtarësh. Historia gjatë Jubileut na tregon nevojën për të ndërtuar ose zgjeruar ndërtesa dhe në veçanti, bazilika. Ne e dimë se duhet të bëhen ndryshime në sistemin rrugor. Megjithatë, gjatë jubileut të Bonifacit VIII, nuk duket se ka pasur ndonjë punë ndërtimi. Sipas profesor Paravicinit, për arsye dokumentare të lidhura me një epokë relativisht të lashtë, "mund të thuhet se viti jubilar tërhoqi shumë besimtarë nga e gjithë Evropa. Sigurisht që nuk është e mundur të përcaktohet sasia, qoftë edhe me hipotezë, e numrit të besimtarëve. Mbërritja e tyre në Romë, sigurisht që ishte ngjarje e madhe për qytetin, por nuk kishte punë ndërtimi, sepse ngjarje e paplanifikuar. Ai ende nuk e dinte nëse do të kishte një jubile caktuar për 1 Janar dhe 22 Shkurt, kështu që punimet e mëdha urbane nuk ishin të mundshme Ka vetëm një shembull, por nuk është plotësisht i sigurt, se cila është Lozha e famshme që Bonifaci VIII kishte ndërtuar mbi Pallatin e Vatikanit, ku kishte një mbishkrim, që më pas u lexua në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë nga studiues romakë. Sipas tyre, duhet të ishte ndërtuar në vitin 1300. Dhe është një nga arsyet pse data u lidh me jubileun, por objektivisht nuk është plotësisht e sigurt”, përfundon Paravicini.

Gjurmët e disa masave të rregulluara për të lehtësuar qarkullimin e turmës së madhe që mbërriti në Romë dhe stërmbushi rrugët në drejtim të Bazilikës së Shën Pjetrit, vjen nga një person i shquar, Dante Alighieri, i cili ishte në Romë si shtegtar i Vitit të Shenjtë. Në Ferrin e tij (XVIII 28-33) krahason drejtimin e dyfishtë të marrshimit të të mallkuarve, me atë të shtegtarëve që shkonin ose ktheheshin nga Shën Pjetri, duke kaluar mbi urën pranë Castel Sant'Angelo-s:

banort’ e Romës në të shenjtën vjetë

të Jubileut të madh, kur urën dalin

mënyrë të lehtë për këtë kalim kanë gjetë….

(Shih Dante, Komedia hyjnore, Ferri, Kanga XVIII, fq 11,  , Pashko Gjeçi Argeta, Tiranë, 2026)

Fytyra Shenjte e Manoppello-s
Fytyra Shenjte e Manoppello-s

Veli i Veronikës

Gjatë jubileut, reliket luajtën një rol themelor dhe veli i Veronikës, sigurisht më i famshmi, tërhoqi një mori shtegtarësh në Shën Pjetër, si dëshmi e prekshme e Mundimeve të Krishtit, në vendin e shenjtë ku tradita identifikonte martirizimin dhe varrimin e apostullit Pjetër. Në vitin 1300, sipas Paravicinit, Veronika nuk pati rol të veçantë në sugjerimin e Bonifacit VIII për krijimin e konceptit të jubileut dhe ndjesës së plotë. Gjatë shekullit të katërmbëdhjetë dhe natyrisht më pas, në shekullin e pesëmbëdhjetë, ikonat e Veronikës patën përhapje të madhe, të dyja të riprodhuara në pergamenë dhe më pas natyrshëm, përmes shtampimeve. “Përhapja e Veronikës në shekujt e fundit të mesjetës dhe në epokën moderne është padyshim e lidhur me jubiletë, por jo veçanërisht me atë të vitit 1300. Nuk ka shumë relike të tjera, edhe sepse Jubileu lidhet me dy bazilikat, të Shën Pjetrit dhe të Shën Palit. Kjo e fundit, në veçanti, nuk ka  lidhje të saktë me relike shumë popullore. Më e rëndësishmja është në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në fillim nuk pati këtë lidhje të fortë, të paktën burimet nuk e dëshmojnë këtë. Natyrisht është e qartë se gjatë shekujve dhe veçanërisht në jubiletë e mëpasëm, reliket romake luajtën një rol shumë të rëndësishëm”, përfundon Paravicini.

Roma, Jerusalemi i ri

“Bonifaci VIII u nxit të krijonte këtë mjet të madh shpirtëror të Jubileut të krishterë ndoshta edhe sepse disa vite më parë, në vitin 1291 me rënien e Shën Gjonit të Akrës, ëndrra e madhe e kryqëzatave mori fund të paktën për atë periudhë dhe, në njëfarë kuptimi, me Jubileun e krishterë Roma bëhet Jerusalem i ri, fiton një qendër të re brenda sferës shpirtërore. Besohet se përkimi ndërmjet fundit të kryqëzatave mesjetare, me rënien e Shën Gjonit të Akrës, dhe përfundimit të Mbretërisë së Jeruzalemit është një pasazh jashtëzakonisht i rëndësishëm”, vëren Agostino Paravicini.

Shtegtarët,  mbërrijnë në Romë, ilustrim nga dorëshkrimi "Cronache" nga Giovanni Sercambi, XIV, Arkivi Shtetëror, Lucca
Shtegtarët, mbërrijnë në Romë, ilustrim nga dorëshkrimi "Cronache" nga Giovanni Sercambi, XIV, Arkivi Shtetëror, Lucca

Rëndësia e numrave në botën mesjetare

Profesori reflekton: "Mund të shtohet ende se Bonifaci VIII e dinte, a të paktën Stefaneschi e di dhe e thotë, se ai ishte Papa i dyqindtë. Ndoshta edhe kjo simbolikë e numrave nga njëra anë, viti i njëqindvjetorit, nga tjetra dhe fakti që ai ishte Papa i dyqindtë, kontribuoi shumë, edhe sepse simbolika dhe numrat kishin shumë rëndësi në mesjetë, ashtu edhe fakti se ai vendosi që jubiletë e ardhshëm duhet të kishin një ritëm njëqindvjeçar. E gjithë kjo ndoshta lidhet edhe me faktin se ai pati numri 200 në vazhdimësinë apostolike, në serinë legjitime të Papëve, të papëve romakë”.

25 prill 2024, 10:06